Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton abuzime me ndërtimin e by pass-eve të Fierit dhe Vlorës duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik mbi 9.4 mln euro. Po ashtu KLSH ka konstatuar shpenzime që nuk përputhen me eficencën të 8 mln eurove, pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile dhe keqmenaxhim të fondeve.
Për të gjitha këto shkelje KLSH kallëzoi në prokurori Përgjegjësin e Sektorit të Projekteve të Huaja dhe të Brendshme në ARRSH, shtetasin me incialet E.N me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa nuk përjashton nga përgjegjësia edhe persona të tjerë vendimmarrës në këtë institucion. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje të kontratave të konsulencës dhe punimeve si edhe pagesa për punime të parealizuara si dhe ndryshim të projektit e shoqëruar edhe me rritje fiktive të çmimit për zëra të ndryshëm.
ARRSH ka lidhur dy kontrata për ndërtimin e by pass-it të Fierit me vlerë 39,866,012 euro pa TVSH dhe për atë të Vlorës një kontratë me vlerë 35,289,872 euro pa TVSH. Ndërsa KLSH konstatoi në auditim se afati i punimeve nuk është përmbushur për të dyja kontratat.
ARRSH nuk i ka paraqitur deri më sot kompanisë zbatuese asnjë pretendim ‘zyrtar’ në lidhje me penalitetet që kjo shoqëri duhet të paguajë si pasojë e vonesave në kryerjen e punimeve dhe të cilat sipas përllogaritjeve të grupit të auditimit të KLSH-së arrijnë deri në 4,125,346 euro.
Për realizimin e këtyre dy projekteve, qeverisë shqiptare i është ofruar ndihmë ekonomike në formë huaje nga tre donatorë të huaj, Bankat BEI, BERZH, Cooperacione Italiane, si dhe grand nga Komisioni Europian dhe nga fondet IPA 2011.