Korrupsioni me rrugën e “Kombit”, qeveria ndryshoi fituesin e shpallur nga BB

Ndryshimi i fituesit të konçesionit për rrugën Durrës-Kukës ka ngritur hije të rënda dyshimi për një aferë të madhe korrupsioni me vlerë qindra milionë euro. Syri.net publikon dokumente ekskluzive, që faktojnë se qeveria ndryshoi fituesin në kundërshtim me rekomandimet e Bankës Botërore, që ishte konsulentja e tenderit.
Përmes një shkresë zyrtare, e cila mban datën 18 korrik 2016, Korporata Financiare Ndërkombëtare, pjesë e Bankës Botërore, këshillon Ministrinë e Transporteve që të skualifikojë konsorciumin Catalyst të përbërë nga Kastrati dhe Salillari dhe të shpallë fituese Vendeka Bilgi. “Në bazë të analizave dhe pas vlerësimit të ofertave ne i rekomandojmë Ministrisë së Transporteve që të skualifikojë Catalyst dhe të shpallë fitues konsorciumin Vendeka Bilgi”, thuhet në shkresën zyrtare të IFC.
Në dokument Banka Botërore, sqaron se Catalyst nuk i plotëson kriteret e tenderit, pasi nuk ka eksperiencë në mirëmbajtjen dhe operimin e rrugëve me pagesë, që ishte dhe kriteri më i rëndësishëm. Ndaj qeveria duhet të shpallte fitues konsorciumin turk Vendeka Bilgi, i cili përmbushte të gjitha kriteret.
Mbi bazën e këtij rekomandimi zyrtar, Ministria e Transporteve shpalli fitues konsorciumin turk të kryesuar nga Vendeka Bilgi, i cili kishte ofruar të investonte 110 milionë euro më shumë për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrugës. Por konsorciumi i renditur i dyti e ankimoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik.

U shkel ligji

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transporteve shpalli fituese të tenderit kompaninë Vendeka Bilgi në datën 22 korrik. Kuadri ligjor në fuqi, konkretisht Vendimi nr. 634 i Këshillit të Ministrave, në nenin 32, sanksionon se ankimimi i rezultatit duhet të bëhet brenda një afati 5 ditor nga shpallja e vendimit. Por siç tregojnë dokumentat, konsorciumi i renditur i dytë, i përbërë nga Kastrati dhe Salillari, e ka depozituar ankimimin në datën 1 gusht, pesë ditë pasi kishte përfunduar afati ligjor.
Por edhe pse ishte jashtë afateve të përcaktuara nga ligji, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi ta pranojë ankesën. Pranimi i dyshimtë i kërkesës është kundërshtuar nga Ministria e Transporteve. Përmes një shkrese zyrtare ish-ministri Edmond Haxhinasto, në datën 5 gusht i kërkon Komisionin të Prokurimeve të anullojë vendimin për pranimin e ankesës se Catalyst, pasi ai është në kundërshtim me ligjin.
“Afati pesë ditor i ankimit mbaron në datën 27.07.2016, pra ankimi i bashkimit të operatorëve ekonomikë “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari”LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” Sh.A. është paraqitur jashtë afatit ligjor dhe si i tillë nuk duhej të merrej fare në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimit Publik”, thuhet në shkresën e Haxhinastos.
Por, pavarësisht kësaj Komisoni i Prokurimeve vazhdoi me procedurën, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një skemë të parapërgatitur.

Ndryshon fituesi

Pranimi i ankesës në kundërshtim me ligjin ishte sinjali i parë se diçka po gatuhej. Në datën 7 shtator, kur kishin kaluar rreth 40 ditë nga pranimi i ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik, njoftoi ndryshimin e fituesit në tender. Sipas vendimit, Komisioni skualifikoi konsorciumin Vendeka Bilgi dhe vendosi të shpallë fitues bashkimin e shoqërive Kastrati dhe Salillari, duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj që kishte sugjeruar zyrtarisht Banka Botërore.
Ai i rrugës Durrës-Kukës është konçesioni i parë në historinë e shtetit shqiptar, ku qeveria ndryshon fituesin në tavolinë me gjithë kundërshtimin e fortë të IFC-së. Sipas ofertave në 35 vitet e ardhshme, konçesioni do të gjenerojë minimalisht 400 milionë dollarë për kompaninë private, para të cilat do të paguhen nga qytetarët.
Është e qartë se një vendim i këtyre përmasave është një barrë shumë e madhe për një komision nëpunësish të thjeshtë dhe mund të realizohet vetëm nëse organizohet dhe ka mbështetje në nivelet më të larta të piramidës së shtetit. Syri.net është shprehur publikisht kundër konçesionit të rrugën Durrës-Kukës, por ndryshimi i fituesit përkundër rekomandimeve të Bankës Boterore e kthen këtë në një aferë të pastër korruptive, me kosto qindra milionë euro për taksapaguesit.

Exit mobile version