Llomotitja shtazarake e Sadriut

Edison YPI

Llomotitja shtazarake e Sadriut i la të gjithë pa mend. Të mëdhenj e të vegjël, kothere e pasunarë, të sëmurë e të shëndetshëm.
Kishim kujtuar se Shqipëria e sotme është vend i dukurive më të larta se llomotitja shtazarake e Sadriut, si Pasioni i Doktorit, metropolitanizmi i Ramës, shqiptarizmi i Abas Aliut, media e Fevziut, konspiracionizmi intrigues i Kastriot Myftarit, virtuoziteti grafologjik i Zhejit, recetat kulinare të Blerina Bombaj, manipulimet mediatike trashanike të mbeturinave të Sigurimit të Shtetit. Qenkëshim gabuar. Shqipëria e sotme nuk është e kurrkujt tjetër veçse e llomotitjes shtazarake të Sadriut, asaj llomotitje që Shqipërinë e tërheq me shpejtësi atje ku Shqipëria në kohën e kurvit ishte, drejt egërsisë primitive të mbylljes brenda humnerave të harrimit nga bota.
Llomotitja shtazarake e Sadriut, që me gjasa së shpejti do bëhet modë parlamentare e të folurit dhe do formalizohet si shqipe standarde, e la me vite drite mbrapa oratorinë gjëmimtare të Doktorit, fjalën brilante të Ramës, harlisjet stilistike të Blushit, twistat e rafinuar komunikativë të Spiropalit, hazërxhuvapin e Andi Bejtes, si dhe në përgjithësi livadhisjet e shqiptarëve në lëndinat e blerta të lirisë së shprehjes.
Me shpatën e ndryshkur të inteligjencës më primitive, fluturimet e hallakatura të imagjinatës shterpë, zigzaget e çartuna të fantazisë së munguar, metaforat e helmatisura, krahasimet e hazdisura, përdorimin katastrofik të gjuhës së trupit, lëvizjen e gjymtyrëve, dredhjen e belit, kapsallitjen e syve, llomotitja shtazarake e Sadriut theu çdo rekord të çdo fjale dhe çdo retorike sado të ndjerë, sado fine, sado të latuar, sado genuine.
Na ishte dukur se për një mijë arsye llomotitja shtazarake e Sadriut ishte diçka e kaluar, e kapërcyer, e vjetër, e mykur, dhe si e tillë, e flakur. Jo mo jo. Llomotitja shtazarake e Sadriut i kapërceu rekordet naimiane. Llomotitja shtazarake e Sadriut është e gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë.
Të qe Sadriu ndonjë shitëz tezgash, dhe llomotitjen shtazarake ta kishte shqiptuar në ndonjë pazar rraqesh brenda ndonjë barrake mes miqsh pijetarë pas shtatë dopjo, pesë pilafa, tre llokma mishi, s’do kishte asnjë problem. Por, Sadriu nuk është shitës rraqesh. Sadriu është deputet dhe biznesmen me nam. Sadriu është aktor dhe faktor. Me llomotitjen shtazarake, Sadriu e bëri të qartë se qerrja e tij me rrota të thyera dhe kalë ngordhalaq, është ajo që, si qerreja e fundit më e ngadalta, mban peng karvanin.
O Sadri, o mbret i llomotitjes, o sulltan i imponimit, o Xhingis Khan i dhunës; Ja arrite qëllimit. Me llomotitjen tënde shtazarake na e kalle krrupën, na e fute frikën.
Nga cila kohë vjen dinosauri Sadri mbetur pa ngordhur? Cilës kohë i përket llomotitja shtazarake e Sadriut?
Me çjerrje fyti dhe ulurima të shqiptarit kundër shqiptarit, a i përket llomotitja shtazarake e Sadriut, ta zemë, kohës së kurvit?
Kurrsesi. Në kohën e kurvit, sadrinjtë partia i mësonte të mos bërtisnin, por të flisnin urtë e butë. Për të bërtitur e rrahur koha e kurvit kishte sigurimin, policinë, ushtrinë.
Po të shtyhemi pak në kohë, a është llomotitja shtazarake e Sadriut mënyrë komunikimi e kohës së mbretërisë?
Kurrën e kurrës. Deputetët e kohës së mbretërisë ishin diplomuar në Vjenë dhe Sorbonë, ishin doktoruar në Grac dhe Romë, vinin në kokë cilindër, visheshin me frak dhe papijon. Zgjebsi Sadri deri dje morracak, dhe llomotitja e tij shtazarake prej zengjini të ri, s’kanë asgjë të ngjajshme.
Ndoshta llomotitja shtazarake e Sadriut i ka rrënjët në kohën e pushtimit turk.
As te thoi i këmbës nuk i vjen llomotitja shtazarake e Sadriut elokuencës së rilindasve dhe rafinatecës së shqiptarëve të shumtë nëpunës perandorakë.
Koha e Skënderbeut, si kohë lufte dhe jo kohë llomotitjesh, nuk mund të ketë qenë gjithashtu kohë prej së cilës të jetë frymëzuar Sadriu për llomotitjen e tij shtazarake.
Llomotitja shtazarake e Sadriut, me sa duket është edhe më e vjetër, edhe më e mykur.
Llomotitja shtazarake e Sadriut ndoshta ka qënë tipike për kohën para pushtimit turk kur trualli arbnor ishte i gjithi kristian. Ç’më shkrive së qeshuri. Trualli arbnor paraturk ka qenë plot princër, princesha, kështjella, manastire, murgj, kisha, të gjitha të buta, të gjitha të ndritura për t’ja pasur zili bota, ndërsa llomotitja e Sadriut është më e zezë se zifti i zi i skëterrës më të errët.
A mund të ketë qenë antikiteti, si të thuash, gurra ku Sadriu piu, dhe me llomotitje shtazarake shpërtheu?
E pamundur. Në antikitet lulëzonte oratoria me rregulla, shkollat peripatike, akademitë, demokracia, shkencat, matematika, trigonometria, algjebra, astronomia, pra gjëra të larta, ndërsa llomotitja shtazarake e Sadriut është gjëja më e ulët që ekziston.
As kësaj as asaj kohe, i bie që llomotitja shtazarake e Sadriut nuk i përket historisë, por epokave parahistorike.
Me gjasa llomotitja shtazarake e Sadriut i ka rrënjët në epokën e bronzit, ose edhe më thellë në mjegullat e kohës, në epokën e hekurit. Llomotitja shtazarake e Sadriut është një qurre dhe një spirrë e lëngëshme e rrjedhshme e neveritshme pa asnjë lidhje me ngurtësinë e lavdërueshme të metaleve.
Llomotitja shtazarake e Sadriut është edhe më primitive, edhe më e vjetër, edhe më e egër.
Mjerë ne që duke pritur të qeverisemi nga të shkolluar të Kembrixhit dhe Harvardit, këshillat na i jep, orientimin na e sugjeron, ligjin na e bën, llomotitja shtazarake e Sadriut, ky tmerr e turp i pashembullt që Sadriu na e sjell nga koha e shpellës, gurit, drurit, litarit, hurit.

Exit mobile version