Kosova në protestë për lehtësimin e masave anti-Covid

Me moton “Me një vaksinë nuk çelë vera” dhe nën sloganin “çelma derën”, gastronomët nga e gjithë Kosova do të bllokojnë sot sheshin “Skënderbeu”.

Gastronomët do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për masat kundër parandalimit dhe përhapjes së pandemisë COVID-19. Lehtësim të masave po kërkon edhe Oda Ekonomike.

Duke e marrë parasysh numrin e rënieve të rasteve të vdekjeve por edhe të rasteve pozitive, gastronomët e Kosovës po kërkojnë nga Qeveria që të lirohen masat dhe të hapet gastronomia në mënyrë që të mos pësohen edhe më tej humbje në këtë sektorë.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë se nuk ka më kohë për të humbur pasi që numrat e të infektuarve me COVID kanë rënë dhe vera është afruar.

Ai shto se hapja duhet të bëhet tani gjatë verës dhe jo për fushata politike, apo edhe për zgjedhjet lokale.

“Më 25 maj në ora 18:00 kemi ftuar të gjithë gastronomët në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë Qeverisë së Kosovës për një protestë ose event ‘pakënaqësie’. Kufijtë janë të hapur, masat lehtësues janë krijuar në të gjithë rajonin dhe botën ndërsa ne po vazhdojmë me kufizime. Masat po i’u themi që t’i lirojnë tani kur jemi pranë remitencës dhe pranë ardhjes së diasporës dhe jo kur t’i kanë interesat e veta për fushata politike dhe për zgjedhjet lokale. Nuk është më zgjidhje me prit atë kohë, sepse tani jemi në prag të verës dhe nuk duam ta humbim edhe verën e dytë, dhe shtetet tjera të na marrin diasporën tonë. Jemi duke folur me një kohë ku jemi me më pak se 1 për qind të rasteve, jemi duke folur ku janë diku rreth 20 raste në ditë dhe në një kohë shumë më të relaksuar për hapjen e gastronomisë apo hapjen e verës. Nuk po dalim në protestë për të dëmtuar pronat e shtetit, ne po dalim të bëjmë një protestë apo event pakënaqësie e cila është një e drejtë kushtetuese e jona”.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se masat kufizuese për secilin sektor të ekonomisë duhet të largohen.

Ai thotë se ka ardhur koha që këto masa të largohen pasi, sipas tij, sot as 2 për qind e të testuarve nuk kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

“Sot, as 2 % e të testuarve nuk kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Koha që masat kufizuese për secilin sektor të ekonomisë të largohen. Koha që verën ta presim të hapur dhe me gjallërinë me të cilën karakterizohet. Turizmi veror (vizitat nga mërgimtaret) janë infuzioni i domosdoshëm për ekonominë tonë”.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të mbajë nesër një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës. Takimi do të mbahet në orën 10:00.

Në këtë takim do të diskutohet për masat anti-Covid. Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Të mërkurën në ora 10 kemi marrë një kërkesë për takim me ministrin Vitia, dhe kryetarët e komunave, zakonisht ka pas traditë që te kemi takime të tilla kur ka pas nevojë të shtrëngohen, mirëpo tash jemi dëshmitarë që numri i të të infektuarve më Covid-19 është në rënie e sipër, lakorja ka rënie drastike që është e mirëseardhur nga të gjithë kryetarët e komunave, si dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi kërkuar në takimin e fundit që kemi pas me ministrin Vitia, ku 90% e kërkesave të kryetarëve të komunave janë inkorporuar në masat e reja, dhe në atë kohë u patëm dakorduar që sa herë të ketë ndryshim të masave anit-Covid AKK, dhe kryetarët e komunave të konsultohen paraprakisht, para se të merren vendimet”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka paralajmëruar se do të ketë lirim të masave gjatë kësaj jave.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, OHT-ja ka bërë me dije se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu ka kërkuar kohë deri të mërkurën për të vendosur për lirimin e masave.

Ata kanë treguar se në takimin e mbajtur të martën me ministrin e Shëndetësisë, kanë përfshirë kërkesat e të gjitha sektorëve që përfaqëson Oda e Hotelerisë dhe Turizmit si sallat e dasmave, pishinat, estradë, dekore, dhe të gjitha sektorët tjera, e që sipas tyre takimi ka qenë në favor të tyre dhe pritet të lirohen masat që nga data 26 maj.

Qeveria Kurti II kohë më parë ka vendosur masat e reja kundër COVID-19, përmes të cilave ndalohet puna e gastronomëve dhe qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:30 deri në 05:00.

Aktualisht në vend janë 3 mijë e 551 raste aktive me COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 107.258 raste nga 593.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.240 raste të vdekjes.

Exit mobile version