Kush është Raman Pratasevich dhe pse gazetari disident “u rrëmbye” nga pushteti i Bjellorusisë?

Gazetari bjellorus Raman Pratasevich është në paraburgim policor në Minsk pas devijimit të jashtëzakonshëm të fluturimit të tij Ryanair nga Greqia, i denoncuar nga disa si një “rrëmbim nga shteti”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Pratasevich, 26, dhe shoku tjetër disident Stepan Putilo bashkë-themeluan kanalin opozitar Nexta në Telegram, i përdorur për mobilizimin e protestave në rrugë.

Nexta dhe Nexta Live tani kanë gati dy milionë abonentë, që arrijnë të sfidojnë censurën e rëndë shtetërore.

Dhe Pratasevich mund të përballet me akuza të rënda.

Siç vë në pah BBC, ai dhe Putilo – i cili e quan veten Stepan Svetlov – u futën në listën e Bjellorusisë të “individëve të përfshirë në veprimtari terroriste” vitin e kaluar.

Akuza për shkaktimin e trazirave masive parasheh një dënim deri në 15 vjet burg.

Një pasagjer në aeroplanin e Ryanair, Monika Simkiene, tha se ndërsa fluturimi ishte devijuar për në Minsk, ajo pa Z. Pratasevich në panik.

“Ai thjesht u kthye nga njerëzit dhe tha se po përballej me dënimin me vdekje”, i tha ajo agjencisë së lajmeve AFP, përcjell Telegrafi.

E dashura e tij Sofia Sapega, 23, u arrestua gjithashtu pasi aeroplani u ul në Minsk.

Ajo është një qytetare ruse dhe studente e drejtësisë në Universitetin Evropian të Shkencave Humane në Lituani.

Ekipi i vogël Nexta është i vendosur në Poloni, por gjithashtu punon ngushtë me disidentët bjellorusë në Lituaninë fqinje.

Exit mobile version