Kosovë, bizneset hasin barriera institucionale

Në tryezën e organizuar nga Instituti Riinvest “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër” janë prezantuar dhe diskutuar të gjeturat e dala nga anketimi i bizneseve në pesë sektorët më konkurrues në rajonin Qendër, përkatësisht përpunimi i ushqimit, bujqësia, teknologjia informative dhe e komunikimit, ndërtimtaria, dhe prodhimi i tekstilit. Në tryezë, në cilësinë e panelistëve, ishin pjesëmarrës Dardan Sejdiu nga Komuna e Prishtinës, znj. Vjollca Cavolli nga STIKK, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës si dhe Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani nga Instituti Riinvest. Tryezën e shpalli të hapur drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest Lumir Abdixhiku i cili ka diskutuar rreth metodologjisë dhe rëndësisë së projektit, rrjedhimisht realizimit të studimit, dhe në këtë mënyrë identifikimit të sektorëve kyç që ndihmojnë në adresimin e problemeve të papunësisë, rritjes dhe zhvillimi ekonomik, në rajonin më të madh të Kosovës. Të dhënat e nxjerra nga studimi “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër”, me theks të vecantë në 5 sektorët ekonomik të vlerësuara me potencialin më të lartë, i prezantoi drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest Alban Hashani. Sipas të dhënave të prezantuara nga Hashani, pothuaj në të gjithë sektorët, mes tjerave janë vërejtur barriera institucionale, shfrytëzim i ulët i kapaciteteve, kërkesë e kufizuar dhe e paqëndrueshme, dhe mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Dardan Sejdiu, u fokusua në punën që është bërë në Komunën e Prishtinës nga viti 2014. Në fjalën e tij hyrëse, z. Sejdiu deklaroi se që nga viti 2014, Komuna e Prishtinës u fokusua në rregullimin e tregut të ndërtimeve, duke ndaluar ndërtimet pa leje, dhe në të njëjtën kohë duke lëshuar numër rekord lejesh ndërtimi. Sipas tij, Agjensioni Austriak për Ndërtim është i gatshëm të implementojë një plan subvencionesh në vlerë 3.5 milionë euro, ngjashëm me modelin e Therandës. Sejdiu përmendi bujqësinë si një sektor me potencial të jashtëzakonshëm për Komunën e Prishtinës. Në fund, z. Sejdiu theksoi rëndësinë e konferencave dhe raporteve të tilla, dhe mundësinë për bashkëpunim ndër komunal, duke përmendur raportet politike si pengesë për bashkëpunim. Znj. Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të komunikimit të Kosovës (STIKK), diskutoi rreth gjendjes momentale në sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit, rreth sfidave dhe potencialit që ka ky sektor. Sipas saj, sektori i teknologjisë informative, është një sektor në të cilin nuk nevojiten investime të mëdha për nisjen e një biznesi të ri. Sipas saj, ky sektor i jep vlerë të shtuar të gjithë sektorëve të tjerë, pasi që sipas saj të gjithë sektorët varen në një formë ose tjetër nga teknologjia informative dhe ajo e komunikimit. Znj. Cavolli, si trend pozitiv përmendi numrin e femrave gjithnjë në rritje në këtë sektor. Berat Rukiqi, Këshilltar strategjik në Oden Ekonomike të Kosovës, deklaroi se rajoni i qendrës ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, kur kihet parasysh pozita gjeografike. Sipas tij investimet e mëdha infrastrukturore në autostrada, dhe ato në energji, përkatësisht ndërtimi i termocentralit të ri, i japin rendësi të veçante strategjike këtij rajoni. Po ashtu, z. Rukiqi theksoi rëndësinë e investimit në kapital njerëzor dhe edukim, dhe kësi soji aftësimit të fuqisë punëtore. Gjithnjë sipas tij, duhet përmirësuar reputacioni i shkollave profesionale, dhe të identifikohen profilet ku duhet investuar më shumë. Z. Rukiqi, theksoi se Oda Ekonomike e Kosovës veçse ka filluar bashkëpunimin me Oda tjera nga vendet evropiane. Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur, ku pjesëmarrës të tjerë në tryezë ishin zyrtarë të lartë të komunave të rajonit Qendër, komuna e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit, Lipjanit, Graçanicës dhe Shtimës, si dhe pjesëtarë të organizatave dhe bizneseve të ndryshme në Kosovë.

Exit mobile version