Kosovë, kushtëzimet pengojnë ligjin “Për faljen e borxheve”

Nga fillimi i zbatimit të Ligjit për Falje të Borxheve e deri më tash janë falur rreth 60 milionë euro borxhe nga 728 milionë sa kanë qenë gjithsej. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë së kushtëzimet e vendosura në këtë ligj kanë dështuar zbatimin e këtij ligji në praktikë. Ligji për Faljen e Borxheve, i cili ka filluar së zbatuari në praktikë para 11 muajsh, po konsiderohet si i dështuar, pasi që nga fillimi e deri më tash janë falur rreth 60 milionë euro nga 728 sa kanë qenë gjithsej. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave deri në fund të javës së tretë të korrikut me automatizëm janë shlyer borxhe në shumën prej 59,388,333.99 euro, ku pas pagesave janë falur borxhe në shumën prej 22,630,197,49 euro, ndërsa për borxhin e periudhës 2009-2014 janë paguar 17,871,511.05 euro. Por, kushtëzimet brenda ligjit janë njëra prej arsyeve të mosrezultateve të prekshme, shkruan sot gazeta “Zëri”. Këto vlerësime dolën në konferencën “Zbatimi i Ligjit për Faljen e Borxheve Publike- Çka pas datës 3 shtator?” të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS).

Kërkojnë shtyrje të afatit për falje
Sipas raportit Qeveria duhet që të shtyjë afatin për faljen e borxheve publike, por që duhet të bëjë edhe ndryshime në ligj që të ofrojë mundësi të reja që e mundësojnë më lehtë arkëtimin e borxheve. Ibrahim Rexhepi nga STRAS ka thënë se përmbajtja e ligjit ka qenë e mirë, mirëpo ai thotë se periudha deri në vitin 2008 nuk nënkupton amnisti fiskale, meqenëse është një falje e borxheve me kushte dhe kushtëzimi, sipas tij, ka qenë një barrë që detyruesit nuk kanë mundur të përballojnë atë, prandaj efektet, sipas tij, nuk janë ato që kanë qenë të pritura. Rexhepi ka thënë se situatë më problematike do të jetë pas skadimit të afatit të këtij ligji, ku ai thotë se Qeveria duhet të kërkojë alternativa tjera. “Kërkohet një mobilizim i madh si nga ana e kompanive, po ashtu edhe nga një armatë e përmbaruesve për të arkëtuar këto borxhe. Arkëtimi i menjëhershëm i shumë borxheve do të jetë ‘tërmet’ për qytetarët dhe bizneset sepse tërheqja e madhe e këtyre mjeteve do të detyrojë shumë biznese të falimentojnë e kjo mund të përcillet me rebelime dhe forma të tjera të kundërshtimeve, sepse nuk ka kapacitete që menjëherë të inkasohen këto borxhe”, ka thënë ai.

Dibrani: Ligji është ndër më të mirët
Ndërsa, Agim Dibrani, kryetar i Komisionit për Faljen e Borxheve, ka thënë se ligji është ndër më të mirët të mundshëm. Ai tha se nga ana e Ministrisë nuk kanë munguar informacionet se si qytetarët të aplikojnë për falje të borxheve. Por, në anën tjetër, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka thënë se edhe vetë ligji ka pasur mangësi për shkak se ligji, sipas tij, ka pasur kushtëzime. Shahini ka thënë se AKB-ja i ka dërguar Ministrisë së Financave sugjerimet që të hiqen kushtëzimet, por që ai thotë se sugjerimet nuk janë marrë parasysh. Shahini tha se bizneset private nuk kanë borxh të madh krahasuar me institucionet publike. Po ashtu pjesa më e madhe e borxheve, sipas tij, është në pjesën veriore, por që asgjë nuk është bërë në këtë drejtim nga Ministria e Financave. “Sipas sugjerimeve që ne i kemi dhënë Ministrisë së Financave qysh në fillim, ligji duhet të jetë, por jo me kushtëzime. Ndoshta ka qenë ky një nga problemet më të mëdha. Ne kemi dhënë rekomandime Qeverisë që kushtëzimet të hiqen nga ligji, nëse duan të arrijnë efekt. Kjo nuk ka ndodhur, por ndodhi e kundërta që ne sot kemi një përmbushje të këtij synimi tepër të vogël”, ka thënë ai. Ndryshe rekomandimet e raportit janë që Qeveria nëse ka vullnet të shtyjë për një kohë të shkurtër faljen e borxheve por që duhet të bëjë edhe ndryshime në ligj që të ofrojë edhe mundësi të reja që e mundësojnë më lehtë arkëtimin e borxheve. Të gjitha institucionet duhet të përdorin metodologji të njëjtë të llogaritjes, komunat të jenë më aktive edhe në tatimin e pronë, nëse shtyhet afati të gjenden modele të reja se çka të futen në ligj. Propozohet që të shpallet amnisti e përgjithshme deri në vitin 2008 pa kusht si dhe borxhet e vitit 2009 t’u afrohen dy mundësi, që nëse obliguesi juridik dhe fizik duhet të paguajë detyrimet e kësaj periudhe që t’i falen gjobat, ndëshkimet dhe interesat.

Shatri: Qeveria është dashur të ketë një analizë
Në anën tjetër, Haki Shatri, ish-ministër i Financave, ka thënë se Ministria e Financave është dashur që tashmë të ketë një analizë se cilat janë arsyet që qytetarët po hezitojnë të aplikojnë për falje të borxheve. Ai thotë se në bazë të kësaj analize mund të vijë në përfundim se cila kategori e qytetarëve nuk po aplikojnë për falje, është kategoria e qytetarëve me standard më të ulët dhe në bazë të kësaj ai thotë se Ministria e Financave mund të kërkojë nga Qeveria që të këtë plotësim-ndryshim të ligjit. “Ligji që është në fuqi duhet me u respektua dhe qytetarët duhet të përfitojnë nga ky ligj. Por Ministria e Financave duhet të dalë me një analizë pse qytetarët nuk po angazhohen me i krye procedurat dhe në qoftë se del së është një numër i madh i tyre nuk kanë mundësi janë kategori sociale atëherë ish dashtë me dal me një propozim Ministria e Financave para Qeverisë me bë një ndryshim dhe një plotësim të ligjit veç të ju mundësohet që këtyre kategorive borxhet të falen pa kushte. Mirëpo, prapa me këtë kategori mbetet një problem qysh me i shlye borxhet e reja që nuk i ka përfshi Ligji për Falje, dhe prapë ka rikthim në rrethana të njëjta”, ka thënë ai.

Exit mobile version