Fatura e koncesionit, qytetarët do paguajnë 600 milionë euro për Durrës-Kukës

Koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës do u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 600 milionë euro në 30 vitet e ardhshme. Fatura marramendëse zbulohet nga vetë dokumentet zyrtarë të tenderit. Sipas dokumenteve, kompania e shpallur fituese në tender, turkja “Vendeka Bilgi” do të arkëtojë 523.3 milionë euro nga pagesat direkte të qytetarëve që do të përdorin rrugën dhe 72.8 milionë euro të tjera si subvencion nga buxheti i shtetit. Në total shuma shkon 596.1 milionë euro. Sipas koncesionit, për 30 vitet e ardhshme çdo automjet që kalon në rrugën Durrës-Kukës do të paguajë një tarifë prej 5 euro për të përshkuar segmentin 114 kilometër të rrugës, ndërkohë që për 13 vite buxheti do i japë kompanisë 72.8 milionë euro subvencione. Dokumentet e tenderit tregojnë se, kompania e shpallur fituese “Vendeka Bilgi”, edhe pse parashikon më shumë investime, do të marrë më shumë të ardhura nga qytetarët dhe buxheti. Më konkretisht sipas dokumenteve, në 30 vitet e ardhshme, kompania fituese do të arkëtojë në total 596.1 milionë euro nga koncesioni, nga të cilat pjesa dërrmuese do të paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa 72.8 milionë euro do të subvencionohen nga buxheti i shtetit.

Hije dyshimi në tenderin për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit

Dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës vishet me dyshime. Dokumentet e tenderit tregojnë se, kompania e shpallur fituese “Vendeka Bilgi”, edhe pse parashikon më shumë investime, do të marrë më shumë të ardhura nga qytetarët dhe buxheti. Më konkretisht sipas dokumenteve, në 30 vitet e ardhshme, kompania fituese do të arkëtojë në total 596.1 milionë euro nga koncesioni, nga të cilat pjesa dërrmuese do të paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa 72.8 milionë euro do të subvencionohen nga buxheti i shtetit. Sipas dokumenteve, kjo shifër është është 175.2 milionë euro më e madhe sesa ajo që ka kërkuar konsorciumi i renditur në vendin e dytë, i përbërë nga një grup kompanish shqiptare. Dokumentet tregojnë se, “Vendeka Bilgi” do të marrë më shumë qoftë nga pagesat direkte të qytetarëve, por edhe nga buxheti. Sipas tyre, në 13 vitet që do të subvencionohet rruga, buxheti do t’i paguajë kompanisë turke 72.8 milionë euro, kur kompania e renditur e dyta kishte kërkuar gati 8 milionë euro më pak subvencione. Por çmimi nuk është dyshimi i vetëm i tenderit. Edhe procedurat pas tij ngrenë pikëpyetje. Në vendimin numër 634 të Këshillit të Ministrave përcaktohet se, çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë tenderin brenda një afati 5-ditor nga data e publikimit të fituesit. Por, edhe pse afati po përfundon, Ministria e Transporteve ende nuk e ka publikuar vendimin zyrtarisht, as në faqen e saj dhe as në atë të Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke mos lejuar kështu ankimimin e tij. Përtej këtyre dy pikëpyetjeve, dyshime ngrihen edhe me plotësimin e kritereve teknike. Dy nga kushtet kryesore të tenderit kanë qenë eksperienca e kompanisë në investime të mëdha mbi 20 milionë euro, si dhe administrimi me pagesë i një rruge me gjatësi mbi 60 kilometra. Të dyja këto kushte nuk plotësohen nga kompania fituese, sipas dokumenteve të tenderit.

Transportuesit kundër koncesionit të Rrugës së Kombit

Shoqata shqiptare e Transportuesve shprehet kundër vendosjes së pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit. Presidenti i saj, Ilir Mataj, thotë se bëhet fjalë për një taksë shtesë për çdo mjet transporti, në një kohë kur prej vitesh ata paguajnë taksën e mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo do të rëndojë jo vetëm në bilancet e shoqërive të transportit, por dhe në xhepat e qytetarëve.
”Edhe moralisht edhe ligjërisht ata transportues e kanë paguar atë rrugë sepse është thënë nga fillimi në fund se ajo rrugë u ndërtua nga lekët e shqiptarëve. Plus që edhe nga këto termat e tjerë që çdo transportues paguan taksë qarkullimi, por edhe taksë mirëmbajtje të rrugës. Kjo është një padrejtësi duke taksuar transportuesit për herë të dytë ose të tretë”, u shpreh Mataj.
Nga ana tjetër, Mataj sjell në vëmendje koncesionet e shumta të dhëna nga shteti shqiptar në dëm të qytetarëve dhe biznesit. Për koncesionin e Rrugës së Kombit ai thotë se paratë e mirëmbajtjes mund t’i paguhen shumë mirë shtetit dhe jo një kompanie private. Ndërsa thekson se shoqatat nuk është konsultuar nga qeveria për këtë koncesion, Mataj kërkon që së paku transportuesit të bëhen palë në negociatat për vendosjen e tarifave për mjetet e transportit. ”Është një kosto jo e vogël shtesë dhe nga kjo pikëpamje duhet të shihet masa e pagesës. Nëse jemi në kohë duhet të vlerësuar edhe nga kjo pikëpamje”, shtoi më tej Mataj. Shfrytëzimi i Rrugës së Kombit iu dha për 30 vjet me koncesion një kompanie turke. Deri tani është përcaktuar vetëm taksa prej 5 euro që do të paguajnë veturat për çdo kalim. Nga shtatori qeveria do të negociojë me kompaninë koncesionare tarifat që do të vendosen për kalimin e llojeve të ndryshme të mjeteve të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.

Koncesioni për Rrugën e Kombit,shoqëria civile në protestë

Pas vendimit për të dhënë me koncesion Rrugën e Kombit, që do të thotë se qytetarët duhet të paguajnë për të kaluar në të, shoqëria civile ka protestuar pranë Ministrisë së Transporteve. Ata kanë kërkuar që qytetarët të mos paguajnë për këtë rrugë, pasi ajo është ndërtuar me taksat e shqiptarëve. Protestuesit ngritën shqetësimin edhe të mungesës së një rruge alternative. ”Cenon drejtpërdrejtë interesat dhe xhepat e qytetarëve. Kjo rrugë është bërë me fonde publike, sigurisht që rrugët duhen mirëmbajtur. Por jo për ta dhënë me koncesion. Kjo taksë merret përmes taksave kombëtare”, është shprehur një qytetar. Kalimi i çdo makine në Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro.

Exit mobile version