Kosovë, ndryshimet ligjore rrezikojnë pensionet

????????????????????????????????????

Kuvendi i Kosovës mund të lënë pa pensione 529 mijë qytetarë të Kosovës. Mbi 1.3 miliardë euro të kursyera në Fondin Pensional të Kosovës, po vihen në rrezik me ndryshimet që pritet t’i bëhen, këtë vit, ligjit për pensione. Së paku kështu vlerësojnë njohësit e financave dhe shihet në vetë format e reja të propozuara për investimin e këtyre mjeteve nga qeveria e Kosovës. Më parë lejohej investimi i parave vetëm në instrumente financiare tepër të sigurta, të rankuara në bazë të vlerësimeve kreditore në shkallë AA e më lartë, ndërsa tani paratë e pensioneve parashihet që të investohen edhe në obligacione të vlerësuara “BBB-”, të cilat nuk garantojnë siguri të madhe të parave. Madje, sipas njohësve të ekonomisë, investimet në këto kategori dyshohet se shkaktuan edhe krizën globale financiare në vitin 2008.
Por, në Ministrinë e Financave të Kosovës, thonë se arsyeja e vetme e ndryshimit të Ligjit Nr.04/l-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/l-115 dhe Ligjin nr. 04/l-168, është rritja e tavanit të investimit të mjeteve të Fondit në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Arsyeshmëria e plotësim ndryshimeve ndërlidhet me kufizimet që i ka Ligji aktual. Konkretisht, neni 9.10 i këtij Ligji thotë se FKPK brenda një viti kalendarik do të investojë në Letra me Vlerë të Republikës së Kosovës jo më shumë se 50% të kontributeve bruto të vitit të kaluar. Ka një dykuptimësi sa i përket shumës vjetore të lejuar për investim – a nënkupton shuma e lejuar vjetore (i) vetëm investimet e reja, apo (ii) investimet e reja dhe ri-financimet e instrumenteve që maturojnë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhënë Gazetës Fjala. Me fjalë tjera, nëse gjatë vitit 2013 FKPK ka investuar 60 milionë euro në Bono Thesari 12 mujore (që maturojnë në 2014) dhe për vitin 2014 i lejohet investim prej 60 milionë eurove bazuar në formulën prej 50 për qind të kontributeve bruto, sipas interpretimeve më lartë FKPK do të mund të kishte portofol prej (i) 120 milionë euro (60 milionë euro të ri-financuara dhe 60 milionë euro të reja), ose (ii) 60 milionë euro (60 milionë euro të rifinancuara dhe asnjë investim i ri).
Deri më tani sipas MF-së bordi i FKPK, për të qenë në anën e sigurt të interpretimit, ka vendosur që të jetë më konservativ, gjë që ka kufizuar investimin e FKPK në Letrat me Vlerë të Republikës së Kosovës. “Prandaj, për të eliminuar këtë dykuptimësi, ka qenë e nevojshme që të bëhet ndryshimi i Nenit në fjalë në mënyrë që të qartësohet se investimi i paraparë me Nenin 9.10 parasheh investim të ri shtesë, kurse ri-financimi nuk llogaritet si investim i ri”. Në ministrinë e Financave vlerësojnë se projektligji si element kryesor ka zgjerimin e mundësive për investimin e mjeteve në letra me vlerë të Republikës së Kosovës, si dhe zgjerimin e bazës së instrumenteve tjera të lejuara për investim, në veçanti letrat me vlerë të korporatave ose institucioneve financiare ndërkombëtare, depozita të afatizuara në bankat vendore dhe ndërkombëtare, fonde investive, dhe marrëveshje të ri-blerjes.

Exit mobile version