Kosovë, marrëveshja për termocentralin, çështje e ditës

Marrëveshjet komerciale për projektin “Kosova e Re” do të finalizohen brenda ditëve në vijim. Kështu kanë deklaruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. “Përmbyllja e procesit të fazës së parë të projektit TEC ‘Kosova e Re’ pritet që të finalizohet brenda ditëve në vijim”, kanë thënë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blernad Stavileci kishte paralajmëruar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në gusht, duke thënë se marrëveshjet do t’i hapin rrugën fazës së ndërtimit për të cilën sipas tij janë të interesuara kompani me renome ndërkombëtare.
“Kosova e Re” është në secilin nga opsionet që ka vendosur qeveria në strategjinë e energjisë. Kështu edhe në Strategjinë e Energjisë 2016-2025, janë të përcaktuara pesë objektivat strategjike për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Këto pesë objektiva janë: Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësore me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabël të energjisë elektrike, integrimi në tregun rajonal të energjisë, rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror, përmirësimi i shfrytëzimit me eficiencë të energjisë, burimeve të ripërtëritshmë të energjisë dhe mjedisit sipas kërkesave të Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së.
Ndërtimi i TC “Kosova e Re” llogaritet si projekti më i madh për Kosovën. Në këtë projekt pritet të punësohen 10 mijë persona vetëm gjatë fazës së ndërtimit. Ky projekt deri më tani është përcjellë nga katër ministra. Ndërtimi i termocentralit fillimisht ishte paraparë me kapacitetet e prodhimit prej 2100 megavatësh. Ndërkohë nuk shkoi shumë gjatë dhe kapacitetet prodhuese të termocentralit u ulën në 1,000 Mw. Më vonë pësoi edhe ndryshimin e tretë në kohën kur u shpall tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat. “Kosova e Re” është përkrahur në vazhdimësi nga ekspertë të ekonomisë dhe të energjisë, ndërsa përkrahje ka marrë edhe nga Ministria e Ambientit dhe agjencitë e saj, sepse ndërtimi i këtij termocentrali do të sjellë mbylljen e TC “Kosova C”, që është ndotësi më i madh në vend. Ky termocentral që është planifikuar të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global” do të ketë kosto prej 1.5 miliardë euro.

Exit mobile version