Kosovë, në pritje të lëvizjes së lirë, pa viza

Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë. Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës. Gjatë procedimit të votimit, nga Vetëvendosje mbeti vetëm shefi i Grupit parlamentar, Glauk Konjufca. Shtatë deputetë u shoqëruan në polici, kurse të tjerë u përjashtuan apo nuk u paraqitën fare në sallë gjatë aktit të votimit. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se tani Kosova pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, “që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”.
Vendimin e Kuvendit, e ka përshëndetur edhe kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli.

“Urime dita e parë e pranverës. Sot merr fund dimri i gjatë politik dhe nga sot fillon pranvera e re për të gjithë”, u shpreh figurativisht kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka falënderuar ambasadorin amerikan, Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe LDK-në për mbështetjen që i dhanë ratifikimit të marrëveshjes. Veseli u shpreh i bindur se pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova e përmbushi kriterin kryesor të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. “Jam i sigurt që brenda vitit do të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Veseli. Zhvillimet në Kuvend, i ka përcjellur nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Ai tha se është i zhgënjyer me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, pas ratifikimit të marrëveshjes ka uruar deputetët dhe Kuvendin e Kosovës. Me qëndrime të ashpra kundër vendimit të Kuvendit të Kosovës është paraqitur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. “Sot 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës iu bashkuan tradhtisë së presidentit Thaçi dhe shkeljes së integritetit dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Kurti. Ai e ka cilësuar si shumë të dëmshëm për Kosovën ratifikimin e demarkacionit, duke e arsyetuar kështu edhe veprimin e deputetëve të partisë së tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ndërprerja e seancës me anë të gazit lotsjellës është dënuar nga pjesa tjetër e spektrit politik që përfaqësohet në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se aktet e tilla, si hedhja e gazit lotsjellës në sallën ku po zhvillohej seanca, janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimin e demokracisë. “Duke e ditur rëndësinë e seancës së sotme dhe duke qenë e vetëdijshme se koalicioni qeverisës tashmë i ka siguruar votat e nevojshme për ta kaluar këtë marrëveshje jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë dëshmoi që është po ajo e njëjta, me akte, të cilat i përsëriti pas tre vjetësh debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra. Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se votimi për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin do të marrë fund sot dhe se nuk duhet dorëzuar para akteve të tilla, sikurse hedhja e gazit lotsjellës që shkaktoi ndërprerjen e seancës. “Është fatkeqësi për vendin. Mesazhe të tilla nuk duhet t’iu dërgojmë miqve tanë ndërkombëtarë. Nuk do të dorëzohemi para kërcënimeve të tilla, para formave të tilla të prishjes së rendit të punës në seancën e Kuvendit”, ka thënë Hoti. Ndërkaq, deputeti i partisë Nisma, Milaim Zeka tha se Vetëvendosje kishte hedhur gazin lotsjellës në momentin kur e kishte kuptuar se u siguruan 80 votat për ratifikimin e demarkacionit. Sipas tij, në sallë në atë moment ishte paraqitur edhe deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, i cili është pjesë e Listës Serbe, por që kishte shprehur vullnetin ta votonte marrëveshjen. Në atë moment, sipas deputetit Zeka, Vetëvendosje kishte parandaluar procedurën e votimit përmes gazit lotsjellës.

“Personalisht mendoj që ky është turpi më i madh që po ndodh në Kuvendin e Kosovës. Ky është terrorizim i Parlamentit. Ku është gazi i botës dhe turpi i këtyre njerëzve. Do të thotë që përmes metodave më barbare, të sillesh në këtë mënyrë është turp”, tha Zeka.
Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka arsyetuar hedhjen e gazit lotsjellës në seancë duke thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje është për të mbrojtur territorin e Kosovës. “Ne kemi thënë që Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në kundërshtim të demarkacionit”, ka theksuar deputetja Haxhiu. Votimi për demarkacionin pason debatin prej rreth nëntë orëve që u zhvillua të martën në seancën e jashtëzakonshme, e cila përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë. Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova pret që Komisioni Evropian, qysh në muajin qershor, të konfirmojnë gatishmërinë e BE-së për lëvizjen e lirë, pa viza.

Exit mobile version