Në Kosovë, nëse rritja ekonomike do të matej me të thënat e krerëve të institucioneve, atëherë do të ishte një realitet ndryshe, dhe vetë udhëheqësit nuk do të kishin se pse të flisnin për një kohë të improvizuar në këtë të tanishmen. Këtë mendim ndajnë opozita dhe njohës të çështjeve ekonomike, sidomos kur i referohen deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi, nga një intervistë që javën e shkuar pati në FOL. Thaçi u deklarua se sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova është më mirë se vendet e rajonit. Kosova nuk duhet të marrë shembull asnjë vend të rajonit, sepse është më mirë se këto vende dhe duhet të punojë më shumë se sa rajoni, pati thënë presidenti i vendit. Ndërkohë, Berat Thaçi nga Instituti GAP, tha se të gjithë indikatorët ekonomik, Kosovën e vendosin në fund të gjashtë vendeve të rajonit. Kosova, siç tha ai, ka numrin më të lartë të papunësisë, të hyrat buxhetore janë më të ulëtat në rajon, po ashtu edhe investimet e huaja janë më të ulëtat në rajon. “Nëse i shikojmë shifrat në bazë të çfarë do indikatori pohimi se Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit sa i përket ekonomisë nuk është i saktë. Për arsye se nëse e marrim shembull indikatorin e të hyrave nga Bruto Produkti Vendor për kokë banori, Kosova del që është shteti me të hyrat më të ulëta në rajon. Nuk jemi as afër me qëndruar në këtë pozitë që të jemi më së miri. Në fakt jemi më së keqi në rajon. Edhe indikatorët e tjerë tregojnë se nuk jemi mirë. Nëse i shikojmë shifrat e papunësisë prapë jemi më së keqi në rajon e mos të flasim në aspektet të tjera, të cilat janë cilësia e edukimit, kualiteti i ambientit të të bërit biznes. Nga asnjëri nga këta indikatorë, Kosova nuk qëndron më së miri në rajon. Përkundrazi ne qëndrojmë më së keqi sa i përket standardit të jetës”, tha Thaçi. Sipas tij, këtë trend të rritjes ekonomike të Kosovës, duhen rreth 30 vjet për të arritur Evropën. Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, tha se Kosova ka ambientin më të pafavorshëm për investitorët e huaj dhe ata vendorë. Ligjet, sipas Krasniqit, dhe ndërhyrjet politike e kanë pamundësuar zhvillimin e ekonomik të vendit. “Të gjithë biznesmenët edhe vendorë, e mos të flasim për ata të jashtëm thonë se, procedurat e investimeve në Kosovë janë më të pa favorshmet se cili do vend tjetër i rajonit. Në këtë rrafsh, Republika e Kosovë ka ligjet e këqija, pastaj ndërhyrjet politike e kanë pamundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Krasniqi. Edhe Frashër Krasniqi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se në të gjitha raportet ndërkombëtare Kosova renditet e fundit në listën që mat zhvillimin ekonomik të vendeve.