Kostot në ndërtim në ulje por çmimet e shitjes në rritje

Kostot në sektorin e ndërtimit shënuan rënie për të tretin tremujor radhazi, duke shënuar rritje vjetore vetëm 0.4% në raport me tremujorin e fundit të vitit 2017. Sipas të dhënave të INSTAT krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vërehet se indeksi i grupit “Kosto të tjera” u rrit me 2,6%, pasuar nga grupi “Shpenzime për paga” me 2,4% dhe “Shpenzime materiale” me 1,5%. Nga ana tjetër, rënia më e madhe vjetore vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 1,9%, pasuar nga grupi “Shpenzime makinerie” me 0,5%. Në tremujorin e katërt 2017, ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017, rritje ka shënuar grupi: “Kosto të tjera” me 1,4%, “Shpenzime për paga” me 0,9% dhe “Shpenzime transporti” me 0,2%. Përpos kostove në ulje, çmimet gjatë periudhës në fjalë janë rritur me shpejtësi. Një valë ndërtimesh ka përfshirë vitin e fundit kryeqytetin dhe sipas një vëzhgimi të “Monitor”, apartamentet po shiten me shpejtësi. Kjo, së bashku me faktorë të tjerë, si taksa e infrastrukturës dhe ndërtimet më cilësore, po rrisin çmimet, që vetëm në janar u shtrenjtuan me rreth 20%. Brenda unazës është e vështirë që të gjesh sipërfaqe të vogla më pak se 100 metra katrorë, ndërsa çmimi është mesatarisht 1500 euro/ m².

Ekspertët e financave dhe Real Estate pohojnë se niveli i pagave në vend dhe shuma mesatare e kredisë që jepet nga bankat nuk e justifikojnë blerjen e apartamenteve të shtrenjta mbi 2000 euro/m² dhe me sipërfaqe të mëdha mbi 100 m², por deri në 1000-1200 euro/m² dhe sipërfaqe të moderuar. Në harkun kohor të 13 viteve, preferencat e njerëzve nuk ndryshojnë, të paktën jo për një qytet sa Tirana. Megjithatë çmimet duket se kanë kapur majat. Zonat më të preferuara për apartamentet e reja janë zona nga ish-Blloku, zona përreth Televizionit Publik Shqiptar dhe Zona e Tiranës së Re, e cila preferohet për banim, pasi është një zonë e qetë. Ndërsa zonat më të shtrenjta janë zona e ish-Bllokut, Pallatet Agimi dhe deri te stadiumi “Dinamo”. Në vitin 2005, në këto zona, çmimet e apartamenteve varionin nga 750 euro/m² deri në 850 euro/m². Aktualisht, çmimet mesatare për këtë zonë variojnë nga 1800 euro për metër katror deri në 3000 euro. Një individi për të blerë një shtëpi 1+1, do t’i duhen mesatarisht 165 mijë euro, për një shtëpi 2+1 do t’i duhen 236 mijë euro dhe për një shtëpi 3+1 (sipërfaqe 130 m²) do t’i duhen mesatarisht 283 mijë euro. Në zonën e parë përfshihen këto lagje: RTSH; Garda; ish-Blloku; Liqeni Artificial; Gjuhët e Huaja. Zona e dytë më e preferuar përfshin këto lagje: Rruga e Kosovarëve; Komuna e Parisit; Kopshti Zoologjik; Ambasada Amerikane; ish-Parku, Shkolla e Kuqe. Çmimi mesatar në këtë zonë është 1100-1800 euro (te Rruga Kosovarëve) dhe në varësi të sipërfaqes së banesës, një individi do t’i duhen 90 mijë deri në 180 mijë euro.

Exit mobile version