Krahasimi me Ronaldo “fenomenin”

Atij nuk i pëlqejnë krahasimet dhe këtë e konfirmoi edhe në konferencën e prezantimit të tij te Interit që rezultoi një show i vërtetë mediatik. Por, pavarësisht kësaj në Itali vazhdojnë të këmbëngulin se Ronaldo fenomeni dhe Gabriel Barbosa, i njohur nga të gjithë si Gabigol, kanë disa të përbashkëta. Këtë të dielë në “San Siro”, ish-lojtari i Santosit mund të bëjë debutimin e tij me Interin në ndeshjen ndaj Bolognas. Si për ironi të fatit në vitin 1997 pikërisht ndaj skuadrës kuqeblu, Ronaldo Luiz Nazario de Lima shënoi golin e tij të parë në Serinë A me fanellën e Interit.
19 vjet më pas, historia mund të përsëritet me Gabriel Barbosën sulmuesin që skuadra zikaltër e bleu për 29.5 milionë euro dhe që prezantoi pikërisht në ditën kur fenomeni Ronaldo mbushi 40-vjeç. Gabigol e di shumë mirë, që për të ndjekur rrugën e bashkëkombasit të tij ka shumë punë për të bërë, prandaj edhe ai vetë nuk dëshiron ta krahasojnë me fenomenin, sepse vështirë se bota e futbollit do të ketë sërish një Luiz Nazario de Lima.
Kur fenomeni u transferua te Interi ishte 20 vjeç po aq sa edhe Gabigol, por me ndryshimin e vetëm se Ronaldo ishte një lojtar i konfirmuar në futbollin e madh, sepse më herët kishte mbajtur veshur fanellat e PSV Eindhoven dhe Barcelonës. Te Interi, tashmë presin me padurim debutimin e sulmuesit brazilian, i cili me siguri do të aktivizohet për disa minuta në ndeshjen ndaj Bolognas. Kuqeblutë ishin viktima e parë e “Ronnie” në Itali, tifozët e Interit ëndërrojnë që historia këtë herë të përsëritet me Gabin me shpresën që ish-lojtari i Santosit të ndjekë vërtetë hapat e Luiz Nazario de Limas ose më saktë Ronaldo fenomenit.

Exit mobile version