Një shqiptar kampion në Malajzinë e largët. Është Liridon Krasniqi, fantazisti 24-vjeçar me një të kaluar në ekipet e të rinjve të Shqipërisë dhe sot pjesë e Kosovës. Është vërtet impresionuese të shohësh flamurin kuqezi të valëvitet në Azinë e Largët, në një stadium me mbi 200 mijë spektatorë. Momente të veçanta për Krasniqin që ishte protagonist me shënimin e një goli në suksesin e skuadrës së tij, Kedah që fitoi Kupën e Malajzisë, trofeun më të rëndësishëm në vend, duke mposhtur me penallti 6-5 Selangor, pasi 120 minuta kishin përfunduar në barazim 1-1.
“Jam ndier shumë mirë dhe jam krenar që e mora këtë trofe në një vend që është shumë larg Shqipërisë dhe Kosovës. Jam i kënaqur, pasi kam patur dhe përkrahjen e familjes në atë moment, ishte një ditë e paharrueshme për mua. Kam pasur përkrahjen e 200 mijë tifozëve në stadium dhe shënova penalltinë që ishte me shumë rëndësi për skuadrën time, pasi pas 8 vitesh kemi siguruar këtë trofe”.
Liridon Krasniqi tregon se në Malajzi, një vend me mbi 30 milionë banorë dhe me futboll të nivelit të lartë, po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij, por është ende në pritje të një ftese nga Kosova. Mesfushori që në të kaluarën ka luajtur me ekipet e të rinjve të Shqipërisë është grumbulluar me skuadrën e Albert Bunjakut që nga ndeshja me Haitin e deri në nisjen e eliminatoreve dhe tanimë pret të rikthehet në përfaqësuese.
“Këtu jam shumë i kënaqur, është një moment fantastik në karrierën time, pasi kam realizuar ëndrrën time këtu dhe nuk dua të ndërroj shtet pasi jam shumë i kënaqur, synimet janë të vazhdoj kështu dhe kismet jam duke prit një thirrje nga kombëtarja që ende nuk është realizuar. Jam i vendosur për Kosovën, jam që nga nisja e kualifikimeve për një thirrje prej tyre dhe ishalla realizohet pasi është pritur shumë. Unë e kam bërë timen dhe ata duhet me e bëjnë të tyren”.
Për sa i përket nisjes së eliminatoreve Krasniqi shprehet se e ardhmja për Kosovën është përpara pasi ka shumë talente në gjirin e saj dhe ka për të arritur shpejt nivelet më të larta. Një mesazh plot besim për përfaqësuesen më të re të kontinentit, “me dashuri, nga Malajzia e largët”.