Tashmë është zyrtare. Përfundon në më pak se tre muaj aventura e Frank de Boer në stolin e Interit. Klubi zikaltër bëri të ditur zgjidhjen me konsensus të kontratës me trajnerin holandez, i cili largohet kështu nga detyra. De Boer u penalizua nga rezultatet e dobëta që ka regjistruar Interi në këtë fillim sezoni, që është edhe një nga startet më të dobët në të gjithë historinë e klubit milanez. Sipas të gjitha gjasave pasardhësi i De Boer në krye të skuadrës zikaltër do të jetë ish-trajneri i Lazios, Stefano Pioli, i cili është në pole position për të marrë drejtimin e Interit.
Në ndeshjen e kësaj të enjteje në Europa League ndaj Southamptonit në transfertë, zikaltërit do të drejtohen nga trajneri i skuadrës së të rinjve Stefano Vechi, i cili është emëruar përkohësisht në krye të ekipit dhe me shumë mundësi do të jetë në stol edhe të dielën në sfidën ndaj Crotones. Disfata e fundit ndaj Sampdorias, e 7-ta në 14 ndeshje për trajnerin holandez vendosi edhe fatin e De Boer, i cili humbi përfundimisht besimin e drejtuesve të Interit. 46-vjeçari nga Hoorni është trajneri i 8-të që shkarkohet nga detyra që pas largimit të Jose Mourinhos në vitin 2010.
Fatin e holandezit e kanë patur edhe emra të tillë si Benitez, Leonardo, i cili u largua me dëshirën e tij, Gasperini, Ranieri, Stramaccioni, Mazzarri e Mancini. Klubi i Interit në komunikatën ku bën të ditur largimin e De Boer falëndron gjithashtu trajnerin holandez dhe stafin e tij për punën e bërë gjatë kësaj periudhe. Menjëherë pas shkarkimit ka ardhur edhe mesazhi i De Boer, i cili në një foto të postuar në profilin e tij në Instagram, falënderon tifozët e Interit për mbështetjen, por ndërkohë u bën të ditur drejtuesve zikaltër se ai kishte nevojë për më shumë kohë për të çuar përpara projektin që kishte nisur.
Arritja më e madhe e De Boer në stolin e Interit ishte fitorja ndaj Juventusit, por vendi i 12-të në tabelën e klasifikimit dhe vetëm 14 pikë të grumbulluara në 11 javë kampionat janë shumë pak për një skuadër si Interi dhe në këto kushte edhe pse nuk mund të jetë ai fajtori kryesor gjithmonë e paguan trajneri. Përsa i përket pasuesit të De Boer, Stefano Pioli ka fituar konkurrencën me Leonardon që ishte një dëshirë e vjetër e Massimo Morattit, pasi pronarët kinezë me sugjerimin e drejtorit sportiv, Piero Ausilio kanë vendosur t’ia besojnë stolin një italiani. Për Piolin është gati një kontratë deri në verën e vitit 2018. Ndërkohë, gjithashtu është njoftuar se në takimin e ditës së enjte në Ligën e Europës, përballë Sauthemptonit në transfertë, ekipin do ta drejtojë trajneri i Primaverës, Stefano Vechi. Ai do të jetë në drejtim të ekipit të parë deri në momentin e emërimit të trajnerit të ri.