Futbollistët e kombëtares kanë reaguar pas lajmit për eliminimin e Shqipërisë nga Euro 2016, duke thënë se dhanë maksimumin në tri ndeshjet e luajtur në Grupin A, paçka se rezultati final nuk favorizoi kalimin në 1/8-at.
Lorik Cana
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ndjehet krenar që ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare në Euro 2016, madje ai thotë se kurrë nuk ka qenë kështu. “Gjithë ky rrugëtim ishte për ne, për familjet tona, për gjithë fansat dhe mbi të gjitha për atdheun tonë!!! Kurrë më parë s’kam qenë kaq krenar të jem pjesë e kësaj kombëtare dhe të luaj me këta djem!!! Flm për gjithçka… O sa mirë me qenë shqiptar”, ka shkruar Cana në Instagram.
Burim Kukeli
“Unë jam shumë krenar që jam pjesë e kombëtares shqiptare, ne nuk e merituam që të eliminohemi. Ne kemi dhënë gjithçka nga vetja 90 minuta lojë, por ndikon edhe fati. O sa mirë me qenë shqiptar”, shkruan Burim Kukeli në profilin e tij në Facebook.
Amir Abrashi
Ndërsa Amir Abrashi ka thënë më herët se dha gjithçka për kombëtaren, por kjo nuk mjaftoi të kalonim grupin. “Ishte nder dhe krenari për mua ta përfaqësoj popullin tim në Kampionatin Evropian. Faleminderit shqiptarë”, thotë ai në profilin e tij.
Ansi Agolli
Kapiteni i kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit, Ansi Agolli, zgjodhi foton e Andi Lilës duke festuar pas fitores ndaj Rumanisë, për të ilustruar mundin dhe suksesin e tyre në Francë 2016.
“E gjithë kjo aventurë e magjishme përmblidhet në këtë foto, pikërisht në fytyrën e mikut tim Andi Lila! Punë, sakrificë, vuajtje, emocion, fitore! Tifozë, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen! Jeni adrenalina jonë!”, thotë Agolli në Facebook.
Armando Sadiku
“Kjo fitore ishte për ju. Jemi krenarë që përfaqësojmë të gjithë shqiptarët. Kjo krenari nuk do të zbehet asnjëherë, pavarësisht se ku shkojmë apo çfarë do të ndodhë. Një mesazh i veçantë për tifozët shqiptarë, që me sjelljen dhe mbështetjen e tyre në stadiume mahnitën Francën dhe të gjithë Europën, duke marrë vlerësime nga mediat më të rëndësishme kontinentale dhe botërore”, shprehet Sadiku.
“Tifozat Kuq e Zi”
Pak minuta pasi Shqipëria mësoi eliminimin nga turneu më i madh i futbollit në Europë, grupi i tifozëve të kombëtares “Tifozat Kuq e Zi”, reaguan duke publikuar një mesazh mbështetës për kuqezinjtë.
Një koment i shkurtër i publikuar në rrjetin social Facebook, në profilin “Tifozat Kuq e Zi”, falënderon kombëtaren për formën e treguar në këtë Europian. “Faleminderit luftëtarë! Jemi pafundësisht krenarë! Rrnoft Kombëtarja! Rrnoft Shqipnia Etnike!”, shkruhet në këtë profil.
Shqipëria e mbylli aventurën e saj në Francë në vendin e tretë në Grupin A me 3 pikë.
Nëpërmjet profilit zyrtar në Facebook, autori i golit historik kundër Rumanisë, ia dedikoi mbështetësve fitoren e parë të kombëtares në një eveniment madhor, ndërsa në emër të skuadrës u shpreh krenarë që përfaqëson të gjithë shqiptarët.