Rekordi, Mesi modest: “Mendoj për finalen”!

Argjentina i përmbushi të gjitha pritshmëritë, fitoi lehtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe u kualifikua në finale të Copa America Centenario. Në këtë gjysmëfinale Lionel Mesi theu rekordin e Gabriel Batistutës, duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në kombëtare, fakt që ka lumturuar edhe trajnerin Gerardo Martino.
“Zhvilluam një ndeshje të mirë si skuadër dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Futbollistët e mi nuk i dhanë asnjë mundësi kundërshtarit përgjatë 90 minutave. Mesi më ka lumturuar për faktin që e theu rekordin gjatë Copa America. Ai është i gëzuar, por më shumë mendon për skuadrën. Është bukur që futbollisti më i mirë në botë të jetë edhe golashënuesi më i mirë i kombëtares së Argjentinës”, u shpreh ai.
Ylli i Barcelonës, edhe në këtë rast, ruajti modestinë, duke kaluar në plan të dytë arritjet personale. “Jam shumë i kënaqur me rezultatin, por mendoj më shumë për ndeshjen e radhës që do të jetë finalja, se sa për rekordin personal. Duhet të falënderoj të gjithë shokët e mi të skuadrës. Sigurisht që gjatë rrugës do të dalin gjithmonë pengesa, por ne jemi shumë të fortë”, tha ai.
Për këtë sukses foli edhe Gonzalo Higuain. Sulmuesi i Napolit theksoi se Argjentina e arriti objektivin kryesor, që ishte kualifikimi në finale, por tani përfaqësuesja badhekaltër duhet të fitojë trofenë.

Exit mobile version