Shqipëria është shndërrruar në burim trafiku, krimi e korrupsioni masiv lidhur ngushtë me pushtetin. Pas vizitave rutinë të kreut të Antimafias italiane, një tjetër personalitet i rëndësishëm i antikorrupsionit italian viziton Shqipërinë. Kreu i Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit italian z. Raffaelle Cantone po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, kreu i Antikorrupsionit italian do të takohet me ministren e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj, me ministrin e Brendshëm z. Fatmir Xhafaj dhe me Kryeminsitrin Edi Rama. Në fokus të këtij takimi është bashkëpunimi mes Shqipërisë e Italisë në fushën e sistemit gjyqësor, një pikë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Gjatë vizitës dy ditore në Tiranë, Kreu i Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit italian do të marrë pjesë në seminarin e dytë dhe të fundit follow-up pas atij të mbajtur në Trieste më korrik 2017, mbi luftën ndaj korrupsionit në kuadër të Procesit të Berlinit. Dy temat kryesore që do të trajtohen në seminarin e Tiranës janë tenderat publikë dhe transparenca. Në nëntor të 2017, Kreu i Antikorupsionit italian u takua në Romë me ministren shqiptare të Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, me të cilën pritet të zhvillojë një takim të dytë pune gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.