Krimi në pushtet, vëllai i Arben Ndokës me precedentë emërohet jurist

Krimi në pushtet sa vjen dhe fuqizon pozitat e tij. Emërimet e të inkriminuarve në postet e larta publike, si dhe postet drejtuese në administratë janë shndërruar në një rrjet gjigant që ka kapur gjithë strukturat shtetërore. Dje një tjetër emërim i një të inkriminuari është denoncuar nga qytetarët e Lezhës. Bëhet fjalë për vëllain e Arben Ndokës, ish-deputetin e PS, aktualisht njeriun që përfaqëson Ramën në Lezhë e që u tërhoq nga mandati i deputetit për shkak të precedentëve penalë për trafik prostitucioni dhe narkotikësh. Vëllai i tij, Xhevahir Ndoka, ndaj të cilit rëndojnë gjithashtu precedentë penalë. Ai rezulton të jetë i dënuar në Itali për grabitje me armë e për këto akuza të vërtetuara nga drejtësia italiane ai ka vuajtur edhe dënimin me burg në shtetin fqinj. Sot, me pushtetin që Rama i ka dhënë vëllait të tij Arben Ndoka, ai është emëruar si jurist në Drejtorinë e Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë.
“Banditët marrin poste kyçe ne Banditistan! Qytetari dixhital denoncon: Emërimin në një pozicion të rëndësishëm të vëllait të Arben Ndokës, Xhevahir Ndoka, i cili është dënuar në Itali për, grabitje me armë dhe ka bërë burg së bashku me bandën e tij”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook referuar denoncimit të qytetarit nga Lezha.
Sipas denoncimit të këtij qytetari, Arben Ndoka bën ligjin në Lezhë duke emëruar njerëz të inkriminuar e duke shkarkuar njerëz që kanë punuar prej vitesh në ato poste. “Duke të uruar shëndet e jetëgjatësi si në jetë e në politikë, dua të bëj një denoncim pasi veç në faqen tënde publikohen të vërtetat e pasi veç ti e ngre zërin për kriminelët e horrat që kanë pushtuar zyrat e shtetit. Në Prefekturën e Qarkut Lezhë është emëruar nga prefekti Eduart Ndreca në pozicionin e juristit në Drejtorinë e Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit Arben Ndokës, i cili ka një të kaluar kriminale ku është i dënuar në Itali për grabitje me armë, i cili ka bërë burg së bashku me A.Gj., dhe F.F., ku këto dy të fundit janë dënuar në mungesë. Këto kanë qenë një bandë grabitësish me armë në Itali e sot Xhevahir Ndoka punon në një pozicion të rëndësishëm në zyrat e shtetit e ku ky bashkë me vëllain e vet bëjnë akoma emërimet e shkarkimet në Lezhë e ku sillen nëpër Lezhë këto kriminelë e bëjnë ligjin. I ke të gjithë me fakte dhe i njeh e gjithë Lezha se kush janë e ça kanë bërë në të kaluarën”, thuhet në denoncimin e qytetarit nga Lezha.

Exit mobile version