Banka e Shqipërisë deklaroi se kredia e re për biznesin ra me 14.6 për qind në dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në një raport të fundit, të quajtur “Tendencat në Kredim” banka vëren se rënia konfirmon kërkesën e dobët nga biznesi për financim. “Kredia e re nuk sinjalizon për rigjallërim të vazhdueshëm të kredisë për biznese ose pikë kthese në ecurinë e portofolit të kredisë. Për dy muajt e parë të vitit ajo është 14.6% më e ulët se një vit më parë për të njëjtën periudhë, duke konfirmuar praninë e një kërkese të dobët për financim nga bizneset, veçanërisht nga biznesi i madh, i cili dominon portofolin e kredisë,”- thotë raporti. Në krahasim me një vit më parë, rënia e kredisë së re ka reflektuar tkurrjen e kredisë së dhënë për nevoja likuiditeti. Pavarësisht se bankat kanë konfirmuar lehtësimin e kushteve të kreditimit për bizneset, në linjë dhe me pritjet që ato kishin, kërkesa e bizneseve mbetet e luhatshme dhe e dobët. “Kjo ecuri është e kushtëzuar nga shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese dhe hezitimi i bizneseve për të marrë përsipër rrezik,”- sqaron Banka e Shqipërisë. Sipas saj, edhe burimet alternative të financimit jashtë sektorit bankar kanë vijuar të përbëjnë një faktor të rëndësishëm për kërkesën e ulët për financim në banka.
Pritjet për tremujorin e ardhshëm
Për tremujorin e ardhshëm, bankat presin të lehtësojnë kushtet vetëm për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky është segmenti që bankat private e shohin me përparësi për t’u zgjeruar, si për shkak të shumave të vogla të kreditimit me të cilat ato ekspozohen, ashtu edhe për balancimin e portofolit të kredisë. Këto biznese janë më shumë të përfshira në sektorin e agrobujqësisë, i cili është një nga sektorët e ekonomisë që së fundi ka shfaqur kërkesë të shtuar për financim nga bankat. Bankat pohojnë se ato gjenden më afër biznesit të vogël dhe të mesëm, duke ofruar produkte që i përshtaten nevojave të këtij grup biznesi. Prandaj ato presin një përmirësim të kërkesës nga segmenti i SME-ve për tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, situata e mirë e likuiditetit të bankave, konkurrenca midis tyre dhe politika monetare kanë qenë faktorët kryesorë për lehtësimin e standardeve.
Pesimizëm për investimet
Por një tjetër lajm shqetësues sipas raportit janë pritshmëritë për kredinë që i jepet biznesit të madh. Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet e kreditimit për bizneset e mëdha priten të shtrëngohen më tej në tremujorin e dytë të vitit. Faktorët kryesorë që ndikojnë në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për ta mbeten situata e pafavorshme makroekonomike dhe rreziku i lartë i kreditimit, që lidhet si me nivelin e huave me probleme, ashtu edhe me probleme specifike në sektorë të caktuar. Në tremujorin e dytë të vitit 2016, bankat presin njëkohësisht edhe rënie të kërkesës për kredi nga bizneset e mëdha. Po kështu, kërkesë më e ulët pritet edhe për kredinë për financimin e nevojave për likuiditet dhe për atë për investime.