Thatësira e madhe e vitit të kaluar thuajse ka gjunjëzuar sistemin energjetik vendas. Instituti i Statistikave raportoi se prodhimi i energjisë në vitin 2017 shënoi një nga rëniet më të forta në histori. “Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike gjatë 2017 është 4 525 Giga Wat, duke shënuar një rënie 36,6% krahasuar me një vit më parë”, deklaroi INSTAT. Kriza e prodhimit të energjisë ka goditur jo vetëm hidrocentralet publike, por edhe ato private. Megjithatë rënia e prodhimit ka qenë më e madhe tek hidrocentralet publike që menaxhohen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. “Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për vitin 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë. Për hidrocentralet publike, prodhimi ra me 42,7%, ndërsa për hidrocentralet private dhe koncensionare rënia ishte 21,3%”, raportoi INSTAT. Rënia e fortë e prodhimit vendas bëri që Shqipëria të dyfishojë sasinë e importeve të energjisë nga jashtë gjatë vitit të kaluar. Por në vlerë, fatura u rrit më shumë se dy herë për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave zyrtare, për gjithë 2017-ën Shqipëria shpenzoi mbi 200 milionë euro për të blerë energji nga jashtë, një faturë që zhyti në krizë jo vetëm kompanitë publike të energjisë si KESH, OSHEE dhe OST, por goditi edhe buxhetin e shtetit.