Biznesi zviceran vijon që të ketë interes të ulët për të investuar në Shqipëri dhe kjo për shkak të klimës së papërshtatshme që sipërmarrja gjen. Përmirësimi i të bërit biznes dhe lufta ndaj korrupsionit kanë qenë disa nga pikat që ka ngritur Sekretarja e Shtetit zviceran për çështjet ekonomike në një intervistë për “Ora News”. “Duhet një mjedis miqësor pa korrupsion dhe me pak burokraci për të përmirësuar klimën e investimeve. Funksionimi i ligjit dhe e drejta e pronës kanë shumë rëndësi për tërheqjen e investimeve. Kemi 30 kompani në Shqipëri, por mund të kishim edhe më shumë shpresoj të ndodhë”, tha Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch. Sekretarja e Shtetit për Ekonominë ka vlerësuar Reformën në Drejtësi, pasi kompanitë zvicerane sipas saj kërkojnë zbatimin e kuadrit ligjor. “Qeveria duhet të vijojë vendosmërinë për miratimin e Reformës në Drejtësi, pasi kjo do të ofronte më shumë siguri e besim edhe për bizneset”, tha Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch. Marrëdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Zvicrës vlerësohen në nivele të ulta.
Por Sekretarja zvicerane e Zhtetit thotë se, ka hapësira për ti përmirësuar. “Marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve janë pozitive, por duhet të rriten. Aktualisht, shkëmbimet tregtare import-eksport midis dy vendeve arrijnë në 200 mln franga zvicerane. Edhe programet tona synojnë të shtojnë tregtinë midis dy vendeve. Janë produktet bujqësore që kanë interes për ne, por edhe makineri e gjithçka”, tha Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch. Edhe pse për zgjedhjen që ka bërë Zvicra nuk është pjesë e BE, Sekretarja e Shtetit ka inkurajuar Shqipërinë, por edhe Brukselin që të shpërblejë përpjekjet e bëra. “Shqiperia ka punuar shumë dhe e kemi parë me kënaqësi këtë gjë, pasi keni bërë një sërë reformash, por duhet ta vazhdoni kështu që më e mira të vijë”, tha Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch. Zvicra prezantoi në Shqipëri programin “Bashkëpunimi vazhdon”, i cili ofron asistencë për vitet 2018-2021. Ky program është rreth 100 milionë euro dhe synon përmirësimin e qeverisjes demokratike, të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.