Sektori i prodhimit dhe sidomos fabrikat kanë hyrë në një cikël krize, që po nxitet nga zhvillimet negative brenda dhe jashtë vendit.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se kostot e prodhimit janë rritur për sektorin e industrisë përpunuese në përgjithësi që nga prodhimi i ushqimeve, veshjeve etj në tremujorin e parë të vitit 2024 në krahasim me tremujorin e parë 2023.
Por nga ana tjetër, për shumë degë të industrisë në të njëjtën periudhë, çmimet e eksportit kanë ardhur me ulje, ose janë rritur më pak se çmimet e prodhimit.
Rritja e kostove me ritme më të larta se çmimet e eksportit ul të ardhurat dhe fitimet e fabrikave.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2024, çmimet e prodhimit vendas shënuan rritje me 4.4 pikë për qind, por çmimet e eksportit në të njëjtën periudhë u rritën vetëm me 0.7%.
Sipas INSTAT, në tremujorin e parë, çmimet e prodhimit në industrinë ushqimore shënuan rritje vjetore me 6.2 pikë për qind në tremujorin e parë, por në të njëjtën periudhë çmimet e eksportit i rritën vetëm me 2.6%.
Në fabrikat e tekstilit, çmimet e prodhimit shënuan rritje vjetore me 1.6% në tremujorin e parë, por nga ana tjetër çmimet e eksportit për të njëjtën periudhë pësuan rënie vjetore me -1.6 pikë për qind.
Çmimet e prodhimit në industrinë e prodhimit të letrës u rritën me 5.1%, por çmimet e eksportit u rritën vetëm me 0.2 pikë për qind nga tremujori i parë 2023-në tremujorin e parë 2024.
Përkeqësimin më të lartë mes kostove të prodhimit dhe çmimeve të eksportit e ka sektori i energjisë elektrike.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin parë të vitit 2024 çmimet e prodhimit të energjisë elektrike pësuan rritje vjetore me 12,3 pikë për qind, ndërsa çmimet e eksportit për të njëjtën periudhe ranë me -3.8 pikë për qind.
Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.
Gjatë 2023, industria shënoi rënie me 8.2%, më e madhja nga viti 2020, kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19. Nga ana tjetër, u vu re një rritje e sektorit të shërbimeve për shkak të fluksit të lartë të turistëve.
Por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.
Në kahun tjetër, industria është në një situatë të vështirë, teksa po humb avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe po goditet nga zhvlerësimi i euros./B.Hoxha/Monitor.al