Kriza në ekonomi, bizneset me xhiro në vendnumëro në 3 vite

Statistikat afatshkurtra të xhiros së bizneseve, indikatori më i hershëm i ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë për një ngadalësim të ndjeshëm afër zeros të aktivitetit të sipërmarrjeve në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum pasqyron rritje prej 0,3% në aktivitetet ekonomike të mbuluara në anketë, krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2015 ishte me rritje 1,9%. Ndikimi kryesor në këtë rënie ka ardhur nga industria nxjerrëse, që ka rënë me 36% si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve. Në rënie ka qenë dhe energjia, me -2.4%, ndërsa shërbimet janë zgjeruar me 5.5%. Aktivitetet me ecuri më të mirë janë hotelet, me rritje 24.8% dhe informacioni dhe komunikacioni me 20.3%. Ndërtimi u zgjerua me 2.9%.

Industria

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Industri” (përfshirë industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet rënie 16,9% krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 36,0%.
Referuar së njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 3,3%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” paraqitet me rënie 2,4%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin “Industri”, paraqet rritje 8,6% krahasuar me tremujorin e parë 2016. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Industri përpunuese” me 8,2%.
Aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 13,5%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” paraqitet me rënie 19,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndryshimi vjetor i volumit të prodhimit industrial në “Industri” shënoi një rënie prej 20,2%. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 30,5%. Ndërkaq, aktiviteti “Industri përpunuese” shënoi rënie prej 5,6% referuar së njëjtës periudhë krahasimore.
Gjatë tremujorit të dytë 2016, ndryshimi tremujor i volumit të prodhimit industrial shënoi rritje me 12,2% krahasuar me tremujorin paraardhës, ku ndikimin më të madh e dha grupi “Industri përpunuese” me 16,9%.
Referuar së njëjtës periudhë krahasimore, volumi i prodhimit në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi rritje prej 19,8%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” shënoi rënie 14,1%.

Ndërtimi

Në aktivitetin “Ndërtim”, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e dytë 2016 paraqet rritje prej 2,9% krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Volumi i ndërtimit paraqet rritje prej 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë.
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e dytë 2016 paraqet rritje prej 4,2% krahasuar me tremujorin e dytë 2015, shoqëruar me rritje të fondit të pagave, prej 1,1% gjatë së njëjtës periudhë.
Në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, paraqet rritje prej 22,5% krahasuar me tremujorin e parë 2016, ndërkaq volumi i ndërtimit është rritur me 25,7% gjatë së njëjtës periudhë.

Shërbimet

Në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime” shënoi rritje me 5,5% krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndikuar kryesisht nga aktiviteti “Hotele” me 24,8% dhe pasuar nga “Informacion dhe komunikim” me 20,3%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Shërbime” në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e parë 2016, është rritur 12,2%. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Hotele” me 64,0%.
Në aktivitetin “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2016, ka një rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 9,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë rritje e kanë dhënë kryesisht aktivitetet “Transport dhe magazinim” me 11,5% dhe “Tregti” me 11,2%.
Ndryshimi tremujor në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2016, paraqet rënie të numrit të të punësuarve me pagesë me 2,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2016. Në këtë rënie kanë ndikuar negativisht aktiviteti “Tregti” me 4,8% dhe pozitivisht aktivitetet “Informacion dhe komunikim” dhe “Transport dhe magazinim” respektivisht me 2,7 dhe 2,6%.
Në aktivitetin “Shërbime”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e dytë 2016, paraqet një rritje të fondit të pagave me 9,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Agjenci udhëtimi” me 33,9%.

Tregtia me shumicë dhe tregtia me pakicë e shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave

Ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e dytë 2015, në aktivitetet “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve e motoçikletave” paraqet rritje me 14,6%, ndërkaq “Tregti me shumicë” paraqet rritje me 3,4%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin “Tregti me shumicë” paraqitet me rritje 15,2%, ndërkaq aktiviteti “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” paraqet një rritje 5,0% në tremujorin e dytë 2016 në krahasim me tremujorin parë 2016.

Transport dhe magazinim (përfshirë dhe aktiviteti “Postë”)

Në aktivitetin “Transport dhe magazinim”, shifra e afarizmit në volum ka shënuar rritje me 0,8%, në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e dytë 2015.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetet “Transport dhe magazinim” ka shënuar rritje 16,2%.

Paralajmërimi i FMN për amnistinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) po mbështet Ministrinë e Financave për përmirësimin e draftit për faljen fiskale dhe pritet që të arrijnë në një konsensus. Këtë e ka pohuar për “Monitor” përfaqësuesi i zyrës së përhershme të FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke.
Pasi prezantoi një projekt të faljes fiskale në korrik, Ministria e Financave e ka lënë pezull atë, teksa FMN shfaqi disa rezerva për draftin.
“Propozimet që ne kemi dëgjuar deri tani kanë disa elemente pozitive dhe disa elemente të diskutueshme. Nuk do të preferoja ta quaja amnisti”, pohon Reinke.
FMN ka dhënë konsensusin për fshirjen e detyrimeve të pambledhshme. “Duhen procedura të qarta për fshirjen e detyrimeve që nuk mund të mblidhen më, që u përkasin bizneseve që janë mbyllur apo atyre që nuk kanë më aftësi paguese”.
Për kompanitë që janë në çështje gjyqësore me administratën tatimore, FMN rekomandon që duhen gjetur zgjidhje jashtë gjykatës.
Drafti paraprak i financave parashikonte që gjobat dhe detyrimet e para vitit 2011 do të fshiheshin pa kushte, ndërsa ato të pas vitit 2011 do të faleshin 30% së bashku me gjobat, me kushtin që të paguhej pjesa tjetër e detyrimit.
Ndërsa është dakord për fshirjen e borxheve të pambledhshme, Reinke thotë se për borxhet e pas vitit 2011 duhet të vendosim se si do të procedohet. E rëndësishme, thotë ai, është që të arkëtohen ato detyrime që janë ende të mbledhshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi tatimor është 1.4 miliardë dollarë, nga i cili rreth 350 milionë dollarë i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2011 (duhet të kemi parasysh që kjo periudhë ka pasur edhe falje të mëparshme). Pjesa tjetër, janë detyrimet e pas 1 janarit 2012.

Një amnisti e keqe ndikon negativisht tek të ardhurat

Fondi është i shqetësuar se procesi i faljes mund të ketë efekt negativ në rendimentin e të ardhurave tatimore e doganore.
“Një amnisti e zbatuar keq do të ndikojë negativisht në mbledhjen e taksave”, thotë Reinke. Ai e vë theksin në faktin që administrata tatimore duhet të jetë eficiente në arkëtimin e taksave që mund të mblidhen. “Nuk duhet të flasim për amnisti, por për fshirje të borxheve të pambledhshme”, thotë ai.

Exit mobile version