Strasburgu, “Vettingu” i KE i rrëzon Ramës dy kunetërit dhe Ina Ramën

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi sot listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por ata janë shpërfillur krejtësisht, duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të intervistohet fare.
Edhe pse nuk është bërë e ditur arsyeja e refuzimit, teorikisht hedhja poshtë e listës në bllok mund të bëhet për dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.
Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.
Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.
Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera. Gjykatësi shqiptar i tanishëm në Gjykatën e Strasburgut është Ledi Bianku, mandati 9-vjeçar, i të cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm.

Kush ishin tre kandidatët

I pari në listën e Ramës për të shkuar si gjyqtar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ishte kunati i Fatmir Xhafës, Sokol Berberi. Rama e përjashtoi këtë kandidaturë nga ndryshimet e reja të Kushtetutës dhe të mos i nënshtrohet procesit të Vetting-ut. Kur vjen puna tek kandidatura e tij për një nga gjykatat më të rëndësishme europiane, Rama e përjashton kandidatin e tij, duke shkelur me të dy këmbët ligjin dhe duke dhënë një mesazh të fortë se ai nuk ka ndërmend që të zbatojë Kushtetutën e re.
Një tjetër kandidaturë që do të shkonte në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është ajo e ish-kryeprokurores, Ina Rama. Për shërbimet e kryera gjatë kohës që ai ishte në krye të opozitës dhe veçanërisht për manipulimin e procesit të hetimit të tentativës së grushtit të shtetit të 21 janarit, Rama ka vendosur që edhe Inën ta dërgojë si kandidaturë në Gjykatën e Strasburgut. Kunati i dytë që u rrëzua nga Këshilli i Europës për në Gjykatën e Starsburgut ishte ajo e Gent Ibrahimit. Kunati i Mimi Kodhelit nuk e kaloi testin ndërkomëbatr për të dytën herë në karrierën e tij. Disa vite më parë, ai është rrëzuar me turp si i paaftë edhe nga një organizmë tjetër mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar, ndërsa kësaj here, Ibrahimi nuk arriti të futej fare as në intervistë.
Proceduart që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Europës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë.
Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.

Exit mobile version