Kryebashkiaku Frroku akuza për sabotim brenda PD në zgjedhje

Pas një furtune të vërtetë të një pjese të madhe të eksponentëve të rëndësishëm të Partisë Demokratike që po fajësojnë Lulzim Bashën si përgjegjësin e vetëm të humbjes së PD në këto zgjedhje, ditët e fundit janë shtuar shumë zërat në mbrojtje të tij.
Kështu kryebashkiaku i Lezhës dhe njëkohësisht anëtari i Kryesisë së PD-së, Fran Frrokaj ka dalë në krah të kreut të PD-së, duke sulmuar ashpër Patozin dhe Topallin.
Ai shkruan në një reagim në “Facebook” se të dy demokratët prisnin me padurim humbjen e PD-së. Reagimin ai e ka bërë në profilin e tij në FB.
Reagimi i kryebashkiakut Fran Frroku:
E përçmoj gjuhën e znj. Topalli dhe të z. Patozi. Komunikim i ulët dhe pa pikë kulture! Duhej të kishin qenë në fushatë aktive për PD, vetëm ashtu do të besohej se ju dhembset vërtet PD.
Harruan ata (e ca të tjerë) se ishin humbësit e mëdhenj më 2013 në qarqet e tyre dhe deri më 2017 u strukën pas karriges së deputetit dhe pas dorëheqjes së z. Berisha, pa mbajtur asnjë përgjegjësi?!!!
Çfarë shkoi më keq në Shkodër tani sesa kur ishte në krye të listës së Shkodrës “Zonja e hekurt”?! Them se do të vlente vërtet një analizë, por pa armiq të “brendshëm” dhe gjuhë ordinere.
Në fushatë këtyre askush nuk ua pa minimumin kontributin, për të mos thënë se mbase hanin thonjtë në prapaskenë duke pritur (!) me dëshirë e padurim këtë situatë që është edhe për shkak të prepotencës së tyre në një të shkuar jo fort të largët. Miq të dashur, mos harroni se kundërshtari (jo armiku) është z. Rama.
Për demokratët aktiv në fushatë e kisha këtë status.

Artikulli paraprakSi dështoi Rama me reformën e pensioneve
Artikulli tjetërGjana: Kritikët e Bashës u thoshin demokratëve të mos votojnë