Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Lajmin e raporton gazetarja Anila Hoxha, e cila bën të ditur se Hajdarit i është komunikuar akuza, neni 190/2 i K.Penal për falsifikimin e formularëve.
Një ditë më parë, Hajdari i shpëtoi heqjes së mandatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa sot pozita e tij është vështirësuar me komunikimin e akuzës nga prokurorët e SPAK.
SPAK e thirri Hajdarin, dy ditë pasi Prokuroria, nëpërmjet një shkrese, njoftoi se ai është dënuar në Greqi në vitin 1999, fakt që nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.
Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”. Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kjo çështje u shqyrtua një ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.