Kryeinspektori i INUV në Elbasan në mitingun e PS

Leli Kaja Kryeinspektori i INUV në Bashkinë Elbasan, i ndjekur penalisht për shpërdorim detyre është fotografuar në mitingun e Partisë Socialiste. Bëhet e ditur se, Kaja del çdo ditë në orar të punës dhe jashtë orarit të punës dhe bën fushatë për Partinë Socialiste, ndonëse është e ndaluar me ligj. Kaja, i cili ka shumë vite në këtë pozicion pune, është nën hetim.
Në Qarkun e Elbasanit të gjithë zyrtarët e administratës marrin pjesë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi para pak ditësh drejtuesit e administratës në Librazhd, duke nisur nga prefekti, tek drejtori i Spitalit Librazhd dhe drejtori i Pyjeve të Qarkut të Elbasanit. Duke iu referuar mesazhit të qytetarit dixhital, ish-Kryeministri thotë se zyrtarët kanë shkelur ligjin elektoral.
“Qytetari dixhital denoncon shkeljen e rëndë të ligjit elektoral nga prefekti i Librazhdit, drejtori i Spitalit të Librazhdit dhe drejtori i Pyjeve të Qarkut të Elbasanit. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Denoncim për drejtuesit kryesorë të administratës shtetërore Librazhd, që kanë shkelur udhëzimin e Kryeministrit ku brenda orarit zyrtar kanë shoqëruar kandidatin për deputet të PS, Enver Shkurti në takime elektorale. Emrat; Prefekti Librazhd, Enver Koçi, drejtori i Spitalit Librazhd, Bledi Hima dhe drejtori i Pyjeve të Qarkut Elbasan, Fatmir Brazhda”, shkruan qytetari nga Librazhdi.

Ja si Drejtoria Arsimore detyron mësuesit të bëjnë fushatë për PS

Drejtoria Arsimore në Qarkun e Gjirokastrës ka detyruar mësuesit të bëjnë fushatë për Partinë Socialiste. Drejtoresha e DAR, Lindita Rova ka organizuar një drekë me mësueset dhe kandidatet e PS për deputete, gjoja me rastin e mbylljes së vitit mësimor. Denoncimi është bërë nga kandidati i PD në Gjirokastër, Tritan Shehu. Shehu shkruan se drejtoresha e DAR, Lindita Rova ka ftuar 350 mësuese në një drekë, me justifikimin e mbylljes së vitit shkollor, por në këtë drekë do të marrin pjesë edhe disa kandidate të PS.
“A po përdoret Drejtoria e Arsimit të Gjirokastrës në fushatë elektorale? Drejtoresha e DAR Zj. Lindita Rova kërkon të “ftojë” me detyrim nesër ora 14:00 në Terihat për drekë të gjitha mësueset e juridiksionit të saj, rreth 350, gjoja për mbylljen e vitit shkollor. Përshembull, në Libohovë këtë “ftesë” po e përcjell me imponim Zj. Elsa Gogo, mësuese dhe anëtare e KZAZ për PS. Si rastësisht në këtë drekë thuhet se do të “duken” edhe kandidate për deputete të PS!
Eshtë hera e parë që organizohet një “drekë” e tillë, që çuditërisht është programuar 4 ditë para zgjedhjeve. Zj. Lindita duhet të na sqarojë se kush e sponsorizon këtë “drekë”; nuk besoj se drejtoresha me rrogën e saj mund ta përballojë këtë”, shkruan Tritan Shehu në një reagim në Facebook! Shehu io kërkon urgjentisht Ministrisë së Arsimit të veprojë konform rregullave.

Administrata e gjitha në fushatë

Kandidati i PD për deputet në Gjirokastër, Roland Bejko, ka denoncuar në një konferencë shtypi të mbajtur mesditën e djeshme, përfshirjen e administratës publike në tubimet elektorale. Përfshirja e tyre është e dukshme gjatë dhe pas orarit të punës, është shprehur Bejko, ndërkohë që ka kërkuar nga kundërshtarët politikë në garën elektorale PS dhe LSI, korrektësi.
Bejko ka shuar çdo hamendësim për një koalicion të mundshëm paszgjedhor me PS apo dhe me LSI. “Nuk ka koalicion me këto dy forca politike që janë përgjegjëse për rrënimin e ekonomisë shqiptare në këto katër vite”, u shpreh Bejko. “Objektiv i Partisë Demokratike është të jetë forcë e parë. Republika e re do të bëhet për rininë dhe shpresën e qytetarëve. Ne do t’i japim fund turizmit politik të deputetëve”, tha ai. Bejko ka apeluar tek qytetarët të mos bien pre e blerjes së votës pasi siç tha ai, si ai që e ofron votën kundrejt vlerës monetare edhe ai që e shet, dënohen me burg.
Kandidati Bejko, ka falenderuar pjesëmarrësit e mitingut të së hënës ku ka qenë i pranishëm lideri i opozitës Lulzim Basha, nga ku u përcollën mesazhe të vrasjes së frikës së qytetarëve, ndaj pushtetit. “Mbi të gjitha refuzoni frikën, sepse ora e drejtësisë po afron dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për krimet që kanë bërë. Ata janë të përkohshëm, por fitorja e Republikës së Re do të jetë e përhershme”, ka përfunduar Bejko.

Exit mobile version