Morën pjesë në fushatë, MAS procedon 10 zyrtarë

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për 10 drejtues arsimorë për shkak se kanë marrë pjesë në fushatë zgjedhore. Në njoftimin për shtyp thuhet se, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, po vijon monitorimet në të gjithë vendin pranë drejtorive rajonale arsimore dhe zyrave arsimore, si dhe në institucionet e tjera të varësisë.
Në zbatim të ndryshimeve të fundit të Kodit Penal dhe në masat e parashikuara nga VKM nr. 473, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është kryer dje, më datë 20.06.2017, përcjellja e informacioneve të verifikuara në terren pranë organit të Prokurorisë, për përgjegjësen e Zyrës Arsimore, Kavajë, Sonila Peza, mbi dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes në fushatë zgjedhore.
Gjithashtu pranë Komisionit Disiplinor për verifikimin e shkeljeve ligjore po përcillen shkeljet e përsëritura dhe të bëra publike më parë, të cilat janë regjistruar dhe verifikuar për fillimin e procedimit disiplinor ndaj drejtuesve apo përfaqësuesve të institucioneve arsimore, si më poshtë vijon: Përgjegjëses së Zyrës Arsimore Kavajë; Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Bulqizë; Përgjegjës i Zyrës Arsimore Has; Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Lezhë; Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Kurbin; Përgjegjës i Zyrës Arsimore Gramsh; Drejtor i shkollës Iballë, Fushë Arrëz; Drejtor i shkollës Gorre, Lushnjë; Drejtor i shkollës, Nepravishtë, Gjirokastër; Drejtor i shkollës së mesme, Gramsh.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkon nga të gjithë punonjësit e administratës arsimore të vijojnë të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat dhe veprimtaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, përfundon njoftimi për shtyp.
Një ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Sportit kallëzoi në polici ish-sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Plarent Ndreca për hyrje të paautorizuar të tij në ambientet e ministrisë. Kallëzimi është bërë në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë. Urdhri i ministres Karabina për pezullimin e menjëhershëm ndaj Ndrecës është në fuqi dhe asnjë institucion tjetër shtetëror nuk cenon vlefshmërinë e aktit të pezullimit të miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit, shkruhej në njoftimin e ministrisë.
“Hyrja e ish-sekretarit të Përgjithshëm të MAS në mënyrë të jashtëligjshme në ambientet e MAS është vijim i akteve të jashtëligjshme të kryera prej tij gjatë kësaj periudhe. Insistimi i tij për të pasur akses në zyrat e MAS dhe presioni i ushtruar në administratë vë në diskutim vlefshmërinë e akteve të nxjerra nga ky institucion dhe cenon dhe komprometon dokumentacionin e protokolluar. I bëhet thirrje strukturave shtetërore të vlerësojnë denoncimet e bëra nga ana e MAS dhe të ndjekin procedurat ligjore për marrjen në ruajtje të institucionit shtetëror për të siguruar normalitetin e punës”, vijonte reagimi i MAS. Disa ditë më parë, pasi ishte pezulluar, Ndreca ka hyrë me forcë në ministri. Plarent Ndreca është futur fshehurazi në zyrë bashkë me dy persona të tjerë për të fshirë serverin që po hetohet nga Prokuroria, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë. Denoncimi është bërë nga një zyrtar i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i cili tha se ndjehej i kërcënuar nga Ndreca dhe banditët e tij.

Exit mobile version