Kryemadhi: Haki Droga ndalo kriminelët

Është intensifikuar lufta mes LSI-së dhe PS-së me deklarata të ashpra nga të dyja kampet.
Këtë herë në shënjestër është vënë drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili sipas LSI-së nuk po ndalon kriminelët, të cilët po përfshihen në fushatë duke dhunuar simpatizantët e LSI-së.
Këtë herë është zv/kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që ka hedhur akuza ndaj kreut të policisë.
Ja çfarë shkruan Monika Kryemadhi në Facebook:
Kanë mbetur edhe 9 ditë nga fitorja e uraganit, frika e falangave të krimit në Policinë e Shtetit ka nisur të godasë militantët dhe drejtuesit e LSI. Çdo tentativë për të na frikësuar është e kotë, sikundër edhe një herë i them Haki Drogës se është mirë të ndalojë kriminelët që lëvizin me makina policie dhe jo të dhunojë ata që rregullojnë muret e shtëpive të tyre.
Të arrestojë të kërkuarit nga Interpoli dhe jo të keqtrajtojë mbështetësit e LSI.
Të arrestojë hajdutët e bankave, paratë e të cilave po i përdorin për fushatë, të fusë në burg trafikantët e kanabisit dhe krerët e policisë të përfshirë në këtë trafik.
Por Haki Droga nuk e bën këtë, sepse i tmerruar nga mitingu i LSI, po përdor çdo mënyrë e çdo mjet për të goditur forcën e parë të zgjedhjeve të 25 qershorit. Duke harruar që e ka të kotë, sepse përballë të rinjve çdo intrigë apo sulm është vetëm një përpjekje qesharake dhe e dështuar.
Sepse të rinjtë e Shqipërisë besojnë te LSI, tek alternativa e saj dhe askush, sado kriminelë apo para të pistë të ketë grumbulluar nuk mund të përballet me forcën e tyre. Ndaj sot më shumë se kurrë uragani i fitores është në kulmin e tij i pashqetësuar nga cingërrimat e Haki Drogës dhe falangave të tij që do të marrin përgjigjen që meritojnë vetëm pas 9 ditësh.

Exit mobile version