Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka bërë deklarata të forta kundër Kryeministrit Edi Rama pasi doli nga Kuvendi, ku u zhvillua seanca e jashtëzakonshme. Vasili tha se procesi i “vettingut” u vonua në mënyrë të panevojshme dhe përgjegjës për këtë bëri “Rilindjen”, që sipas tij “ka futur kriminelë në Kuvend”. Lidhur me deklaratat e Ramës pasditen e së premtes nga Kuçova, i cili u bëri thirrje policëve të marrin pjesë në fushatë pas orarit të punës, Vasili tha se kryeministri bëri “faj të rëndë publik dhe penal”. “Një ngjarje e rëndë ku kryeministri i bëri thirrje policisë, thirrje që në rekordet politike s’ekziston as në kohët e diktaturës. Kjo do të thotë që vendi të mbetet pa polici. Duhet të mbledhë vota policia e paanshme për Rilindjen. Rendi dhe siguria të kompromentuara. Ka elementë që bien ndesh me ligjin”. Kryetari i LSI për të vënë në dukje se sa e rëndë ishte kjo deklaratë e Ramës shtoi: “Kemi me qindra nëpunës që janë larguar dhe u është hequr buka e gojës për një foto në FB”. Pasi u njoh nga gazetarët se Rama kërkoi falje për apelin që u bëri policëve për përfshirje në fushatë pas pune, Vasili tha se ky është një “qëndrim hipokrit”. Kryetari i LSI-së tha se Rama, gjatë katër viteve qeverisje, vetëm ka qeshur dhe nuk ka bërë punë.