Kryemadhi: Sot të gjithë shqiptarët që Edi Rama kërkon t’u rrëmbejë lirinë e shprehjes janë së bashku

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi se ‘liria e shprehjes dhe demokracia në vend ndodhen në buzë të greminës’. Kryemadhi tha se, paketa anti-shpifje e Ramës është një paketë anti-shprehje.

“Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpreh qëndrimin edhe njëherë të qartë për sa i përket paketës anti shprehje që Edi Rama ka çuar në Parlament. Liria e shprehjes dhe demokracia në Shqipëri sot gjenden në buzë të greminës. Edi Rama kërkon që të jetë e vetmja gojë që flet në Shqipëri. Ai tashmë i ka shpallur luftë çdo të vërtete, ngado që vjen ajo, nga goja e një qytetari, nga një media apo nga një politikan. I gjithë opinioni ndërkombëtar tashmë është shprehur qartë, OSBE dhe Këshilli i Europës. Pra nga një paketë anti- shpifje e cila trumbetohet nga Edi Rama dhe falangat e tij, nuk mbetet gjë tjetër veçse të cilësohet si paketa anti-shprehje.

Edi Rama dënon çdo qytetar që kërkon të informohet nëse banesa e tij është e qëndrueshme apo e pa qëndrueshme pas tërmetit. Edi Rama dënon dhe arreston çdo qytetar që kërkon të informohet për sigurinë e jetës së saj. Edi Rama kërkon të dënojë dhe të arrestojë çdo portal dhe drejtues portali nëse denoncon korrupsionin, grabitjen apo mashtrimet e tij. Edi Rama kërcënon dhe kërkon të dënojë e arrestojë çdo politikan që denoncon korrupsionin dhe trafikun e tij”, tha Kryemadhi.

Ajo shprehu mbështetje për protestën e gazetarëve, ndërsa shtoi se çdo betejë ndaj të vërtetës, është betejë e humbur nga Rama.

“Sot të gjithë shqiptarët që Edi Rama kërkon t’u rrëmbejë lirinë e shprehjes, janë të gjithë së bashku, pasi gjithsecili ka se çfarë të thotë për këtë qeverisje të kriminalizuar dhe të korruptuar, pasi çdo e vërtetë që del sheshit, tregon qartë se përse shqiptarët braktisin Shqipërinë e tyre dhe se përse Shqipëria është në një mjerim ekonomik. Sepse Edi Rama dhe oligarkët e tij s’kanë të ngopur me paratë e shqiptarëve.

Mbështetja jonë është totale, qoftë për njerëzit e mediave, qoftë për përfaqësuesit e saj dhe për këdo që lufton për lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është ajo që bën ndarjen e demokracisë nga diktatura dhe kjo është një betejë e humbur e Edi Ramës, si çdo betejë që është e humbur përpara së vërtetës. Asnjë kompromis nuk ka dhe nuk do të ketë në këtë princip të shenjtë që bën ndryshimin midis njerëzve të lirë dhe skllevërve”, tha Kryemadhi.

 

Exit mobile version