Zgjati “gjendjen e emergjencës” për të shpëtuar mandatin e vet, dënohet me vdekje ish-Presidenti i Pakistanit

Një gjykatë në Pakistan, e dënoi të martën me vakej ish-udhëheqësin ushtarak, Pervez Musharraf, nën akuzat për tradhti dhe shkelje të kushtetutës.

Pervez Musharraf, i cili mori pushtetin pas një grusht shteti në vitin 1999, është jashtë Pakistanit dhe nuk ishte i qasshëm për të komentuar vendimin e një gjykate kundër terrorizimit. Ai e kishte rrëzuar atëbotë qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Nawaz Sharif, të cilin ai më vonë e internoi në Arabinë Saudite së bashku me familjarët e tij.

Akuzat lidheshin me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2007, derisa po përballej me kundërshtimet në rritje ndaj sundimit të tij.

Më shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të gjitha liritë qytetare, njerëzore dhe proceset demokratike ishin pezulluar nga nëntori i vitit 2007 deri në shkurt të viti 2008.

Ai dha dorëheqje më vonë në vitin 2008, pasi që partia që e mbështeste atë, doli shumë keq në zgjedhjet e përgjithshme dhe që atëherë ai më shumë ka qëndruar jashtë vendit.

Muajin e kaluar ai publikoi një videoregjistrim nga një spital në Dubai në të cilin tha se nuk i është ofruar gjykim i drejtë në rastin e ngritur kundër tij nga qeveria pakistaneze në vitin 2013.

Ekspertët ligjorë në Islamabad, thanë se Pervez Musharraf mund të sfidojë vendimin në Gjykatën e Lartë.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se gjenerali Pervez Musharraf mori pushtetin në vitin 1999 nëpërmjet një grushti shteti, ndërsa më pas u emërua president i Pakistanit nga viti 2001 deri në 2008-ën. Sipas mediave, aktualisht ish-Presidenti pakistanez ndodhet në Dubai pasi është larguar nga vendi i tij në vitin 2016 për trajtim mjekësor.

Exit mobile version