Kryeministri më analfabet në 104 vjet histori duhet larguar

“Procesi i vetingut duhet të jetë një proces shqiptar”, u shpreh dje Berisha në Parlament, duke kërkuar me ngulm që opozita nuk do të mund të përjashtohet kurrë nga një proces i tillë. “E doni reformën? Hajdeni silleni këtu ta bëjmë sipas nenit 88 dhe ne ta votojmë që nesër. Doni ta fusni në dorë drejtësinë, por kjo s’do të ndodhë kurrë. Ne jemi garant absolut që kjo s’do të ndodhë kurrë. Dhe ua them edhe një herë, përsa i përket ligjeve Venecia për ne është qeveria e të gjitha qeverive, sepse është institucioni i përzgjedhur nga të gjitha qeveritë e Bashkimit Europian, sepse është institucioni i përzgjedhur dhe nga qeveria e SHBA, sepse John Kerry në këtë vend deklaroi raporti sipas Venecias. Por juve një herë ju pëlqen Venecia pastaj deklaroni një Venecie tjetër. Jo, jo. Venecia ka folur, aty janë rekomandimet dhe ne i qëndrojmë plotësisht atyre. E doni reformën? Vazhdoni me propagandën e mashtrimeve. Kjo është një gjë e neveritshme. Ju po e bllokoni Reformën në Drejtësi”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri ka ftuar deputetët e mazhorancës që të votojnë nenin 88 të rekomandimeve, ashtu sikurse e ka kërkuar Komisioni i Venecias.
“Kryeministër që i tregon kryetarit të opozitës vijën e kuqe. Por kjo nuk ekziston as në Europë e botë. Një Kryeministër që tregon vijën e kuqe heq maskën, tregon se është antireformë. Tregon se ka frikë si djalli nga temjani nga reforma. Dhe bën lodra, një herë e fut në rendin e ditës e një herë e heq nga rendi. Po s’janë serioze këto. Shqiptarët po e kuptojnë që Edi Rama është pengesa kryesore e reformës. Shqiptarët po e kuptojnë se sarajet e Surrelit janë pengesa kryesore e reformës, shqiptarët po e kuptojnë se pallati pa asnjë faturë ndërtimore, financiare e bankare është pengesa kryesore e reformës dhe se lidhjet e pazgjidhshme të politikës me kriminelët janë pengesa kryesore. Ndaj le të bien maskat. Nëse doni reformën urdhëroni ta votojmë sipas nenit 88 të Venecias. Nëse doni ta pengoni? Atëherë kundërshtojeni dhe bëni ça të doni, betime e stërbetime, thoni sa të doni se kemi mbështetje këtu e aty, se absolutisht ne nuk lëkundemi nga qëndrimi ynë dhe ne nuk votojmë kurrë një reformë që t’i japë një njeriu në dorë drejtësinë”, tha Berisha.

Kë nuk ndërsyet për të blerë vota

Ish-Kryeministri ka denoncuar përpjekjet e bëra nga Rama për blerjen e votave të deputetëve dhe në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen për të rrëzuar qeverinë në një revolucion demokratik, pasi vendi po rrëshqet drejt një krize të gjithanshme.
“U bëtë gazi i botës. Kë nuk ndërsyet për të blerë vota. E turpshme. Unë e kam theksuar dhe e theksoj me bindjen më të plotë për çdo deputet që kjo s’do të ndodhte kurrë, por përpjekjet tuaja janë të shëmtuara. Përpjekje që detyruan Parlamentin Europian të reagojë. Kurrë ndonjëherë një deklaratë kaq e turpshme nuk është bërë për një vend, që të mos blihen vota. Ndaj dhe ju bëj thirrje të mos e pengoni Reformën në Drejtësi. Bëjuni burra, pranoni reformën qoftë dhe verdiktin e drejtësisë për ato që keni bërë. Se çdo politikan duhet të ketë të paktën një nanogram integritet dhe të pranojë vendimin e ligjit mbi veten, kurse ju edhe këtë nuk e keni. I nënshtroheni një njeriu që jeton me aurat e sukseseve imagjinare të paqena, që jeton me gënjeshtrat e tij, që po rrokullis këtë vend çdo ditë. E morët vesh lajmin e fundit? Rënien në pikiatë të investimeve të huaja. Kam dalë disa herë këtu dhe ju kam thënë të mos rrihni gjoksin me investimet e kontraktuara nga Sali Berisha. Po ju lëshojnë dhe ato, se u bënë dy vitet e para. U blenë dhe tubat e TAP-it, u ndërtua dhe Banja. Kanë rënë 40% investimet këtë vit dhe vitin tjetër ju garantoj se do të jenë 80%. Po pse? Sepse në historinë e këtij vendi, që kur është themeluar shteti shqiptar deri sot, nuk ka patur një kryetar ekzekutivi më analfabet se Edi Rama në ekonomi. A e keni dëgjuar që përmend çdo ditë që thotë krenar me këtë e krenar me atë. Ky krenar me shkarravinat e tij, ky krenar që s’di një fjalë në ekonomi, ky krenar që s’di ç’do të thotë investim përveçse të gllabërojë, ky krenar që s’di ç’do të thotë zhvillim, por vetëm të shkatërrojë, ky krenar që s’di ç’do të thotë reformë, por vetëm antireformë. Ky krenar duhet të ikë!
U bëj thirrje shqiptarëve që në një revolucion të vërtetë demokratik me të gjitha mjetet e mosbindjes civile t’i japë fund Kryeministrit më analfabet që ka patur historia e Shqipërisë në 104 vite të pavarësisë së saj!”, u shpreh Berisha.

Të konstituohet Komuna e Tuzit

Ish-Kryeministri ka lëshuar një thirrje në drejtim të autoriteteve të Malit të Zi, kryetari i Parlamentit të të cilit përshëndeti dje punimet e Kuvendit në Tiranë. Berisha ka kërkuar nga autoritetet malazeze që të konstituojnë Komunën e Tuzit.
“Do të them dhe dy fjalë. Sot ne miratuam këtu marrëveshjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe kjo është shumë e drejtë, ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Malin e Zi, por dhe për Shqipërinë dhe për rajonin. Kam qenë gjithnjë i bindur se pavarësia e këtij vendi e ka bërë më të lirë Ballkanin dhe e kemi mbështetur me të gjitha mundësitë. Uroj dhe dëshiroj që Komuna e Tuzit, e cila ka qenë një premtim, pastaj i bllokuar nga një vendim i padrejtë në Gjykatë Kushtetuese, të konstituohet, të bëhet konstituimi i saj sepse kjo komunë nuk cenon aspak demokracinë, përkundrazi forcon demokracinë e Malit të Zi dhe është një premtim që Milo Djukanoviç bëri para referendumit në të cilin shqiptarët luajtën një rol shumë të rëndësishëm. Unë e ftova këtu ndonëse jam i bindur se kjo qeveri apartide, kjo qeveri e zero problemeve me fqinjët nuk zgjidh gjë, kjo shkon deri në albanofobira. Dua t’ju bëj një pyetje. A nuk u rrënua një lagje e tërë shqiptarësh, ‘Lagjja e Trimave’ në Kumanovë nga granatahedhësit dhe predhat nga barbarët? Po si nuk u kujtuat ju të jepni një qindarkë? Po jo shqiptarë, por edhe maqedonas po të ishin duhet të jepnit një dhuratë për të ndërtuar ato shtëpi, pale që ato ishin shtëpi të shqiptarëve. Aty kishin vetëm një synim, absolutisht spastrimin etnik të Kumanovës pa tjetërkund se ca aventurierëve u ngeli skenari në dorë dhe nuk e çuan më tutje. Ju jeni qeveri e zero problemeve, është e kotë t’ua thuash këtë, por unë s’mund të mos ua them këtë”, u shpreh Berisha në Parlament.

Ironia e Berishës: Rama, autor i golit dhe trajnues i De Biazit

Ish-Kryeministri ka irozinuar dje në Parlament delirin e Ramës për t’u shfaqur pas çdo suksesi të kombëtares, ndërsa ka uruar skuadrën për lojën e zhvilluar në tri ndeshjet e Kampionatit Europian.
“Do të shfrytëzoj sot këtë rast të përshëndes ekipin e kombit, i cili kthehet pasi realizoi në garën më të fortë të kontinentit europian tri ndeshje dinjitoze, realizoi tri ndeshje në të cilat, në mendimin e përgjithshëm nuk mori atë që meritonte. Por, fitoi emër, fitoi reputacion që kurrë ndonjëherë nuk e ka patur, zgjoi simpati të madhe në publikun sportdashës evropian dhe botëror, por dhe në elitën mediatike dhe drejtuese të sportit në Europë dhe në botë.
Me këtë rast një përshëndetje të përzemërt dua t’iu jap fansave kuq e zi, të cilët sot kthehen kampionë të Europës dhe botës, me energjinë e tyre të jashtëzakonshme pozitive që rrezatuan në stadiumet e Francës dhe rrugët e qyteteve të saj, me bukurinë e spektaklit që dhuruan, e vërteta është se nuk mund ta mohoj edhe bukurinë e racës që përfaqësuam. Këta janë elita e bashkimit kombëtar, janë energjia pozitive, janë simbloi tjetër i bashkimit të kombit në të ardhmen e tij më të ndritur. Këta janë guximtarë, janë njerëz të sakrificës. Po kështu, edhe ekipi është ekipi i kombit. Uroj që mafia transnacionale e futbollit të mos pengojë në të ardhmen, por përkundrazi të vendosë në interesin më të madh të kombit shqiptar, që ekipi kombëtar të jetë gjithnjë ekip i kombit.
Por zoti Kryetar, unë do t’i bëj një përshëndetje të përzemërt autorit të golit të ekipit kombëtar Edvin Kristaq Ramës. Harrojeni që nuk e ka bërë golin ai, goli është i tij. Por jo vetëm goli, prisni se i ranë mediat në qafë i thanë na kopjove shqiponjën, na kopjove modelin. Por ai nuk është vetëm autor i golit, por është autor edhe i De Biazit, ai e gjeti, ai e solli, ai e mësoi, ai e trajnoi, ai e bëri Gianin të jetë ky që është sot. Ndaj dhe le ta përshëndesim dhe një herë njeriun e sukseseve imagjinare, njeriun që jeton dhe beson gënjeshtrat e veta. Nuk ishte ky qëllimi kryesor i fjalës time, por nuk mund të kaloja këtë moment”, tha Berisha.

Exit mobile version