Kryeministria si bordello, policia heton ‘punëmarrësin’

Policia e Tiranës bëri të ditur se ka nisur hetimet për një menaxher reklamash, i cili ka mashtruar tre vajza duke u premtuar shuma të mëdha parash dhe një vendi pune në Kryeministri, në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Sipas policisë, hetimi ka nisur pas kallëzimit të një 45-vjeçareje, e cila është mashtruar për punësim në Kryeministri në këmbim të seksit. Nuk dihet se kush është në realitet personi që do të punësonte vajza në Kryeministri në këmbim të seksit, ndërsa policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e tij. Por policia nuk po kryen asnjë hetim për shfrytëzimin e femrave për prostitucion në Kryeministri. Është folur se ka patur edhe persona nga brenda Kryeministrisë që u premtonin vajzave punësim në këmbim të seksit apo të parave.
Mashtrimi për punësim femrash në Kryeministri në këmbim të seksit ka nisur vetëm pak ditë pas miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017, ku Rama do të punësojë rreth vetes së tij 641 punonjës të rinj, duke rritur në shifra marramendëse buxhetin për Kryeministrinë. Për vitin 2017, Rama ka në dispozicion për të shpenzuar gjithsej 3.8 miliardë lekë ose rreth 27.6 milionë euro. Punësimet shtesë në Kryeministri po bëhen nga Rama vetëm për të evidentuar arritjet e qeverisë dhe për të goditur cilindo që kritikon në rrjetet sociale Ramën, qeverinë dhe ministrat e tij.
Shumica e të punësuarve do të jenë femra dhe nisur nga ky fakt, kanë vërshuar edhe mashtrimet në rrjetet sociale për punësime në këmbim të seksit. Ky fakt bëhet edhe më joshës për femrat e mashtruara, pasi krahas luksit edhe rrogat në Kryeministri janë të majme.
Rasti i mashtrimeve të menaxherit të reklamave që është denoncuar nga një femër, pasi asaj dhe 3 vajzave të tjera u ishte premtuar punësim në Kryeministri, nuk është i vetmi. Ka patur edhe raste të tjera të publikuara në rrjetet sociale, ku të rinjtë u premtonin femrave punësim në Kryeministri në këmbim të seksit.
Zyrtarët e Ramës i kanë kthyer zyrat e shtetit sikur të jenë bordello. Gjatë qeverisë së “Rilindjes” janë publikuar disa skadale seksuale me ministra, drejtorë e kryetarë bashkish siç ishte rasti i ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. Opinioni publik është shokuar nga skandalet seksuale të zyrtarëve të “Rilindjes” ka shprehur neveri ndaj kësaj qeverie që krahas korrupsionit, dhe pasurimit të zyrtarëve me taksat e shqiptarëve i kanë kthyer zyrat në bordello.
Mjaft video skandali janë publikuar, ndërsa disa të tjera janë paralajmëruar se do të publikohen, por mbahen për presion nga zyrtarë brenda qeverisë ndaj ministrave të Ramës. Këto skandale që kanë tronditur opinionin publik po shfrytëzohen edhe nga mashtruesit, duke u premtuar femrave punësime në Kryeministri apo ministri të ndryshme në këmbim të seksit.
Skandali është zbuluar pak ditë më aprë pasi një person u kërkonte sekse femrave në këmbim të një vendi pune në Kryeministri. Nëpërmjet një profili të rremë me emrin Denisa Strakosha, në rrjetin social Facebook, dyshohet se një person kontaktonte vajza të reja dhe më pas u ofronte që të merrnin pjesë në reklama. Pasi komunikonte me vajzat, ky profil i rremë në Facebook, për t’i bindur vajzat që të kryenin marrëdhënie seksuale u ofronte edhe vend pune në Kryeministri. Personi hiqej si femër dhe u thoshte vajzave se do të qëndronin me menaxherin për disa orë, në këmbim të shumave prej 1200 euro, por edhe do të përfitonin vend pune në administratë.

R.POLISI

Exit mobile version