Rud Gulit, ish-ylli i Milanit, Çelsit dhe kombëtares holandeze, i nxjerr kartonin e verdhë Pol Pogbasë: “Pogba po kalon të njëjtën fazë si Memfis Depaj. Pol mund të jetë futbollisti më i shtrenjtë në botë, por kjo nuk ka fare rëndësi, nëse ai e kalon kohën e tij duke kuruar stilin, ngjyrën e flokëve dhe veshjet në rrjetet sociale”.
Gulit nuk mendon se francezi është duke jetuar jetën e një futbollisti për të cilin është paguar shifra rekord e 105 milionë eurove. Depaj u transferua pak ditë më parë te Lioni, pasi dështoi në “Old Trafford” dhe Gulit këshillon Pogbanë që të mësojë prej gabimeve të shokut të tij:
“Pol duhet të pyesë Memfisin dhe ai do ta kuptojë se të jesh i suksesshëm dhe të arrish në majë në Angli është e mundur vetëm nëse luan mirë çdo javë dhe i dedikon gjithçka karrierës sate. Memfis u kritikua ashpër, sepse ai vlerësonte më të rëndësishme kurimin e imazhit të tij sesa përmirësimin e futbollit. Ai duhet ta dinte se ajo që prodhohet në fushë është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Pogba do të ngjallë edhe zemërimin e tifozëve. Njerëzit do të nisin të ankohen dhe do t’i përvishen”.
Ish-sulmuesi i Fejnordit dhe PSV-së e fton 23-vjeçarin që të marrë shembullin e Ibrahimoviçit: “Edhe për yjet më të mëdhenj të futbollit në botë, ka një rregull të rëndësishëm: të luash mirë për klubin tënd është kryesori dhe asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se kjo. Kjo është këshilla ime për të. Ai e ka shembullin perfekt. Ai është Ibrahimoviç. Nëse rezultatet e Junajtid kanë ndryshuar kohët e fundit, kjo është vetëm falë tij dhe përgjegjësive që Zlatan ka marrë”.
Ndërkohë, trajneri portugez i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, njihet për veprimet e tij të çuditshme dhe shpeshherë mjaft të bujshme. “Shpikja” e tij e radhës ka të bëjë me fëmijët që mbledhin topat jashtë kufijve të fushës gjatë ndeshjeve të skuadrës së Mançesterit në stadiumin “Old Trafford”.
Që prej ndeshjes me Liverpulin, rreth e rrotull fushës së stadiumit të Mançesterit do të jenë futbollistët e skuadrës U-16 të Junajtidit që do të mbledhin topat. Historikisht këtë detyrë e bënin fëmijët që i viheshin në dispozicion klubit nga Fondacioni “Mançester Junajtid”, por Murinjo tashmë e ka thyer këtë traditë.
Këtë vendim ai e ka sqaruar me faktin se fëmijët që vinin nga fondacioni ishin shumë të ngadaltë në veprimet e tyre për të rikthyer topin në lojë dhe në këtë mënyrë e penalizonin skuadrën në aksionet sulmuese.