Raiola kërkon 10 milionë euro në vit për Donaruma

Rinovimi i kontratës me portierin Gianluigi Donnarumma do të jetë çështja kryesore, të cilën pronarët e rinj të Milanit do të duhet të zgjidhin. Agjenti i futbollistit, Mino Raiola po mendon t’i bëjë një kërkesë Milanit në lidhje me rinovimin e talentit kuqezi. Sipas tabloidit britanik “The Sun”, shifra që pretendon Raiola për klientin e tij është 190 mijë euro në javë, ose e thënë ndryshe 10 milionë euro në sezon, një shifër kjo që është tej mase e lartë për arkat e klubit milanez, me këtë të fundit që ndjen hijen e disa klubeve evropiane që kërkojnë shërbimin e Donnarummës, ku spikat emri i Manchester United.
Ndërkohë, futbolli italian është tronditur nga një tjetër ngjarje aspak pozitive. Skuadra e Serisë D, Folino, është përjashtuar nga çdo lloj aktiviteti futbollistik për këtë vit me një direktivë të njësisë Antimafia në Prefekturën e Peruxhias. Ky vendim u komunikua nga Liga Kombëtare Amatore dhe më pas Federata Italiane vendosi që edhe skuadrat e moshave të Folinos të ndalojnë aktivitetin e tyre.
Gjithçka lidhet me faktin që presidenti i klubit, Xhanluka Ius, u arrestua bashkë me persona të tjerë disa ditë më parë dhe është nën akuzë për disa krime si pastrim parash, faturim fals dhe mashtrim ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ditën e sotme Folino nuk u lejua të zbriste në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat dhe të gjitha ndeshjet në vazhdim do t’i humbë me rezultatin 3-0.

Exit mobile version