“Ku e mori drogën? Vetë e montoi lëndën eksplozive”- Abuzimet e rënda me detyrën, Altin Dumani i zbulon shkeljet e kryeprokurorit Erjon Shehaj: KPA ta shkarkojë

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin e kryeprokurorit të Lezhës, Erjon Shehaj, pasi listoi shkeljet e këtij të fundit.

 

Altin Dumani, i cili përfaqëson Institucionin e Prokurorit Publik në këtë seancë, është shprehur se Erjon Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore, duke mos sekuestruar kamerat e sigurisë.

“Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erjon Shehaj”, u shpreh në seancë drejtuesi i SPAK, i cili ka marrë kompetencat e Institucionit të Prokurorit Publik pas përfundimit të procesit të vettingut.

Gjatë renditjes së shkeljeve të Kryeprokurorit të Lezhës, Altin Dumani u ndal tek disa çështje të hetuara nga Erjon Shehaj, në të cilat sipas tij janë konstatuar shkelje.

Altin Dumani deklaroi gjatë seancës në KPA se Shehaj nuk ka kryer hetime për një rast të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, duke favorizuar pozitën e te akuzuarit.

Ndërsa për një çështje të 2017, sipas kreut të SPAK, rezulton se 2 persona janë dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale.

Altin Dumani trajtoi edhe çështjen e arrestimit të një personi që është kapur me hashash e lëndë plasëse

“Shehaj e ka dërguar për gjykim dhe personi është dënuar me 6 vite burg.

Për këtë çështje janë kërkuar shpjegime nga ana e KPK dhe Shehaj ka dhënë shpjegimet e tij

KPK ka thënë që për denoncimin nuk u  gjetën indicie për të hetuar, por kolegji duhet të hetojë në këtë drejtim.

Në këtë dosje nuk janë bërë hetime, ku e mori drogën personi, ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprës penale të kryer në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë duhet provuar?

Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët”, deklaroi Altin Dumani.

Exit mobile version