Kuestori italian: ‘Ndrangheta dhe mafia shqiptare, fytyra e re e krimit në Milano

Bruno Megale është në krye të Shtabit të Policisë së Milanos prej rreth 1 viti. I lindur në Reggio Calabria në vitin 1966, Megale konsiderohet si një nga ekspertët më të mëdhenj të antiterrorizmit. Në fillim të karrierës së tij ai punoi për 10 vjet në Brescia dhe ishte drejtor i “Digos” në Milano, por edhe komisar policie në Caltanissetta, më i riu në Itali.

“Në Milano, gjithçka shitet”

“Grabitjet e mëdha apo sulmet politike terroriste të viteve ’70 dhe ’80, nuk ekzistojnë më”, – thotë Megale i intervistuar nga gazeta e përjavshme italiane “Famiglia Cristiana”. “Në këtë kontekst po shfaqen realitete të reja kriminale përveç ‘Ndranghetës, veçanërisht të fshehta, siç është mafia shqiptare” – thotë ai në intervistë.

“Milanoja është gjithashtu qyteti i 300 mijë studentëve universitarë që ndjekin 9 universitetet e pranishme, të barabarta me 17.8% të banorëve. Kjo do të thotë se nuk ka më vetëm 4 ose 5 zona për argëtim në mbrëmje siç kishte deri pak kohë më parë”.

Kjo sipas Megale bën që në Milano të “shitet gjithçka: kokainë, droga sintetike, pilula të të gjitha llojeve, droga etnike si shaboo, një metamfetaminë sintetike e fuqishme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe shumë problematike. Edhe disa droga që kishin dalë nga moda, si heroina, po rikthehen”.

“Droga qarkullonte edhe në dy anët e stadiumit San Siro”

“Ka rrugë të ndryshme. Kur unë isha komisioner policie në Reggio Calabria mbaj mend që shpesh na është dashur të merremi me portin e Gioia Tauro, i cili përveç aktiviteteve normale tregtare funksiononte edhe si një qendër për mbërritjen e kokainës në dispozicion të ‘Ndranghetës. Në vitin 2023, u sekuestruan 23 ton kokainë në Kalabri. Natyrisht, jo të gjitha ishin të destinuara për në Itali, por kjo na tregon fuqinë e organizatës. Trafiku i drogës është ende motori ekonomik i krimit këtu në Milano.

Droga qarkullonte gjithashtu në dy anët e stadiumit San Siro, objekt i hetimeve tona të koordinuara nga Zyra e Prokurorit, rreth vrasjes së Bellocco, një figurë kryesore në ‘Ndrangheta. Hetime që çuan në dhjetëra arrestime. Baza e tifozëve ultras është dominuar nga këto grupe të cilët, përmes dhunës, kanë marrë përsipër të gjitha mundësitë e biznesit që ofronte vetë stadiumi”, – tha ai.

“Tani ‘Ndrangheta po lëviz edhe përmes kriptovalutave”

“Milano nuk është Gotham City: është një metropol kompleks, ku krimet, falë veprimit të përbashkët të policisë, po zvogëlohen. Nuk ka lagje ku policia nuk arrin, kontrolli i territorit është i përhapur. Mafia ka përfituar nga kriza e bizneseve tregtare për shkak të Covid për t’u futur në strukturën prodhuese përmes të ardhurave të mëdha të trafikut të drogës.

Ata kanë marrë dyqane, kanë blerë kompani në vështirësi, kanë depërtuar në shumë sektorë produktesh. Tani ‘Ndrangheta lëviz edhe përmes kriptovalutave. Në Shtabin e Policisë kemi një seksion të veçantë që heton këtë lloj trafikimi” – thotë ai.

Exit mobile version