Nga Neli Demi
Ka disa vende që nuk duhen prekur, dhe disa dhimbje që nuk duhen zbukuruar.
Spaçi është një nga ato vende. Një nga ato dhimbje.
Prej disa ditësh, në emër të një filmi që pritet të xhirohet mbi atë realitet, në burgun famëkeq të Spaçit është ndërhyrë në mënyrë të pakonsultuar, duke suvatuar, duke lyer me gëlqere, duke “restauruar” në mënyrë të pamend një vend që s’është ndërtuar për të qenë i bukur, por për të kujtuar të shëmtuarën. Jo për ta fshehur atë.
Akoma më tronditës është fakti se ky veprim po ndodh, sipas vetë regjizorit, mbi bazën e një dakordësie verbale me Kryeministrin. Pa një vendim institucional, pa konsultim me të mbijetuarit, pa përfshirje të qendrave përkujtimore, pa asnjë reflektim etik mbi atë çfarë përfaqëson Spaçi në ndërgjegjen e shqiptarëve.
Po jetojmë në një vend ku mungon drejtësia restauruese dhe pikërisht për këtë, kujtesa është kthyer në spektakël, në fasadë, në shfaqje e jo në ndërgjegje. Aty ku duhej të niste një proces dëgjimi, drejtësie, përuljeje ndaj viktimave, ne vendosim dora vetë: shtrojmë çimento, lyejmë me bojë, pastrojmë dhimbjen si të ishte një korridor ministrie që do vizitohet nga delegacioni i BE që sapo iku.
Por Spaçi nuk është dekor.
Spaçi është dëshmi. Dhe çdo ndërhyrje në të, sidomos pa etikë dhe pa proces, është një formë e re e dhunës ndaj së vërtetës historike.
Kjo nuk është një çështje që prek vetëm të mbijetuarit e atij kampi. Prek secilin prej nesh që kërkon t’i japë një kuptim asaj që ka ndodhur. Sepse një shoqëri që nuk është përballur me të shkuarën e saj me ndershmëri, është një shoqëri që gjithmonë do ta ketë të përgjakur të ardhmen. Nga mosbesimi, nga relativizimi moral, nga mungesa e një themeli të përbashkët mbi të cilin mund të ndërtojmë.
Dikur, Spaçi ishte vend ku fjalët e lira burgoseshin, ku idealet shtypeshin, ku dinjiteti ndëshkohej. Sot, po rrezikon të bëhet vend ku e shkuara zhvishet nga peshat e saj për t’u bërë subjekt filmi, objekt fasade, referencë propagande.
Në një vend ku nuk ka pasur asnjëherë një gjyq publik për krimet e diktaturës, ku askush nuk ka kërkuar ndjesë, ku nuk ka një Muze Kombëtar të Përndjekjes, të prekësh Spaçin pa ndjeshmëri është një akt i turpshëm i harresës së organizuar.
Le ta themi qartë dhe ta bërtasim fort:
Nuk ka kujtesë të vërtetë pa drejtësi. Dhe nuk ka drejtësi pa dëgjim të viktimave.
Çdo tentativë tjetër është zbukurim i krimit.
Ne kemi nevojë për një përballje me të shkuarën që nuk fillon me kamera, por me heshtje. Me përulje. Me dëshmi.
Vetëm atëherë, arti do të mund të thotë diçka të vërtetë.
Vetëm atëherë, gëlqerja nuk do të jetë më një mjet zbukurimi, por një përkujtim i së bardhës së munguar në faqet e errëta të historisë.
U bëj thirrje institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe çdo qytetari me ndërgjegje historike:
• Të ndalet menjëherë çdo ndërhyrje në vendet e përndjekjes pa një proces të konsultuar dhe transparent.
• Të nisë puna për një kuadër ligjor që mbron vendet e kujtesës si trashëgimi morale dhe kulturore e shoqërisë shqiptare.
• Të krijohet një muze kombëtar i vuajtjeve të diktaturës, që nuk i zëvendëson me asgjë dëshmitë autentike si Spaçi, por i vendos në një rrëfim të ndershëm kombëtar.
• Të ngrihet një komision etik për vlerësimin e çdo projekti artistik që prek drejtpërdrejt vendet e dhimbjes historike, për të siguruar që arti të mos bëhet maskë për harresën.
Sepse përpara se të bëjmë art mbi të shkuarën, duhet të jemi të sigurt se jemi përballur me të. Me gjithë dhimbjen e saj.