Kuja profetike

Edison YPI

Në shtëpinë e Eqerem Bej Vlorës kishin mbetur vetëm 15 shërbëtorë. Aq hyzmeqarë mund t’i sillnin Bejlereshës Vjosën. Megjithatë Zonja vuri kujën; Bo-bo si jemi katandisur. S’ka kush na sjell një gotë ujë.
Kaluan 20 e kusur vjet.
S’mbeti hyzmeqar t’i sillte një gotë ujë ndonjë Beu, se hyzmeqarët u bënë të gjithë ministra dhe nëpunësa.
S’mbeti Bej t’i sillte ndonjë hyzmeqari një gotë ujë, se Bejlerët përfunduan të gjithë nëpër burgje dhe pushkatime.
Kuja e Bejlereshës kishte qënë profetike; Pa bejlerë, hyzmeqarë, gota, ujë, Shqipëria u bë shkretëtirë.
Megjithatë “bejlerët dhe agallarët” në veshët e shumicës së shqiptarëve të sotëm tingëllon si “djajtë dhe xhindët”.
Po cilët ishin, në të vërtetë, bejlerët e Shqipërisë ?
Ishin “barinjtë” më të mirë të Historisë së saj.
Të vetmet infrastruktura urbane për së mbari, administratë dhe rend publik serioz, i bëri një Bej, që ishte edhe Mbret.
I gjithë mendimi iluminist është përpunuar dhe përcjellë prej Bejlerëve.
Pothuaj të gjithë rilindasit shqiptarë ishin Bejlerë.
Poeti më i madh rilindas ishte një Bej.
Eqerem Bej Vlora ishte eruditi dhe atdhetari më i madh i kohës së vet, dhe një nga më të mëdhenjtë e Historisë së Shqipërisë.
Dëshmitë historike më të besueshme të periudhës më problematike të Shqipërisë moderne, i ka dhënë pikërisht Eqerem Beu.
Konservativi më i ndritur, i biri i Bejlereshës së kujës profetike, deputet i Partisë së Mbretit, pranonte dhe respektonte gjithçka institucionale, edhe harbutërinë në Parlament.
Eqerem Beu, vendin e tij dhe popullin e tij, i donte dhe i sundonte.
Ta sundosh atë që do, dhe ta duash atë që sundon, për shumicën e shqiptarëve të sotëm, është paradoks, nuk bën sens.
Derisa pohimin e mësipërm ta kuptojnë dhe ta pranojnë, shqiptarët do vuajnë.
Shqipëria ka nevojë për barinj të mirë, pra për bejlerë.
Kot lodhen parellinjtë e sotëm t’i konkurrojnë Bejlerët. Nga Eqerem Beu tek gjyshi im që e ka mbushur Shqipërinë me kopilat e tij, janë të pa konkurrueshëm.
Para se ta pushtonte hordhia e komunistave, në raport me popullsinë Shqipëria kishte aq Bejlerë, Agallarë, Zotërinj, fukarenj, hyzmeqarë, sa kishin të gjitha vendet përreth saj.
Pa u rivendosur ky raport, s’bën hajër Shqipëria.
U bëtë të gjithë hyzmeqarë dhe të gjithë bejlerë. I provuat të dyja, dhe përpikmërisht sipas profecisë së Bejlereshës, nuk i dhatë dot asnjë gotë ujë njëritjetrit.
Kujtoni kujën profetike të Zonjës.
Vini në krye Bejlerët.
Pa Bejlerë, ju hedh në erë tritoli, ju grin korrupsioni, ju përpin fukarallëku, ju zhduk nga faqja e dheut krimi në familje. Pa Bejlerë nuk mund të arrini kurrkund. Pa bejlerë nuk bëni dot asnjë hap. Pa Bejlerë do ngordhni.

Exit mobile version