Dosjet zbulojnë pasuritë e fshehura të 140 politikanëve dhe zyrtarëve publikë nga e gjithë bota
Udhëheqës aktualë dhe të së shkuarës që zbulohen nga dokumentet përfshijnë kryeministrat e Islandës dhe Pakistanit, presidentin e Ukrainës dhe mbretin e Arabisë Saudite
Më shumë se 214 mijë kompani të regjistruara në parajsa fiskale zbulohen nga rrjedhja, kompani që rezultojnë të lidhur me njerëz në më shumë se 200 vende dhe territore
Bankat më të mëdha të botës kanë udhëhequr krijimin e kompanive që shërbejnë për të fshehur paratë
Rrjedhja masive e dokumenteve ekspozon pronat e fshehta të 12 udhëheqësve aktualë dhe ish udhëheqësve të shteteve dhe zbulon se si bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të Rusisë Vladimir Putin fshehën më shumë se 2 miliardë dollarë përmes llogarive bankare dhe kompanive sekrete.
Rrjedhja ofron gjithashtu detaje të marrëveshjeve sekrete financiare të më shumë se 128 politikanëve dhe zyrtarëve publikë nëpër botë.
Arkiva me 11.5 milionë dokumente tregon se si industria botërore e kompanive ligjore dhe bankave të mëdha sigurojnë privatësi financiare për politikanët, mashtruesit, trafikantët e drogës si dhe miliarderëve, njerëzve të famshëm dhe yjeve të sportit.
Këto janë mes gjetjeve kryesore të një investigimi që vijon prej një viti nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung dhe mbi 100 organizatave të tjera të medias.
Dokumentet zbulojnë kompanitë e fshehta nën pronësinë e kryeministrave të Islandës dhe Pakistanit, mbretit të Arabisë Saudite dhe fëmijëve të presidentit të Azerbajxhanit.
Ato përfshijnë gjithashtu edhe së paku 33 njerëz dhe kompani të vendosura në listën e zezë të qeverisë së SHBA-ve për shkak të provave se ato janë përfshirë në shkelje, të tilla si të bërit biznes me padronët e drogës së Meksikës apo organizata terroriste si Hezbollah e shtete diktatoriale si Koreja e Veriut dhe Irani.
Një nga këto kompani furnizoi me karburant avionin që qeveria e Sirisë përdori për të bombarduar dhe vrarë mijëra nga qytetarët e vet, sipas akuzave të autoriteteve amerikane.
“Këto gjetje tregojnë se sa thellë janë të ndërlidhura praktikat e dëmshme me kriminalitetin në botën e parajsave fiskale,” tha Gabriel Zucman, një ekonomist në Universitetin e Berklit, Kaliforni dhe autor i “Pasuria e Fshehur e Kombeve: Mallkimi i Parajsave Fiskale.” Zucman, i cili u informua mbi investigimet e medias, tha se zbulimi i dokumenteve të rrjedhura duhet të shtyjë qeveritë të vendosin “sanksione sekrete” kundër juridiksioneve dhe institucioneve që krijojnë sekretin e parajsave fiskale.
Udhëheqës botërorë të cilët kanë bërë fushatë me platforma antikorrupsion, shfaqen në dokumentet e rrjedhura. Dosjet zbulojnë kompani të fshehta të lidhura me familjen e udhëheqësit të Kinës Xi Jinping, i cili është betuar të luftojë “ushtritë e korrupsionit” si dhe presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko, i cili e ka pozicionuar veten si një reformator në një vend të tronditur nga skandale korrupsioni. Dosjet përmbajnë gjithashtu detaje të reja për biznese të kryera nëpër parajsa fiskale nga babai i ndjerë nga jeta i kryeministrit të Britanisë David Cameron, një udhëheqës që po kërkon reformë në lidhje me parajsat fiskale.
Të dhënat e rrjedhura mbulojnë gati 40 vjet, nga 1977 deri në fund të vitit 2015. Ato mundësojnë të shohësh si kurrë më parë botën e parajsave fiskale – duke treguar ecurinë ditë pas dite të rrjedhjes së parasë së errët nëpër sistemin botëror financiar, i cili ushqen krimin dhe vjedh buxhetet e vendeve nga të ardhurat fiskale.
Shumica e shërbimeve të industrisë së parajsave fiskale është i ligjshëm nëse përdoret nga ata që respektojnë ligjin. Por dokumentet tregojnë se bankat, kompanitë e konsulencës juridike dhe lojtarë të tjerë shpesh kanë dështuar të ndjekin kërkesat ligjore që nevojiten për t’u siguruar që klientët e tyre nuk po merren me aktivitete kriminale, po fshehin taksa apo po pastrojnë produktet e korrupsionit politik. Në disa raste, dosjet tregojnë se sekserët e parajsave fiskale kanë mbrojtur veten dhe klientët e tyre duke fshehur transaksionet e dyshimta apo duke manipuluar dokumentet.
Dokumentet bëjnë të qartë se shumica e bankave të mëdha janë udhëheqëse pas krijimit të kompanive që fshihen në parajsa fiskale si Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja apo parajsat e tjera fiskale. Dosjet rendisin gati 15,600 dokumente kompanish të cilat bankat i kanë krijuar për klientët që dëshirojnë t’i mbajnë financat e tyre të fshehta, përfshirë gjigandët ndërkombëtarë të bankingut si UBS dhe HSBC.
Të dhënat paraqesin një model manovrash të fshehta të kryera nga bankat, kompanitë dhe njerëzit e lidhur me presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Të dhënat tregojnë kompani të fshehura në parajsat fiskale të lidhura me këtë rrjet që lëviz para në transaksione të mëdha që arrijnë në deri 200 milionë dollarë me një dorë. Shokët e Putinit fshehën pagesat, krijuan dokumente me datë të vjetër dhe fituan ndikim të fshehtë në industrinë e medias dhe të makinave të këtij vendi.
Një zëdhënës i Kremlinit nuk iu përgjigj pyetjeve për këtë lajm, por doli në publik më 28 mars me akuzat se ICIJ dhe partnerët e saj mediatikë po përgatisnin një “sulm informativ” kundër Putinit dhe njerëzve pranë tij.
Të dhënat e rrjedhura – të cilat u analizuan nga një skuadër prej më shumë se 370 gazetarësh nga 76 vende – vijnë nga një kompani pak e njohur por shumë e fuqishme konsulence ligjore me bazë në Panama, Mossack Fonseca, e cila ka degë në Hong Kong, Majemi, Zyrih dhe 35 vende të tjera nëpër botë.
Kjo është një nga kompanitë më të mëdha në botë për krijimin e kompanive guackë, struktura korporative që mund të përdoren për të fshehur pronësinë e një aseti. Dokumentet e brendshme të kësaj kompanie që rrodhën në media përmbajnë informacion mbi 214,488 kompani të lidhura me njerëz në më shumë se 200 vende dhe territore. ICIJ do të publikojë listën e plotë të kompanive të lidhura me to në fillim të majit.
Të dhënat përfshijnë emaile, raporte financiare, pasaporta dhe të dhëna të tjera të korporatave, të cilat zbulojnë pronarët sekretë të llogarive bankare dhe kompanive të regjistruara në 21 parajsa fiskale, nga Nevada në Singapor apo në Ishujt e Virgjër Britanikë.
Duart e Mossack Fonseca gjenden në tregtinë e diamanteve të Afrikës, në tregun ndërkombëtar të artit dhe biznese të tjera që lulëzojnë në sekret. Kompania ka shërbyer aq shumë mes familjeve mbretërore të Lindjes së Mesme sa mund të mbushë një pallat me dokumente. Ajo ndihmoi dy mbretër, Mohammed VI të Marokut dhe Mbretin Salman të Arabisë Saudite që të blinin jahte luksi.
Në Islandë, dokumentet tregojnë se si kryeministri Sigmundur David Gunnlaugsson dhe bashkëshortja e tij kishin nën pronësi një kompani sekrete që mbante miliona dollarë në bankat e Islandës në bonde gjatë krizës financiare të këtij vendi.
Dosjet përfshijnë emrin e një pastruesi parash të dënuar, i cili pretendon se ka organizuar një kontribut të fshehtë për fushatë elektorale që u përdor për të paguar hajdutët e Uotergejtit, 29 miliarderë nga lista e Forbes me 500 njerëzit më të pasur si dhe yllin e kinemasë Jackie Chan, i cili pati së paku gjashtë kompani të menaxhuara përmes kësaj kompanie të konsulencës ligjore.
Ashtu si edhe me shumë klientë të Mossack Fonseca, nuk ka prova që të sugjerojnë se Chan i përdori kompanitë e tij për qëllime të këqija. Pasja e një kompanie të regjistruar në një parajsë fiskale nuk është e paligjshme. Për disa transaksione ndërkombëtare biznesi, ajo është një zgjedhje e logjikshme.
Por dokumentet e Mossack Fonseca gjithsesi sugjerojnë se klientët e kësaj kompanie përfshijnë njerëz të skemave piramidale, trafikantë droge, evazorë fiskalë dhe së paku një person të dënuar për krim seksual. Një biznesmen amerikan i cili u dënua sepse udhëtoi në Rusi për të bërë seks me jetimë nën moshë firmosi dokumentet për një kompani në parajsë fiskale ndërkohë që po vuante dënimin në një burg në Nju Xhersi.
Dosjet përmbajnë detaje të reja mbi skandale të mëdha nga vjedhja më famëkeqe e arit në Angli në akuzat për ryshfet në FIFA, organizmi që menaxhon futbollin ndërkombëtar.
Dokumentet zbulojnë se kompania ligjore e Juan Pedro Damiani, një anëtar i komitetit të etikës së FIFA-s, kishte marrëdhënie biznesi me tri njerëz të cilët qenë akuzuar në një skandal të FIFA-s – ish zëvendëspresidenti i FIFA Eugenio Figueredo dhe Hugo e Mariano Jinkis, babai dhe djali të akuzuar se kishin paguar ryshfet për të fituar të drejtat e transmetimit televiziv për ndeshjet e futbollit të Amerikës Latine. Të dhënat tregojnë se kompania ligjore e Damiani në Uruguaj përfaqësonte një kompani të fshehtë të lidhur me Jinkises dhe shtatë kompani të lidhura me Figueredo.
Në përgjithe të raportimeve nga ICIJ dhe partnerët e saj mediatikë, paneli i etikës së FIFA-s ka nisur një hetim paraprak mbi marrëdhënien e Damiani me Figueredo. Një zëdhënës për komitetin tha se Damiani informoi vetë fillimisht panelin mbi lidhjet e tij të biznesit me Figueredo më 18 mars. Kjo ndodhi një ditë pasi skuadra e reporterëve i dërgoi pyetje Damianit mbi punën e kompanisë së tij ligjore për kompani të lidhura me ish zëvendëspresidentin e FIFA.
Lojtari më i mirë i botës në futboll, Lionel Messi, u zbulua gjithashtu mes dokumenteve. Ato tregojnë se Messi dhe babai i tij qenë pronarë të një kompanie të regjistruar në Panama: Mega Star Enterprises Inc. Kjo i shton një emër të ri listës së kompanive të fshehta që dihet se janë të lidhura me Messin. Biznesi i tij në parajsa fiskale është aktualisht nën hetim për evazion fiskal në Spanjë.
Pavarësisht nëse janë të famshëm apo të panjohur, Mossack Fonseca punon fort për të mbrojtur sekretet e klientëve të tij. Në Nevada, të dhënat tregojnë se kompania u përpoq të mbrojë veten dhe klientët e vet nga pasojat e mundshme ligjore në një juridiksion të gjykatës Amerikane duke hequr dokumentet që kishte nga dega e vet në Las Vegas si dhe udhëzoi punonjësit e vet të teknologjisë së informacionit të fshihnin të dhëna elektronike nga telefona celularë e kompjuterë.
Dosjet e rrjedhura tregojnë se kompania vazhdimisht ofroi të regjistronte dokumente pas në kohë për të ndihmuar klientët të merrnin përfitime në çështjet e tyre financiare. Kjo qe kaq e zakonshme sa në një email të vitit 2007 tregohet se punonjësit flisnin për krijimin e një strukture çmimi e cila i mundësonte klientëve të paguanin 8.75 dollarë çdo muaj shumë pas në kohë dhe se dokumentet e korporatës mund të krijoheshin sikur ishin firmosur vite më parë.
Në një përgjigje me shkrim nga ICIJ firma tha se “nuk ndihmon apo promovon veprime të paligjshme. Aludimet tuaja se ne i ofrojmë aksionerëve struktura që supozohet se janë dizenjuar për të fshehur identitetin e pronarëve të vërtetë janë tërësisht të pabaza dhe false.”
Kompania shtoi se regjistrimi i dokumenteve sikur ngjarja ka ndodhur pas në kohë “është një praktikë e njohur dhe e pranuar” dhe se “është e zakonshme në industrinë tonë dhe nuk synon të mbulohet apo fshihet një akt i paligjshëm.”
Kompania tha se nuk mund t’i përgjigjet pyetjeve mbi klientë speficikë për shkak të detyrimeve të saj për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve.
Bashkëthemeluesi i firmës, Ramón Fonseca, deklaroi në një intervistë së fundmi në televizionin e Panamasë se kompania nuk kishte përgjegjësi për atë që bënin klientët e saj për kompanitë nëpër parajsa fiskale që ajo shet. Ai e krahasoi firmën e tij me një “fabrikë makinash”, detyrimi i të cilës përfundon sapo makina prodhohet. Që të akuzohet Mossack Fonseca për çfarë bëjnë njerëzit me kompanitë e tyre është njësoj sikur të akuzosh prodhuesin e një makine “në rast se makina përdoret në një grabitje,” tha ai.
Nën dyshim
Deri së fundmi, Mossack Fonseca vepronte në përgjithësi në hije Por ajo është vënë nën vëmendje së fundmi për shkak se qeveritë kanë marrë një pjesë të dokumenteve të rrjedhura gjë që shtyu Gjermaninë dhe Brazilin të hetojnë praktikat e saj.
Në shkurt 2015, Süddeutsche Zeitung raportoi se agjencitë ligjzbatuese gjermane kanë nisur një seri bastisjesh në një nga bankat më të mëdha në vend, Commerzbank, në një hetim për mashtrim fiskal, gjë që mund të sjellë një akuzë penale ndaj punonjësve të Mossack Fonseca.
Në Brazil, kompania është bërë shënjestër në një hetim për ryshfet dhe pastrim parash të njohur si “Operacioni Lavatriçja” (“Lava Jato,” në portugalisht), e cila ka sjellë akuza penale kundër udhëheqësve kryesorë dhe një hetim kundër ish presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Skandali kërcënon të rrëzojë edhe presidenten aktuale Dilma Rousseff.
Në janar, prokurorët në Brazil e etiketuan Mossack Fonseca si një “pastrues të madh parash” dhe njoftuan se ata kanë ngritur akuza penale kundër pesë punonjësve të zyrës së kësaj firme në Brazil.
Mossack Fonseca i mohon akuzat
Zbulimet nga dosjet e kësaj kompanie ligjore zgjerojnë në mënyrë dramatike rrjedhje të mëparshme të të dhënave nga parajsat fiskale të cilat ICIJ dhe partnerët e vet raportues kanë zbuluar përgjatë katër viteve të fundit.
Në bashkëpunimin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë në botën e medias, gazetarë që punojnë në më shumë se 25 gjuhë po gërmojnë në dokumentet e Mossack Fonseca për të gjurmuar marrëveshjet sekrete të klientëve të kësaj kompanie nëpër botë. Ata ndanë informacion dhe hynë në shtigje të krijuara nga dosjet e kompanive, të dhënat mbi pronësinë, raportet financiare, dokumentet gjyqësore dhe intervistat me ekspertë kundër pastrimit të parasë apo zyrtarë të tjerë.
Reporterët e Süddeutsche Zeitung morën miliona të dhëna nga një burim konfidencial dhe i ndanë ato me ICIJ dhe partnerë të tjerë të medias. Organizatat mediatike që po marrin pjesë në investigime nuk kanë paguar për dokumentet e ndara.
Para se Süddeutsche Zeitung të merrte dokumentet, autoritetet gjermane të taksave blenë një pjesë të vogël të dokumenteve të Mossack Fonseca nga një person që i dispononte, lëvizje që solli hetimet në Gjermani në fillim të vitit 2015. Një pjesë më e vogël e dokumenteve i është ofruar që nga ajo kohë autoriteteve të taksave të Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, sipas burimeve me njohuri nga çështja.
Dosja më e madhe e marrë nga organizatat e medias ofrojnë më shumë se sa një panoramë të thjeshtë të metodave të biznesit të kësaj kompanie ligjore apo një katalog mbi klientët e vet më të këqij. Ato lejojnë zbulimin e thellë të një industrie që ka punuar për t’i mbajtur praktikat e veta të fshehta – dhe detaje që tregojnë se si përpjekjet për të reformuar sistemin kanë dështuar.
Historia e Mossack Fonseca është, në shumë mënyra, historia e vetë sistemit të parajsave fiskale.
Krimi i shekullit
Para agimit më 26 nëntor 1983, gjashtë grabitës hynë në magazinat e Brink’s-Mat në aeroportin Hithrou të Londrës. Grabitësit lidhën rojet e sigurisë, i lyen me benzinë dhe ndezën një shkrepëse duke i kërcënuar se do t’i digjnin të gjallë në rast se nuk hapnin kasafortën e magazinës. Brenda saj, grabitësit gjetën gati 7 mijë lingota ari si dhe diamante e para të thata.
“Faleminderit shumë për ndihmën tuaj. Gëzuar Krishtlindjet,” tha njëri nga grabitësit ndërsa po iknin. Media e cilësoi grabitjen si “krimi i shekullit.” Shumica e plaçkës – përfshirë paratë e nxjerra nga shkrirja e arit dhe shitja e tij, – nuk u gjetën kurrë. Se ku humbën paratë është një mister që vijon të magjepsë studentët e botës së krimit të Anglisë.
Tashmë dokumentet brenda Mossack Fonseca zbulojnë se bashkëthemeluesi i saj, Jürgen Mossack, mund të ketë ndihmuar grabitësit të fshihnin paratë nga autoritetet duke i fshehur përmes një kompanie të lidhur me Gordon Parry, një biznesmen në Londër që pastroi para për grabitësit.
Gjashtëmbëdhjetë muaj pas grabitjes, të dhënat tregojnë se Mossack Fonseca krijoi një kompani guackë të quajtur Feberion Inc. Jürgen Mossack qe një nga tre drejtorët “e emëruar”, një term që përdoret në kompanitë guackë për paraqitje, pasi drejtuesit e kompanisë të vërtetë nuk dihen dhe juristët ose kontabilistët shfaqen si drejtues.
Një memo e brendshme e shkruar nga Mossack tregon se ai qe i vetëdijshëm më 1986 se kompania “dukej se qe përfshirë në menaxhimin e parave të vjedhjes së famshme në Brink’s-Mat në Londër. Vetë kompania nuk qe përdorur ilegalisht, por mund të jetë që kompania investoi para përmes llogarive bankare dhe pronave, të cilat patën burim të paligjshëm.”
Të dhënat e Mossack Fonseca nga viti 1987 e bëjnë të qartë se Parry qe pas Feberion. Në vend që të ndihmoheshin autoritetet të fitonin akses te asetet e Feberion, firma ligjore mori hapa për ndalimin e policisë së Britanisë së Madhe.
Pasi policia mori dy certifikata që kontrollonin pronësinë e kompanisë, Mossack Fonseca i mundësoi Feberion të emetonte 98 aksione të reja, një lëvizje që duket se efektivisht zhvendosi kontrollin larg duarve të hetuesve.
Vetëm në vitin 1995, – tri vjet pasi Parry u dërgua në burg për rolin e tij në vjedhjen e arit, Mossack Fonseca i mbylli marrëdhëniet e biznesit me Feberion.
Një zëdhënës për kompaninë ligjore tha se çdo aludim se firma ndihmoi për të fshehur të ardhurat nga grabitja “është tërësisht fals.” Zëdhënësi tha se Jürgen Mossack “nuk ka bërë kurrë asnjë pazar” me Parry dhe nuk është kontaktuar kurrë nga policia për këtë rast.
Mbrojtja nga Mossack Fonseca e kësaj kompanie ilustron se sa larg shkojnë shumë kompani sekrete për t’i shërbyer interesave të klientëve të tyre.
Sistemi i parajsave fiskale mbështetet në një industri me shtrirje botërore të bankave, avokatëve, llogaritarëve e ndërmjetësve të cilët punojnë së bashku për të mbrojtur sekretet e klientëve të tyre. Ekspertët e sekreteve përdorin kompani anonime, truste dhe ente të tjera që ekzistojnë vetëm në letër për të krijuar struktura komplekse që mund të përdoren për të fshehur origjinën e parave të pista.
“Ato janë karburanti që mban në punë motorin,” thotë Robert Mazur, një ish agjent antidroge në SHBA dhe autor i librit I Infiltruari: Jeta Ime Sekrete Brenda Bankave të Pista të Kartelit Medelin të Pablo Escobar. “Ato janë pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të formulës së suksesit të organizatave kriminale.”
Mossack Fonseca i tha ICIJ se ai zbaton “si tekstin ashtu edhe frymën e ligjit. Për shkak të kësaj, ne nuk jemi akuzuar kurrë për aktivitet kriminal në gati 40 vjet punë.”
Burrat që themeluan firmën dekada më parë – dhe vijojnë edhe sot si partnerët e saj kryesorë – janë figura të njohura në shoqërinë dhe politikën e Panamasë.
Jürgen Mossack është një imigrant gjerman babai i të cilit kërkoi një jetë të re në Panama për familjen e tij pasi i shëërbeu Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ramón Fonseca është një shkrimtar që ka fituar çmime dhe që ka punuar gjatë viteve të fundit si këshilltar për presidentin e Panamasë. Ai mori leje dhe la detyrën si këshilltar i presidentit në mars pasi kompania e tij u implikua në skandalin e Brazilit dhe pasi ICIJ filluan të bëjnë pyetje mbi praktikat e firmës së tij.
Nga baza e tij në Panama, një nga zonat më sekrete financiare të botës, Mossack Fonseca mbjell kompani anonime në Panama, në Ishujt e Virgjër Britanikë dhe në parajsa të tjera fiskale.
Kompania ligjore ka punuar ngushtë me bankat e mëdha dhe me kompanitë e mëdha ligjore në vende si Holanda, Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra, duke ndihmuar klientët e vet të lëvizin paratë dhe të ulin faturat e tyre fiskale.
Një analizë e ICIJ mbi dosjet e rrjedhura zbuloi se më shumë se 500 banka, degët dhe filialet e tyre kanë punuar me Mossack Fonseca që nga vitet 1970 për të ndihmuar klientët të menaxhojnë kompanitë nëpër parajsa fiskale. UBS krijoi më shumë se 1,100 kompani në parajsa fiskale përmes kësaj kompanie. HSBC krijoi më shumë se 2,300.
Në tërësi, dosjet tregojnë se Mossack Fonseca punoi me më shumë se 14,000 mijë banka, kompani ligjore, kontabilistë e sekserë për të krijuar kompani, fondacione dhe truste për klientët e vet.
Mossack Fonseca thotë se këto ndërmjetës kanë klientët e vërtetë të saj dhe jo ata që përdorin kompanitë sekrete. Firma thotë se ndërmjetësit ofrojnë shtresa shtesë mbikëqyrjeje dhe analizimi të klientëve të rinj. Sa i përket procedurave të saj, Mossack Fonseca thotë se ato shpesh tejkalojnë “rregullat dhe standardet ekzistuese detyruese për sektorin.”
Në përpjekjet e saj për të mbrojtur Feberion Inc., kompania guackë e lidhur me vjedhjen e madhe të arit në Britani, Mossack Fonseca përdori shërbimet e një kompanie me bazë në Panama, Chartered Management Company, e drejtuar nga Gilbert R.J. Straub, një amerikan që luajti rolin e ndërmjetësit në skandalin e Uotergejtit.
Më 1987, ndërsa policia e Mbretërisë së Bashkuar po hetonte kompaninë guackë, Jürgen Mossack dhe drejtorët e tjerë në letër të Feberion dhanë dorëheqjen, me mirëkuptimin se ata do të zëvendësoheshin nga drejtorë të rinj të emëruar nga Straub’s Chartered Management.
Straub u arrestua në fund nga Administrata për Zbatimin e Ligjit Kundër Drogës të SHBA-së në një çështje pa lidhje me vjedhjen e arit në Britani, sipas Mazur, ish agjentit të fshehtë. Gjatë një prej punëve të tij si agjent i fshehtë, Mazur mblodhi faktet që bënë që Straub të deklarohej fajtor për akuzën për pastrim parash më 1995. Duke besuar se Mazur qe vetë një pastrues parash me lidhje të shumta, Straub u përpoq të fitonte besimin e tij duke rrëfyer se si ai ilegalisht kishte financuar fushatën për rizgjedhje si president të Nixon më 1972.
Sekrete dhe viktima
Babai i Nick Kgopa vdiq kur Nick qe 14 vjeç. Kolegët e punës të babait të tij në një minierë ari në Afrikën e Jugut thanë se babai i Nick qe vrarë nga ekspozimi ndaj kimikateve.
Nick, nëna e tij dhe vëllai më i vogël, i cili nuk dëgjon, mbijetuan falë çeqeve mujore nga një fond për vejushat dhe jetimët e minatorëve.
Një ditë, pagesat nuk erdhën më
Familja e tij qe një prej shumë njerëzve që humbën për shkak të një investimi mashtrues të 60 milionë dollarëve të kryera nga biznesmenë të Afrikës së Jugut. Prokurorët dyshojnë se një grup individësh të lidhur me një kompani të menaxhimit të aseteve, Fidentia, patën përvetësuar miliona nga fondet e investimit – përfshirë pensionet e minatorëve të vdekur në aksidente, një fond që supozohej se do të mbështeste rreth 46 mijë të ve dhe jetimë.
Dokumentet e Mossack Fonseca tregojnë se së paku dy nga njerëzit e përfshirë në këtë mashtrim përdorën shërbimet e kësaj kompanie për të krijuar kompani të fshehta – dhe se Mossack Fonseca qe i gatshëm të ndihmonte një nga mashtruesit që të mbronte paratë edhe pasi autoritetet e zbuluan lidhjen e tij me skandalin.
Organizatorët e skemave piramidale dhe mashtruesit e tjerë që godasin një numër të madh viktimash shpesh përdorin kompani të fshehta për të krijuar skemat e tyre apo për të fshehur fitimet. Rasti i Fidentia nuk është mashtrimi i vet i madh që shfaqet në dosjet e klientëve të Mossack Fonseca.
Në Indonezi, për shembull, investitorët e vegjël pretendojnë se një kompani e regjistruar nga Mossack Fonseca në Ishujt e Virgjër Britanikë qe përdorur për të mashtruar 3,500 njerëz dhe për të përvetësuar 150 milionë dollarë.
“Ne me të vërtetë kemi nevojë për paratë që të paguajmë faturën e shkollimit të djalit tonë këtë prill,” i shkroi me email një investitor indonezian Mossack Fonseca në prill 2007 pasi pagesat qenë ndërprerë.
“Mund të na jepni ndonjë sugjerim se çfarë të bëjmë,” pyeti investitori me anglishte të keqe pasi pa se emri i Mossack Fonseca u shfaq në një fletushkë reklamuese të fondit të investimit.
Në rastin e Fidentia, të dhënat e Mossack Fonseca tregojnë se një nga njerëzit që më pas u burgos në Afrikën e Jugut për rolin e tij në mashtrim, Graham Maddock, i pati paguar Mossack Fonseca 59 mijë dollarë më 2005 dhe 2006 për të krijuar dy kompani sekrete, përfshirë një që quhej Fidentia North America. Të dhënat e firmës ligjore thonë se ata i dhanë atij “shërbim VIP.”
Mossack Fonseca krijuan gjithashtu struktura sekrete për Steven Goodëin, një njeri për të cilin prokurorët më vonë thanë se pati luajtur një “rol vendimtar” brenda skandalit Fidentia. Ndërsa skandali shpërtheu më 2007, Goodëin iku për në Australi e më pas për në SHBA, ku një avokat i Mossack Fonseca u takua me të në një hotel luksi në Manhatan për të diskutuar pronat e tij në parajsat fiskale.
Avokati shkroi më vonë se Goodëin “pati folur thellë” mbi skandalin Fidentia dhe se ai “e kishte bindur Goodëin që ta mbronte më mirë” pasurinë e tij sekrete duke e kaluar atë në emër të një pale të tretë.
Në memon e tij, zyrtari i kompanisë i tha kolegëve se Goodëin nuk qe i përfshirë në skandal “në asnjë lloj mënyre” – dhe se ai qe thjeshtë “një viktimë e rrethanave.”
Në prill 2008, FBI e arrestoi Goodëin në Los Anxhelos dhe e dërgoi atë në Afrikën e Jugut, ku u deklarua fajtor për mashtrim dhe pastrim parash. Ai u dënua me dhjetë vjet burg.
Një muaj pas dënimit të Goodëin, një punonjës i Mossack Fonseca propozoi një plan për të penguar prokurorët e Afrikës së Jugut, të cilët prihej të kërkonin paratë e lidhura me kompaninë sekrete të Goodëin, Hamlyn Property LLP, e cila qe krijuar për të blerë prona të patundëshme në Afrikën e Jugut.
Punonjësi propozoi punësimin e një kontabilisti për të “përgatitur” auditet për vitete 2006 dhe 2007 “që të përpiqet për të parandaluar prokurorët që të ndërmerrnin veprime kundër entiteteve që fshiheshin pas Hamlyn.” Ai e vendosi fjalën “përgatitë” në thonjëza në emailin e tij.
Nuk është e qartë nëse propozimi u miratua.
Mossack Fonseca nuk iu përgjigj pyetjeve nga ICIJ mbi marrëdhëniet e veta me Goodëin. Një përfaqësues për Goodëin i tha ICIJ se Goodëin “nuk kishte të bënte fare” me kolapsin e Fidentia, dhe asnjë lidhje direkte apo indirekte me 46 mijë të vetë dhe jetimët” e minatorëve.
Politikisht të ekspozuar
Më 10 shkurt 2011, një kompani anonime në Ishujt e Virgjër Britanikë e quajtur Sandalëood Continental Ltd. i dha një kredi prej 200 milionë dollarësh një kompanie po aq të panjohur me bazë në Qipro të quajtur Horëich Trading Ltd. Një ditë më pas, Sandalëood i përcaktoi të drejtat për mbledhjen e pagesave për kredinë – përfshirë interesat – kompanisë Ove Financial Corp., një tjetër kompani misterioze e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë. Për këto të drejta, Ove pagoi një (1) dollar.
Por shtegu i parasë nuk përfundoi këtu
Në të njëjtën ditë, Ove ripërcaktoi të drejtat për të arkëtuar kredinë te një kompani e regjistruar në Panama të quajtur International Media Overseas. Dhe kjo e fundit pagoi 1 dollar.
Brenda 24 orësh, kredia, në letër, pati kaluar tre vende, dy banka dhe katër kompani, proces që besohet se kryhet për ta bërë paranë të pagjurmueshme.
Ka shumë arsye se pse njerëzit pas transaksionit mund të dëshirojnë ta fshehin atë, dhe arsyeja kryesore duket se është se paratë vijnë nga njerëz shumë pranë udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Banka me bazë në Shën Petersburg, Bank Rossiya, një institucion ku pronari kryesor dhe kryetari është cilësuar si “thesarmbajtësi” i Putinit, krijoi Sandalëood Continental dhe drejtoi fluksin e parave.
International Media Overseas, ku u kaluan të drejtat për arkëtimin e principalit dhe interesave të kredisë 200 milionëshe, qe kontrolluar, në letër, nga një nga miqtë më të vjetër të Punit, Sergey Roldugin, një violinçelist i cili është nun i vajzës së madhe të Putinit.
Të 200 milionët qenë një nga dhjetëra transaksione me vlerë të përgjithshme prej 2 miliardësh që gjenden në dosjet e Mossack Fonseca ku përfshihen njerëz apo kompani të lidhura me Putinin. Ato përbëjnë një pjesë të sipërmarrjes së Bank Rossiya të cilat fitonin ndikim indirekt mbi një aksioner shumice në kompaninë më të madhe të prodhimit të kamionëve në Rusi dhe që kishte aksione sekrete edhe në disa media kyçe në Rusi.
Pagesa të dyshimta të bëra nga batakçinjtë e Putinit mund të jenë krijuar në disa raste si shpërblesa, ndoshta në shkëmbim të ndihmës apo kontratave me qeverinë e Rusisë. Dokumentet sekrete sugjerojnë se shumica e parave të kredisë në fillim erdhi nga një bankë në Qipro, e cila në atë kohë qe nën pronësinë maxhoritare të bankës shtetërore ruse VTB Bank.
Në një konferencë për median javën e kaluar, zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov tha se qeveria nuk përgjigjet ndaj “pyetjeve të paguara” nga ICIJ apo partnerët e ICIJ për shkak se ato janë pyetje “që janë shtruar qindra herë dhe që kanë marrë përgjigje qindra herë.”
Peskov shtoi se Rusia ka “të gjithë arsenalin e mjeteve ligjore në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e presidentit tonë.”
Sipas ligjit kombëtar dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, firma si Mossack Fonseca të cilat ndihmojnë të krijohen kompani dhe llogari bankare, supozohet se duhet të mbajnë sytë hapur për njerëz të përfshirë në pastrim parash, evazion fiskal apo krime të tjera. Ata kanë detyrimin të kujdesen për “persona të ekspozuar politikisht”, zyrtarë të qeverive dhe familjeve apo bashkëpunëtorëve të tyre. Nëse dikush është një “PEP” (akronim në anglisht për Person të Ekspozuar Politikisht), ndërmjetësi që krijon kompanitë e tyre duhet të rishikojë aktivitetet e tyre me kujdes dhe të sigurohet se ato nuk po bëjnë korrupsion.
Mossack Fonseca i tha ICIJ se ajo “ka krijuar politikat dhe procedurat e përshtatshme për të identifikuar dhe trajtuar këto raste ku individët” kualifikohen si PEP.
Shpesh, Mossack Fonseca duket se nuk arrinte të kuptonte se cilët qenë klientët e saj. Një audit i brendshëm i vitit 2015 zbuloi se firma ligjore i dinte identitetet e pronarëve të vërtetë të vetëm 204 nga 14,086 kompanive që pati krijuar në Seiçeles, një parajsë fiskale në Oqeanin Indian.
Autoritetet në Ishujt e Virgjër Britanikë e gjobitën Mossack Fonseca për 37 mijë dollarë për dhunimin e ligjeve kundër pastrimit të parave për shkak se ajo kishte ndihmuar krijimin e një kompanie për djalin e ish presidentit të Egjiptit Hosni Mubarak, por nuk e kishte identifikuar lidhjen edhe pasi djali dhe babai u akuzuan për korrupsion në Egjipt. Një rishikim i brendshëm nga kompania doli në konkluzionin se “formula jonë e vlerësimit të rrezikut ka defekte të rënda.”
Në total, një analizë e ICIJ e dosjeve të Mossack Fonseca identifikoi 61 familjarë dhe shokë kryeministrash, presidentësh apo mbretërish.
Të dhënat tregojnë, për shembull, se familja e presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev përdori fondacione dhe kompani në Panama për të mbajtur paketa sekrete aksionesh në miniera ari dhe në prona të patundëshme në Londër. Fëmijët e kryeministrit Naëaz Sharif të Pakistanit krijuan kompani përmes Mossack Fonseca.
Familjarët e së paku tetë anëtarëve aktualë apo ish anëtarëve të Byrosë Politike të Kinës kanë kompani në parajsa fiskale të krijuara përmes Mossack Fonseca. Këtu përfshihet kunati i presidentit Xi, i cili krijoi dy kompani në Ishujt e Virgjër Britanikë më 2009.
Përfaqësues për udhëheqës të Azerbajxhanit, Pakistanit dhe Kinës nuk oi përgjigjën kërkesave për pyetje.
Lista e udhëheqësve botërorë që përdorën Mossack Fonseca për krijimin e kompanive sekrete përfshijnë presidentin aktual të Argjentinës, Mauricio Macri, i cili qe drejtor dhe zëvendëspresident i një kompanie të regjistruar në Bahamas të menaxhuar nga Mossack Fonseca kur ai qe biznesmen dhe kryebashkiak i kryeqytetit të Argjentinës, Buenos Aires. Një zëdhënës për Macri tha se presidenti nuk kishte pasur kurrë personalisht aksione në këtë kompani, e cila qe pjesë e biznesit të familjes së tij.
Gjatë ditëve më të përgjakshme btë pushtimit të rajonit të Donbasit të Ukrainës nga Rusia, dokumentet tregojnë se përfaqësuesit e udhëheqësit të Ukrainës Petro Poroshenko vuajtën për të gjetur një kopje të një fature uji në emër të tij për të përfunduar dokumentet për krijimin e një kompanie në Ishujt Virgjin të Britanisë.
Një zëdhënës për Poroshenko tha se krijimi i kompanisë nuk kishte të bënte me asnjë “ngjarje politike apo ushtarake në Ukrainë.” Këshilltarët financiarë të Poroshenkos tha se presienti nuk përshiu kompaninë në fjalë në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2014 për shkak se as kompania në fjalë dhe as dy kompani të tjera të lidhura të regjistruara në Qipro dhe në Hollandë, nuk kanë asete. Ata thanë se kompanitë qenë pjesë e ristrukturimit të korporatës së Poroshenkos që merret me biznesin e prodhimit të ëmbëlsirave.
Kur Sigmundur David Gunnlaugsson u bë kryeministër i Islandës më 2013, ai fshehu një sekret që mund ta kishte dëmtuar karrierën e tij politike. Ai dhe bashkëshortja e tij kishin bashkëpronësi në një kompani sekrete në Ishujt e Virgjër Britanikë kur hyri në parlament në vitin 2009. Ai e shiti aksionin në kompaninë e tij më vonë atë muaj te bashkëshortja e tij për 1 dollar.
Kompania kishte bonde me vlerë nominale prej miliona dollarësh në tri banka gjigande islandeze të cilat falimentuar gjatë krizës financiare të vitit 2008, duke e bërë atë një kreditor të falimentuar. Qeveria e Gunnlaugsson negocioi një marrëveshje me kreditorët vitin e kaluar pa zbuluar se familja e tij kishte një interes financiar në rezultatin e negociatave.
Gunnlaugsson ka mohuar gjatë ditëve të fundit që interesi financiar i familjes së tij të kishte ndikuar qëndrimin e tij. Të dhënat e publikuara nuk e bëjnë të qartë nëse pozicioni politik i Gunnlaugsson fitoi apo u dëmtua nga vlera e bondeve të mbajtuar përmes kompanisë sekrete.
Në një intervistë për partnerët e medias të ICIJ, Reykjavik Media dhe SVT, Gunnlaugsson mohoi se kishte fshehur asete. Kur ai u përball me emrin e kompanisë sekrete të lidhur me të – Ëintris Inc. – kryeministri tha: “Po ndjehem paksa çuditshëm për këtë pyetje pasi duket se ju po më akuzoni mua për diçka.”
Menjëherë pas kësaj, ai e ndërpreu intervistën.
Katër ditë më vonë, bashkëshortja e tij e bëri çështjen publike, duke shkruajtur në Facebook se kompania qe e saj dhe jo e tij dhe se ajo kishte paguar të gjitha taksat.
Që nga ajo kohë, anëtarët e parlamentit të Islandës kanë pyetur se pse Gunnlaugsson nuk e deklaroi kurrë kompaninë sekrete, ku një nga deputetët bëri thirrje që kryeministri dhe qeveria e tij të dorëhiqen.
Kryeministri iu përgjigj me një deklaratë prej tetë faqesh ku argumentohej se atij nuk i kërkohej me ligj të raportonte lidhjen që kishte me Ëintris për shkak se kompania qe nën pronësinë e bashkëshortes dhe se ajo qe “thjeshtë një kompani hollding dhe jo një kompani me aktivitet tregtar”.
Fshehje nëpër parajsa fiskale
Në vitin 2005, një varkë turistike e quajtur Ethan Allen u mbyt në liqenin Xhorxh të Nju Jorkut duke i marrë jetën 20 turistëve të moshuar. Pasi të mbijetuarit dhe familjet e viktimave hapën gjyq, ata mësuan se kompania e udhëtimeve nuk kishte policë sigurie për shkak se mashtruesit i kishin shitur asaj një policë false.
Malchus Irvin Boncamper, një llogaritar në ishullin Shën Kits në Karaibe, u deklarua fajtor më 2011 në SHBA për akuzën se kishte ndihmuar dikë të pastronte përfitimet e mashtrimit.
Kjo krijoi një problem për Mossack Fonseca, për shkak se Boncamper pati shërbyer si fasadë – një drejtor “i emëruar” – për 30 kompani të krijuara nga firma ligjore.
Sapo mësoi për dënimin e Boncamper, Mossack Fonseca veproi me shpejtësi. Ajo i tha zyrtarëve të vet të zëvendësonin Boncamper si drejtor të kompanive – si dhe për të regjistruar të dhënat pas në kohë në mënyrë që të dukej sikur ndryshimet kishin ndodhur më herët, në disa raste, një dekadë më herët.
Rasti i Boncamper është një nga shembujt e dosjeve të rrjedhura që tregojnë se si firma ligjore përdori taktika të dyshimta për të fshehur metodat apo aktivitetet e klientëve të vet nga autoritetet ligjzbtuese.
Në “Operacionin Lavatriçja” në Brazil, prokurorët akuzojnë se punonjësit e Mossack Fonseca shkatërruan dhe fshehën dokumente për të maskuar përfshirjen e kompanisë së tyre në pastrim parash. Një dokument policor thotë se, në një rast, një punonjës në degën e Brazilit i dërguan një email ku instruktoheshin bashkëpunonjësit të fshihnin të dhënat në lidhje me një klient që mund të binte nën shënjestrën e hetimit policor: “Mos lini asgjë. Do t’i fsheh ato në makinën ose shtëpinë time”.
Në Nevada, dosjet e rrjedhura tregojnë se punonjësit e Mossack Fonseca punuan në fund të vitit 2014 për të fshehur lidhjet mes degës së kësaj kompanie në Las Vegas dhe zyrave të saj qendrore në Panama pasi prisnin një urdhër gjykate për dorëzim informacioni për 123 kompani të krijuara nga firma. Prokurorët në Argjentinë i patën gjetur lidhjet e këtyre kompanive me bazë në Nevada me një skandak korrupsioni ku qenë përfshirë ish presidentët Néstor Kirchner dhe Cristina Fernández de Kirchner.
Në përpjekje për të çliruar veten nga juridiksioni i gjykatave amerikane, Mossack Fonseca pretendoi se zyra e tij në Las Vegas, MF Nevada, në fakt nuk qe një degë. Ai tha se nuk kishte kontroll mbi këtë zyrë.
Të dhënat e brendshme të firmës tregojnë të kundërtën. Ata tregojnë se firma kontrollonte llogarinë bankare të MF Nevada dhe bashkëthemeluesit e firmës si dhe një zyrtar tjetër i Mossack Fonseca kishin 100 për qind të aksioneve të MF Nevada.
Për të fshehur provat për këtë lidhje, firma organizoi fshehjen e dokumenteve të degës dhe punoi për të fshirë gjurmë kompjuterike të lidhjes mes operacioneve në Nevada dhe atyre të Panamasë. Në një nga emailet e rrjedhura, zbulohet se një shqetësim i madh qe që menaxheri i degës mund të bëhej tepër “nervoz” për të kryer me efikasitet këtë punë, duke e bërë të lehtë për hetuesit që të zbulojnë se “ne po fshehim diçka”.
Mossack Fonseca refuzoi të përgjigjet për pyetjet mbi skandalet në Brazil dhe Nevada por mohoi në përgjithësi se ajo kishte penguar hetuesit apo fshehur aktivitetet e papërshtatshme. “Nuk është në politikën tonë për të fshehur apo shkatërruar dokumente që mund të jenë të vlefshme në një hetim apo procedim”, tha kompania.
Reformimi i botës së sekreteve
Më 2013, udhëheqësi i Britanisë së Madhe David Cameron i nxiti territoret e përtejdetit të vendit të tij – përfshirë edhe Ishujt e Virgjër Britanikë – që të punojnë me të për të “rivendosur rregullin në shtëpinë tonë” dhe që të bashkohen në luftën kundër evazionit fiskal dhe sekretit nëpër parajsa.
Ai nuk kishte pse të shkonte më tutje për të parë se sa e vështirë është reformimi, por mund të shihte historinë e babait të tij të ndarë nga jeta.
Ian Cameron, një agjent burse dhe multimilioner, qe një nga klientët e Mossack Fonseca, i cili përdori këtë firmë ligjore për të fshehur fondet e tij të investimit, Blairmore Holdings, Inc., nga taksat e shtetit të tij.
Emri i fondit vjen nga Blairmore House, prona në fshat e familjes së tij e trashëguar brez pas brezi. Mossack Fonseca regjistroi fondin e investimit në Panama edhe pse shumica e investitorëve të saj më të mëdhenj qenë britanikë. Ian Cameron kontrolloi fondin nga krijimi më 1982 deri në vdekjen e tij më 2010.
Një prospekt për investitorët thotë se fondi “do të menaxhohet dhe drejtohet në mënyrë të tillë që të mos bëhet rezident në Mbretërinë e Bashkuar për qëllime taksimi në Mbretërinë e Bashkuar.”
Fondi e bëri këtë dhe duke përdorur certifikata pronësie të pagjurmueshme, të njohura si “bartës aksionesh” dhe duke emëruar zyrtarë “të emëruar” të kompanisë në Bahamas.
Historia e fshehjes së taksave nga Ian Cameron është një shembull se sa thellë shkon sekreti i parajsave fiskale për elitat politike dhe financiare nëpër botë. Sekreti përbën gjithashtu një motor të rëndësishëm ekonomik për shumë vende. Kjo ka bërë që vetëinteresi ta bëjë reformën të vështirë.
Në SHBA për shembull, shtete si Delauere dhe Nevada, të cilat lejojnë pronarët e kompanive të mbeten anonimë, vijojnë të luftojnë përpjekjet për transparencë më të lartë korporative.
Atdheu i Mossack Fonseca, Panamaja, refuzoi të përqafojë një plan për shkëmbim ndërkombëtar të informacionit mbi llogaritë bankare – për shkak të shqetësimit se industria e saj e sekretit mund të humbasë avantazhin konkurrues. Zyrtarët e Panamasë thonë se ata do të shkëmbejnë informacion, por në një shkallë më modeste.
Sfidat që reformatorët dhe shumë zyrtarë ligjzbatues kanë aktualisht është si të gjejnë dhe ndalojnë veprimet kriminale kur këto janë fshehur pas shtresave të sekretit. Mjeti më efektiv është që sekreti të rrjedhë nga dokumentet e parajsave fiskale dhe të vihen në dukje.
Dokumentet e zbuluara nga ICIJ dhe partnerët evet në media kanë krijuar legjislacione dhe hetime zyrtare në dhjetëra vende dhe kanë treguar se klientët e sekretit duhet të shqetësohen se një ditë, gjithçka do të zbulohet.
Në prill 2013, pasi ICIJ zbuloi “Offshore Leaks”, investigime të bazuara në dokumentet konfidenciale të Ishujve të Virgjër Britanikë dhe Singaporit, klientët e Mossack Fonseca i kërkuan firmës garanci se pronat e tyre sekrete nuk do të zbuloheshin.
Mossack Fonseca i tha klientëve të mos shqetësoheshin. Ajo tha se angazhimi i saj për privatësinë e klientëve të vet “ka qenë gjithmonë me rëndësi të jashtëzakonshme dhe kjo lidhet edhe me informacionin konfidencial që ruhet në qendrën tonë të të dhënave me teknologjinë më të përparuar dhe se çdo komunikim brenda rrjetit tonë botëror kryhet përmes algoritmeve të enkriptuara që përmbush standardet më të larta në botë.”
Ky artikull u shkrua dhe raportua nga Bastian Obermayer , Gerard Ryle, Marina Ëalker Guevara,Michael Hudson, Jake Bernstein, Will Fitzgibbon, Mar Cabra, Martha M. Hamilton, Frederik Obermaier,Ryan Chittum, Emilia Diaz-Struck, Rigoberto Carvajal, Cécile Schilis-Gallego, Marcos Garcia Rey,Delphine Reuter, Matthew Caruana Galizia,Hamish Boland-Rudder, Miguel Fiandor dhe Mago Torres.