Kukan: Zgjedhjet kusht për hapjen e negociatave

Raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan shpreh shqetësimin se nuk po bëhet sa duhet për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Ai e konsideron procesin e qershorit si faktor të rëndësishëm për përcaktimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit në intervistën e dhënë për “ABC News”.“Ne i rikujtojmë vazhdimisht miqve tanë në Shqipëri që zgjedhjet janë gjithnjë të rëndësishme dhe që duhen zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR bazuar në zgjedhjet e shkuara mjaft kohë para zgjedhjeve. Por duket se historia vazhdon të përsëritet dhe po shohim që nuk po bëhet mjaftueshëm për përgatitjen e tyre. Dhe pastaj vijmë në pikën ku thuhet që është tepër vonë që të përfshihen amendamentet apo reformat për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ne theksojmë se zgjedhjet duhen përgatitur me përgjegjësi në marrëveshje midis partive politike, në mënyrë që procesi zgjedhor dhe rezultati i tyre të njihet nga të gjithë. Vetëm kur zgjedhjet njihen nga të gjithë mund të konsiderohen si të besueshme. Ato përbëjnë një moment shumë të rëndësishëm për ta nxitur vendin përpara për fiksimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Të gjitha marrëveshjet, ligjet apo direktivat lidhur me zgjedhjet duhet të përgatiten shumë kohë përpara zgjedhjeve dhe nuk duhet pritur momenti i fundit. Fatkeqësisht, ne duhet të apelojmë sërish që nuk ka kohë për të humbur” thotë Kukan. Ai thekson se zgjedhjet do të ndiqen me vëmendje të veçantë dhe do të shqyrtohen. “Unë dëshiroj që të përçoj mesazhin e marrjes së të gjitha masave për përgatitjen e tyre sesa të spekuloj mbi skenaret e këqija për Shqipërinë nëse zgjedhjet nuk do të jenë OK. Sigurisht që zgjedhjet do të jenë një faktor i rëndësishëm në analizën e situatës në vend për dhënien e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Le të jemi pozitivë dhe të presim përgatitjet. Ne do të dëshironim të gjithë një lajm të mirë për Shqipërinë, që të mund të na lejonte të hidhnim një hap të mëtejshëm në integrimin europian të vendit” thekson eurodeputeti.

Exit mobile version