Meta krah Llallës: Prokurori i Përgjithshëm ka respektuar Kushtetutën

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka dalë dje hapur në mbrojtje të Prokurorit të Përgjithshëm në debatin që ky i fundit ka pasur me ambasadorin amerikan Donald Lu. Në një dalje për mediat, Kryetari i Kuvendit ka hedhur poshtë pretendimet e ambasadorit, se gjatë hedhjes së shortit dhe përzgjedhjes së kandidatëve është shkelur Kushtetuta. Sipas Metës, kriteret i plotësonin vetëm ato propozime që solli Ardiatik Llalla. Pra, ai ka vepruar plotësisht sipas ligjit dhe rregullave.  Pas këtij sqarimi të kryeparlamentarit bëhet e qartë se si u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Emërimeve. Bëhet gjithashtu e qartë se, Prokuroria ka zbatuar ligjin.  “Nisur nga deklaratat e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në lidhje me listën e kandidatëve të përcjellë për t’u përfshirë në shortin e KED-sit, me kërkesën time, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka kërkuar sqarime shtesë për plotësimin e kritereve e kushteve ligjore për këta kandidatë. Në përgjigje të kësaj shkrese, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare në datën 3 shkurt 2017. Sipas deklarimeve të djeshme të ambasadorit Lu, Prokuroria ka dhunuar frymën e Kushtetutës duke sjellë 3 kandidatë për tre pozicionet. Gjithashtu Lu është shprehur se, Prokuroria e Përgjithshme i zgjodhi vetë 3 anëtarët, duke zgjedhur vetëm 3 emra. Sqarojmë se Kushtetuta në pikën 3 përcakton se KED-si përbëhet nga 9 anëtarë. Në pikën dy të këtij neni përcaktohet se, kandidatët që nuk plotësojnë kushtet, përjashtohen nga shorti. Sipas shkresës së datës 19 janar 2017 dhe shkresën e datës 3 shkurt 2017, rezulton se kandidatët e përcjellë plotësojnë kriteret e kushtet në mënyrë të plotë siç ka vendosur Kuvendi për ligjin e “Organeve të Drejtësisë” të asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Për këto vende plotësojnë kushtet vetëm 2 prokurorë.
Sipas shkresës së sotme të Prokurorisë së Përgjithshme, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të kishte mbaruar Magjistraturën. Si edhe në Prokurori të Apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që të plotësonte kriterin e mësipërm. Në këtë shkresë specifikohet se nuk ka pasur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve që kanë mbaruar Magjistraturën. Bazuar në këtë informacion rezulton se, Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Kuvend, apo publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin”, tha Meta.

Exit mobile version