Në Qarkun më të goditur nga qevreia Rama, në Kukës kanë filluar përgatitjet për pjesëmarrje masive në protestën e 26 Majit, me synim për të larguar nga qeverisja kriminelët e veshur me pushtet. Arsyet janë të shumta!
Lidhur me situatën e vështirë ekonomike të krijuar veçanërisht në pesë vitet e fundit, mospërfilljen e kryeministrit Edi Rama ndaj këtij Qarku, izolimit strategjik si në aspektin ekonomiko-social ashtu edhe politik me taksën e vendosur në Rrugën e Kombit, Kryetari i PD Kukës, Arif Rexhmati flet në një intervistë për portalin “PaFrike.al”.
“O Sot o Kurrë, të gjithë bashkë kundër krimit, korrupsionit, varfërisë, narkotrafikut, mafies në pushtet, klaneve dhe ndarjeve të krijuara nga qeveria Rama!”, thotë Rexhmati.
-PD me 26 Maj po organizon protesta. Si do ti përgjigjen kuksianët ftesës për protestë?
Mendoj se motivimi i qytetarëve të Kukësit për të qenë të pranishëm në protestën madhështore të 26 Majit në Tiranë është më i madh se asnjëherë tjetër. Kuksianët kanë arsye të forta që të jenë në ballë të protestës për të përzënë nga qeverisja kriminelët e veshur me pushtet, ndaj strukturat lokale të PD-së, forumet e saj po punojnë për një pjesëmarrje masive.
-Me qeverinë e Edi Ramës, Kukësi është ndër qarqet më të goditura në shkall vendi. Pse kjo ndodhë gjithmonë kur socialistët janë pushtet?
Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit në 2016 shënoi rënie me 0.6%, për të tretin vit radhazi. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me rreth -14.5%, si pasojë e largimit masiv të popullatës për azil ekonomik, kryesisht në Francë e Gjermani, fenomen që vazhdoi edhe për vitin 2015 e në vazhdim. Këto janë të dhëna zyrtare të vetë qeverisë që fatkeqësisht qeveris Shqipërinë.
Nëse ky trend në rënie i mirëqenies së kuksianëve po ndodh nën qeverisjen e Ramës e ka një shpjegim.
-Së pari, Rama ka një fobi gjenetike ndaj kuksianëve, kjo fobi rrjedh që në kohën e të atit, i cili firmosi për varjen e Havzi Nelës në Gusht të vitit 1988 (i fundit dënim me varje në Evropë), hija e të cilit e ndjek edhe të birin sot pas 30 vjetësh.
-Së dyti, Rama duket që ka një urrejtje për kuksianët jo vetëm se nuk e kanë votuar asnjëherë atë dhe pasuesit e tij të tipit oligark, por edhe se Kukësi është ura lidhëse e Kombit, është sa pjesë e Shqipërisë edhe e Kosovës, i vetmi qytet i propozuar për çmimin Nobel për pritjen e madhe të vëllezërve tanë, e Rama e do kombin sa sipërfaqja e zyrës së tij ku mund të mbledhë kriminelë të tipit Tahiri e Xhafa.
-Së treti, Rama urrejtjen e tij e ka shpreh në mungesën e investimeve publike në Kukës dhe në gjithë Veriun e Shqipërisë. Zonat rurale në Kukës janë në gjendje të mjerueshme gjatë 5 viteve që qeverisë Rama. Edhe ato që janë dhënë, destinacioni i tyre ka qenë për oligarkët e tij, të cilët i ka përdorë për të blerë vota. Mungesa e investimeve në rrugë, ujësjellës, shkolla, është treguesi më i qartë për urrejtjen e tij për kuksianët. Sikur të mos mjaftonte kjo largoi nga ndihma ekonomike edhe 3.630 familje.
-Së katërti sikur të mos mjaftonte gjendja katastrofike ekonomike ku po i katandis, ka kohë që ideoi dhe vendosi taksën në Rrugën e Kombit, që kur ishte në opozitë e quante ”rruga e asgjëkundit”, një vjedhje e hapur me koncension.
Varfëria thellohet edhe më shumë nëse rinis aplikimi i tarifës së koncesionit në Rrugën e Kombit. Tarifa do të rrisë koston e tregtisë të qarkut me pjesën tjetër vendit dhe do të ndikojë në lëvizjen e lirë të njerëzve, pasi nuk ka një tjetër alternativë lëvizje pa pagesë. Për të mos u zgjatur në këtë pikë do sjell në kujtesën e opinionit, thënien e Winston Churchill: ”Asnjëherë në fushën e konfliktit njerëzorë, nuk i kishin kaq shumë borxh kaq shumë njerëzve, një pakicë kaq e vogël.”
-Qeveria Rama ka paralajmëruar një taksë më të ulët për Rrugën e Kombit. Ju jeni shprehur se nuk pranoni kurrfarë takse. A mendoni se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi me Ramën i cili për këtë çështje ka arrestuar njerëz dhe më pas filloi negociatat?
Në fakt kur lexon “Fjalët e Qiririt” duket sikur Naimi i “shkroi” për Kukësin në ditët e sotme, i cili me tokat e përmbytura i jep dritë Shqipërisë, ku me minierat dhe pasuritë minerale sot po pasurohen disa koncensionarë të qeverisë, pasuritë hidrike të zonave të mbrojtura po shfrytezohen nga koncensionet e Rames, ku aeroporti i Kukësit mbahet peng i koncensioneve dhe premtohet hapja sa herë afrohen fushatat, pyjet dhe mjedisi po shkatërrohen nga shfrytëzuesit koncensionarë të mineraleve, ku varfëria e banorëve shtohet çdo ditë falë politikave diskriminuese të qeverisë Rama për Kukësin.
Sikur të mjaftonte, qeveria Rama me një kontratë të pastudiuar, vendosi të jepte po me koncension edhe Rrugën e Kombit, rrugë e cila u ndërtua nga Qeveria Berisha për të lidhur dy pjesët e kombit tonë, ndaj Këshilli i Bashkisë kërkoi anulimin e kësaj takse si të padrejtë, të paligjshme, izoluese dhe varfëruese, ndarëse dhe privuese jo vetëm të banorëve të rajonit por edhe të shqiptarëve të Kosovës.
Kuksianët, hasjanët, tropojanët dhe më gjerë, i dhanë një mësim të jashtëzakonshëm Ramës & Co, një leksion se kur interesat e qytetarëve nuk konsiderohen, populli i del për zot fateve të veta. Ajo frymëmarrje e shpeshtuar e Ramës së frikësuar nga populli i Kukësit, shtoi pabesinë e tij duke urdhëruar politikisht burgosjen e 23 kuksianëve dhe shpalljen në kërkim të dhjetëra të tjerëve. Në shkelje të ligjit akoma mbahen në burg katër kuksiane.
Kauza jonë për zero taksë në Rrugën e Kombit është e panegociueshme, kjo është dokumentuar edhe peticioni i këshilltarëve të Bashkive Kukës, Has, Tropojë i datës 07.05.2018 drejtuar z. Rama, ku i kërkohet që të prishë kontratën koncensionare për zerimin e taksës në Rrugën e Kombit për banorët e Rajonit Kukës. Nuk është zhvilluar asnjë takim me grupet e interesit, biznesin etj. por vetëm me oligarkët e tij dhe me një grup sahanlëpirësish që nuk përfaqësojnë askënd.
Zgjidhja e vetme është jo taksë në Rrugën e Kombit dhe liri për vëllezërit tanë të burgosur padrejtësisht.
-Cili është mesazhi Juaj për qytetarët e Kukësit dhe jo vetëm…
“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”(Jefferson).
Ky lajtmotiv do të vazhdojë të jetë i pazëvendësueshëm për kuksianët dhe tashmë për të gjithë shqiptarët deri në përzënien e narkotrafikantëve nga qeveria, deri në rikthimin e normalitetit demokratik në vend. Rezistenca do të jetë e pakthyeshme deri kur drejtësia, ligji dhe liria të jenë në anën e qytetarëve dhe jo të pushtetarëve dhe oligarkëve. Çdo qeveri votohet që tu shërbejë qytetarëve të vet, e kur ajo nuk e kryen atë mision për të cilin është zgjedhur, duhet të largohet me të gjitha mjetet demokratike.
O Sot o Kurrë, të gjithë bashkë kundër krimit, korrupsionit, varfërisë, narkotrafikut, mafies në pushtet, klaneve dhe ndarjeve të krijuara nga qeveria Rama.
/PaFrike.al/