Rama e quan Zërin e Amerikës “kënetë mediatike” pse investigoi aferën e inceneratorëve

Edi Rama nuk ndalet duke zbuluar armiq të brendshëm dhe të jashtëm.
Pasi deklaroi sot në Kuvend se opozita po pengon integrimin e vendit, ka sulmuar edhe Zërin e Amerikës, në lidhje me investigimin e bërë publik dje mbi skandalin e inceneratorëve.
Rama ka publikuar një video kompjuteri për të hedhur poshtë pretendimet e Zërit të Amerikës, e duke shkuar më tej duke i cilësuar si të dobishme për shëndetin e mjedisin.
‘Ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin’, shkruan Rama në reagimin e tij.
Ja çfarë shkruan Edi Rama në Facebook:
NJË FAKT SHEMBULLOR KUNDËR HIRIT TË SYVE
A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqipërinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin????
Dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekulli nuk u bë asgjë!
Kjo që shihni është një video e projektit, që tanimë po realizohet në Sharrë dhe jo thjesht një projekt në kompjuter.
Duke ju garantuar se kështu do ta zhbëjmë mallkimin e plehrave jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Europiane që duam për fëmijët tanë.

Exit mobile version