Kultura, ekonomia dhe inovacioni nën një çati/”Trajtimi i artit si aneks, shqetësues”, Zogaj: Ministria për administratën publike, e çuditshme

Presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar krijimin e dy ministrive të reja në qeveri, atë të Kulturës, Ekonomisë e Inovacionit dhe asaj të Administratës Publike dhe Antikorrupsionit.

Zogaj u shpreh se e sheh me shqetësim trajtimin e kulturës si aneks, ndërsa theksoi se ka një tundim për ta “shtyrë në cep” këtë të fundit.

Sipas tij vendi duhet të ketë një ministri për kulturën dhe shkrirja e kësaj të fundit është një zhvillim shqetësues.

Sa i takon ministrisë për administratën publike, Zogaj tha se është diçka thuajse pa sens ndërsa sa i përket antikorrupsionit, ai tha se “Sa i përket ministrisë së parë, pavarësisht vizionit të Ramës për këtë ministri, unë edhe nga pozitat e një njeriu të komunitetit të kulturës në vend, gjithnjë shoh me shqetësim si kultura trajtohet si aneks dhe duket sikur del tepër. Ka një tundim për ta shtyrë në cep. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një ministri Kulture. Është pasuri e madhe gjuha që kemi.

Unë e shoh me shqetësim këtë zhvillim. Kultura aty duket sikur humbet dhe në konceptim besoj se është nënvlerësuar. A do ta dëmtojë apo jo, kjo do të shihet nga qasja e ministrit të ri. Do të shihet mënyra si ai do t’i integrojë pjesët e ministrisë së tij, të cilat në pamje të parë nuk duken shumë të pajtueshme.

Gjuha e shkruar dhe ajo e folur kanë përparësi absolute në politikat kulturore të një vendi të vogël që jeton epokën e globalizimit. Është paradoks që këto fusha kanë marrë më pak vëmendje nga politika kulturore në vend. Kultura ka edhe komponentë të tregut, është edhe trashëgimia kulturore, muzeumet, etj. Mirëmbajtja e tyre dhe vizitat e tyre prodhojnë para, sikurse gjithë industria e artit.

Kultura nuk është jashtë tregut, por ajo nuk është vetëm treg. Libri dhe investimi për gjuhën e folur dhe të shkruar ka të bëjë me diçka më të madhe se tregu, ka të bëjë me identitetin kombëtar dhe formimin e brezave dhe kombit.

Ministria e re më duket një gjë gati gati pa sens. Nuk e kuptoj çfarë do të thotë ministria për Administratën Publike. Administrata është shuma e punonjësve në çdo institucion shtetëror. Duket sikur ekziston një administratë jashtë institucioneve. Më duket e çuditshme. Nuk i gjej dot kuptim, duhet parë përshkrimi i punës që do i bëhet.

Ndërsa ministria Antikorrupsion është diskutim tjetër, sepse gjithnjë ka pasur një agjenci të tillë që vëzhgon korrektësinë e zbatimit të ligjit”, tha Zogaj.

Exit mobile version