Kupa e Gjermanisë, Bayern e Gladbach në gjysmëfinale

Mërgim Mavraj i dha lamtumirën Kupës së Gjermanisë, me Hamburgun që u mposht 2-1 në shtëpi nga Borussia Monchengladbach. Mbrojtësi kuqezi ishte i pafat, pasi në minutën e 52-të shkaktoi 11-metërshin me të cilin miqtë kaluan në avantazh, me Lars Stindl që nuk gaboi.
Pak çaste më vonë, Monchengladbach fitoi një tjetër 11-metërsh. Raffael mori përsipër ekzekutimin dhe dyfishoi shifrat në favor të miqve. Mavraj mund të kishte shlyer gabimin dhe të rihapte lojën, por kuqeziu ishte i pafat në tentativën e tij në minutën e 63-të. Hamburgu shkurtoi shifrat me Bobby Wood, në minutën e dytë të kohës shtesë, por ishte shumë vonë për të shpresuar te barazimi dhe Gladbach festoi kalimin mes katër më të mirave.
Gjithçka e lehtë për Bayern Munchen përballë Schalkes. Fitore e lehtë 3-0 për skuadrën e Ancelotti-t, me rezultatin që u zhbllokua nga Robert Lewandowski vetëm pas 3 minutave lojë. Në të 16-ën polaku u transformua në njeriun asist për golin e Thiago Alcantara-s, ndërsa çdo diskutim u mbyll ende pa kaluar gjysmë ore lojë, me Lewandowskin që realizoi edhe golin e tretë të bavarezëve.
Me Schalken që e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Badshtuber, Bayerni u kualifikua në gjysmëfinalet e Kupës, për një tjetër sezon ku synon t’i fitojë të dy trofetë në Gjermani.

Exit mobile version