Kur bie Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese është e asgjësuar

-Partia Demokratike e ka quajtur zgjedhjen e prokurores së përkohshme “antikushtetuese”, por kryetari Basha deklaroi se nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. A e mbështesni këtë vendim?
Së pari, t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese në këto rrethana do të thotë të tallesh me veten tënde. Gjykata Kushtetuese është një institucion, i cili nuk funksionon si institucion kushtetues emergjence. Pra, nëse i drejtohesh asaj, ajo ka të drejtën të marrë kohën e vetë, që mund të jetë 1 vit, një vit e gjysmë dhe kjo nuk sjell asgjë në skenë. Së dyti, nuk di a e dëgjuat deputetin Braimllari se si me zë e me figurë Vasilika Hysi i kërcënon të atin se e ke gjyqtar. Horra si këta toka nuk ka patur. Dhe çdo gjykatës i Gjykatës Kushtetuese është në një presion të jashtëzakonshëm, vetting e stërvetting, de fakto kur vdes Kushtetuta, ka vdekur para saj Gjykata Kushtetuese. Në Parlament vdiq Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese është vetvetiu e asgjësuar.

– Zoti Berisha edhe grupi i ish-bashkëpunëtorëve tuaj, i të përjashtuarve nga listat e deputetëve, por jo vetëm nga lista, kanë dhe ata mbështetësit e tyre. Dhe sigurisht PD nuk e ka luksin të largojë njerëz nga radhët e saj. U bë prej disa muajsh që në tryezën e zotit Basha janë dy platforma me ndryshime statutore. Ndonëse ju në intervistat tuaja të fundit keni thënë se po bëhen hapa, deri tani ato janë të padukshëm. Pse është kaq e vështirë për t’i thirrur mbështetësit e këtyre platformave në një takim nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike? Vërtet mendoni se ka vullnet për bashkim?
Unë besoj se ka një vullnet për bashkim. Ritmet dhe tempet mund të ishin më të shpejta. Por unë besoj se ka një vullnet për bashkim dhe hapa të sigurtë në këtë drejtim janë bërë. Kjo është gjithçka ajo që mund të them.

-Pas seancës së fundit të Kuvendit, Grupi parlamentar i PD zhvilloi një mbledhje të përbashkët me atë të LSI. Duket sikur kundër qeverisë Rama po bëhet bashkë e njëjta aleancë që i dha Partisë Demokratike mandatin e dytë qeverisës në vitin 2009, por që po nga kostot e kësaj aleance, Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e vitit 2013. Si mendoni se mund të pritet nga militantët e PD dhe nga qytetarët aleanca e re që po ngjizet, mes PD dhe LSI?
Unë mendoj se Edi Rama përbën, pas Enver Hoxhës dhe diktatorit Ramiz Alia, rrezikun më të madh kombëtar në historinë e këtij kombi. Dhe unë i siguroj shqiptarët se atë që panë dje me votën e pabesë ndaj SHBA-ve është vetëm fillimi, se shumë shpejt do të shohin akte të tjera madhore antikombëtare nga një njeri apatrid, për të cilin kombi është hiçgjë para pushtetit dhe lëkurës së tij personale. Ky është vetëm fillimi i asaj që do të shohin. Nuk është rasti i parë sepse kundër SHBA kanë votuar edhe vjet, qartësisht në një rezolutë pro Rusisë që kishte të bënte me NATO-n dhe që SHBA-të e kishin iniciuar pikërisht për shkak të NATO-s dhe Edi Rama votoi kundër, mashtroi në Parlament se ishte një keqkuptim dhe se do të korrigjohej, por në fakt votoi ashtu siç e urdhëruan. Kështu që kjo që ndodhi është vetëm fillimi, shumë shpejt shqiptarët do të shohin shumë gjëra të tjera antishqiptare të shëmtuara në shkallë ekstreme. Ndaj rrëzimi i tij justifikon çdo aleancë, jo vetëm me LSI, por dhe me çdo forcë tjetër politike, me çdo qytetar të këtij vendi, me mediat, dhe është një emergjencë madhore kombëtare. Me këtë rast u bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, të dënojnë pabesinë dhe votimin, në kundërshtim me interesin kombëtar, të Edi Ramës, i drejtohem forcave politike shqiptare në të katër anët e trojeve të distancohen nga ky akt i shëmtuar i Edi Ramës, ta bëjnë këtë në interesin më të mirë të kombit shqiptar.

-A mendoni se nuk duhet të ishin lënë për në muajin janar protestat e opozitës?
Ti po pyet një njeri, cili çdo ditë mendon se protesta duhet të jetë nesër. Unë jam, por ata që organizojnë kanë detyrat e tyre. Unë çdo ditë bëj thirrje për protestë.

-Prisni vërtet një revolucion demokratik në muajin janar?
Unë jam i bindur që do të ndodhë. Unë u përkas atyre njerëzve që besojnë se pavarësisht nga ngritje-uljet, shpresa është e përjetshme. Dhe kam shumë besim pavarësisht nga situatat dëshpëruese, se do të dilet përsëri dhe Edi Rama do të marrë atë që meriton. Një revoltë e fuqishme popullore e pret përpara për të fshirë këtë regjim droge, krimi, antishqiptar dhe antikombëtar, pas regimit të Hoxhës, më i ziu i këtyre trojeve.

Exit mobile version